Mbahen për rreth një muaj në maternitet e më pas dërgohen në Shtëpinë e Foshnjës në Sauk.
Në rastet më të mira ata rimerren përsëri nga prindërit biologjikë ose birësohen nga një familje, e cila nuk e ka ndjere kurrë gëzimin e të qenët prind, ndërsa në të kundërt dërgohen në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, kur mbushin moshën 6 vjeç.
Vogëlushja ka më shumë se një vit e gjysmë që qëndron në Shtëpinë e Foshnjës dhe që në ditët e para të jetës i është dashur të përballet me mungesën e dashurisë së nënës.
Tashmë ajo është në pritje të një familjeje birësuese, e cila do të mund t’i falë ngrohtësi dhe përkujdesje.
“Për fëmijët që vijnë të braktisur nga lindja ka një afat prej tre muajsh, kur nëse nëna biologjike ose të afërm të tjerë nuk tregojnë interes për fëmijët, institucioni i drejtohet Gjykatës civile të Tiranës për të kërkuar deklarimin e fëmijës si të braktisur nga familja. Sapo familja merr statusin gjyqësor me vendim gjykate të formës së prerë i nënshtrohet procedurave për garantimin e një strehe të ngrohtë familjare,” shprehet drejtoresha e Shtëpisë së Foshnjë, Orjeta Hasanaj.
Një prej kujdestareve që punon prej më shumë se 20 vitesh në Shtëpinë e Foshnjës, Afërdita Doci, tregon lidhjet e forta që krijohen me të vegjlit.
“Çdo ditë në mëngjes fillon me larjen dhe ndërrimin e fëmijëve. Pastaj i ushqejmë. Kemi një orar të relaksit. Është e lodhshme, por është edhe e bukur, sepse unë fëmijët e mi i kam rritur dhe mundohem të jem një gjyshe e mirë. E bëj me pasion dhe shumë kënaqësi,” tregon kujdestarja.
27 fëmijë strehohen aktualisht në Shtëpinë e Foshnjës në Sauk.
Fëmijët që janë çuar për birësim kanë ndjekur të gjitha procedurat që kërkon ligji dhe janë të gatshëm për t’u birësuar nga ato familje të cilat kanë depozituar kërkesat e birësimit.