Karabina: PD mbështet pa asnjë rezervë vendimet e SPAK për politikanët!

Partia Demokratike do të mbështesë vendimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për Salin Berishën, ku kërkohet arrestimi i tij.

Në një intervistë për ABC News, zëdhënësja e kësaj force politike, Mirela Karabina deklaroi se qëndrimi është i qartë; kur drejtësia flet, politika duhet të heshtë.

Sipas Karabinës, bllokimi i seancave parlamentare në Kuvend nga deputetë të grupit të Berishës, bëhet për interesa të ngushta.

“Partia Demokratike, gjatë gjithë kësaj periudhe, madje që kur SPAK ka filluar aksionin për vënien para drejtësisë së politikanëve të lartë, mbështet pa asnjë rezervë vendimet e SPAK, ndaj kujtdo. Qëndrimi është i qartë, nuk mund të kemi qëndrime të dyfishta. Kur drejtësia flet, politika duhet të heshtë. Po kalojmë një mooment, kur pas kaq vitesh, drejtësia është e shkëputur nga politika. Kemi të bëjmë me një strukurë që është ngritur me ndihmën e SHBA. Nëse do të kishte seancë plenare, sigurisht që Partia Demokratike do të kishte qenë pjesë, por ka disa javë që parlamenti është shndërruar në një skenë, që është e trishtë. Disa grupime deputetësh, për interesa të ngushta kanë bllokuar seancat parlamentare. Ka kaluar një buxhet, një shifër jashtëzakonisht e lartë, 7 miliardë euro dhe qytetarët nuk dëgjuan llogaridhënie. Ky minim i seancave parlamentare ka qenë dhuratë që i është bërë kryeministrit.

Nuk është akt politik të djegësh karriget e parlametit, ata minuan seancën e buxhetit për interesa të ngushta. Bllokimi i seancave dhe lejimi i qeverisë që të kalojë buxhetin pa llogaridhënie, është minim dhe nuk është në shërbim të qytetarëve. Partia Demokratike kërkon që në zgjedhjet e ardhshme të kemi tjetër sistem, lista të hapura, vetting të politikanëve, vota e diaporës. Partia Demokratike ngriti komisionin e inceneratorëve dhe sot në SPAK vërtetohet beteja politike e Partisë Demokratike në lidhje me korrupsionin galopant të inceneratorëve. Gjykata Kushtetuese ka pezulluar marrëveshjen Rama-Meloni. E rëndësishme është veprimet që ndodhin. Si ky grupim i opozitës dhe mazhoranca, është duke u përballur me SPAK. Ne mbështesim pa asnjë hezitim”, theksoi ajo.

Në lidhje me afrimin apo jo në Partinë Demokratike të deputetëve që janë larguar, Karabina shtoi: “Kjo është një pyetje që duhet t’ia bësh dikujt që nuk ka pasur qëndrim të qartë dhe ka humbur busullën. Partia Demokratike e ka përcaktuar qartë projektin politik, qasje euroatlantike, aleanca me qytetarët. Partia Demokratike e ka të qartë rrugën që po ndjek, mbështet këtë strukturë që do të bëjë histori në ndërtimin e demokracisë. Absolutisht, në Partinë Demokratike, kushdo që mbështet qasjen euroatlantike, dera është e hapur, këtë e kemi deklaruar, gjithësecili bën zgjedhjen”.

Latest articles

Related articles