Rajoni i Brukselit dëshiron të vendosë detyrime ligjore për supermarketet e mëdha që të dhurojnë ushqimet e pashitura. Edhe vende të tjera të BE-së kanë prezantuar legjislacione të ngjashëm. Por a funksionon kjo?
Një herë në javë, Jeannine Weyekmans dhe vullnetarë të tjerë u japin ushqim rreth 150 familjeve. Kryetarja e kësaj banke ushqimore e di se njerëzit që vijnë këtu nuk kanë zgjidhje tjetër. Këtë të enjte, shumë njerëz gjetën rrugën drejt kishës protestante në komunën e Laekenit të Brukselit.
Burrat dhe gratë mbushin karrocat dhe çantat e tyre të blerjeve me atë që u jepet nga vullnetarët. Mes tyre ka shumë familje me fëmijë. Pranë një grumbulli buke, mbi tavolina ka salca dhe perime. Në anën tjetër të dhomës, njerëzit marrin qese të vogla me patate të skuqura dhe kuti me ëmbëlsira. Ka gjithashtu ujë të gazuar, fruta dhe vaj. Në një frigorifer të madh, ka mish.
Ndryshe nga një supermarket, njerëzit nuk paguajnë, por gjithashtu nuk mund të zgjedhin nga raftet gjithçka që mund të dëshirojnë. Njerëzit gjejnë vetëm atë që është dhuruar nga supermarketet. Disa nga produktet e kanë kaluar datën më të mirë para përdorimit, të tjerët jo. Ndër produktet janë disa, si vaji apo mielli, që kanë një flamur të BE-së. Ato janë paguar nga një projekt i BE-së.