Më në fund asnjë shtetas shqiptar s’do mund të fshehë dënimet penale të dhëna nga drejtësia e huaj

Çdo shtetas shqiptar, i cili është dënuar me vendim të formës së prerë nga organet e drejtësisë jashtë vendit, por që banon në Shqipëri, nuk do të mund të fsheh dënimet penale që i janë dhënë në vendet e huaja.

Kjo do të bëhet nëpërmjet një regjistri elektronik, lidhur me marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale, shkruan rtsh.al.

Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, nga sot do të zbatojnë vendimin për rregullat e hollësishme për të dhënat parësore dhe dytësore, për gjendjen gjyqësore të shtetasve shqiptar të dënuar jashtë vendit, por që janë me banim të përhershëm në shtetin shqiptar.

Çfarë është regjistri elektronik

Regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit është një bazë e të dhënave shtetërore, nëpërmjet së cilës grumbullohet informacioni i organizuar dhe i ruajtur në formë elektronike për çdo vendim penal të formës së prerë, të dhënë nga autoritetet e huaja ndaj shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj ose pa shtetësi, por me banim të përhershëm në shtetin shqiptar, ku përpunimi dhe përditësimi i tij kryhet nëpërmjet një sistemi kompjuterik.

Përpunimi i të dhënave personale në regjistrin elektronik të gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit kryhet në përputhje me parimet dhe kriteret për mbrojtjen e të dhënave personale, shkruan rtsh.al.

Përmbajtja e regjistrit

Regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit përmban të dhënat për çdo vendim penal të dhënë jashtë shtetit ndaj shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj ose pa shtetësi, por me banim të përhershëm në shtetin shqiptar, që rezultojnë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGJC) të vitit 2010.

Regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit përmban të dhëna për:

a) gjendjen civile të personit të dënuar;

b) shtetin në të cilin është dënuar personi dhe autoriteti gjyqësor që ka dhënë dënimin;

c) vendimin penal të autoritetit gjyqësor të huaj;

ç) veprën penale për të cilën është dënuar;

d) masën e dënimit;

dh) shtetin e ekzekutimit të vendimit penal.

Ndarja e të dhënave

Të dhënat e regjistrit të shtetasve të dënuar jashtë shtetit në regjistrin elektronik të gjendjes gjyqësore ndahen në të dhëna parësore dhe të dhëna dytësore.

Të dhënat parësore, që përmban regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit, janë:

a) shteti në të cilin është dënuar personi;

b) autoriteti gjyqësor që ka dhënë dënimin;

c) të dhënat e vendimit penal të autoritetit gjyqësor të huaj, si numri i vendimit, data e vendimit dhe dispozitivi i vendimit;

ç) vepra penale për të cilën është dënuar;

d) masa e dënimit;

dh) shteti i ekzekutimit të vendimit penal;

e) të dhëna nëse vendimi penal është dhënë në mungesë, nëse ekzekutimi i dënimit penal është parashkruar apo nëse i dënuari është rehabilituar.

Të dhënat dytësore, që përmban regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit, janë:

a) të dhëna lidhur me përbërës të gjendjes civile, si emri, mbiemri, numri personal, numri personal për shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi, datëlindja, vendlindja, gjinia, emri i babait, emri i nënës, gjendja civile, të dhënat për vendbanimin dhe vendqëndrimin;

b) të dhëna referenciare nga ndërveprimi me baza të dhënash të tjera.

Bazat e tjera të të dhënave

Regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit ndërvepron me baza të tjera të dhënash, të cilat janë:

a) të dhëna nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile;

b) sistemi elektronik i regjistrimit të çështjeve gjyqësore në Shqipëri;

c) regjistri i çështjeve penale në Shqipëri;

ç) të dhëna nga baza e të dhënave të sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë të autoriteteve juridiksionale të huaja, në bazë të marrëveshjeve të bashkëpunimit të ndërsjellë.

Dhënës i informacionit për bazën e të dhënave në regjistrin elektronik të gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit është:

a) çdo mision diplomatik në shtetin e huaj;

b) çdo autoritet tjetër publik që merr dijeni për dënimin me vendim të formës së prerë nga një gjykatë e huaj për një shtetas shqiptar, shtetas i huaj apo pa shtetësi, por me banim të përhershëm në shtetin shqiptar.

Subjekte të interesuara për të dhënat janë:

a) organi i prokurorisë;

b) Policia e Shtetit;

c) organet e tjera të hetimit;

ç) çdo subjekt tjetër i përcaktuar shprehimisht me ligj apo me vendim të Këshillit të Ministrave;

d) çdo person i interesuar, të cilit i njihet ligjërisht kjo e drejtë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

Niveli i aksesit në sistemin dhe bazën e të dhënave të regjistrit elektronik të gjendjes gjyqësore, të shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj dhe pa shtetësi, të dënuar jashtë vendit, por me banim të përhershëm në shtetin shqiptar është, si më poshtë vijon:

a) Veprimet në regjistër kryhen nga struktura përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë, e cila ka të drejta regjistrimi, përpunimi, raportimi, leximi, shkrimi dhe përditësimi për të dhënat e regjistruara në regjistër;

Subjektet që kanë akses në regjistër ruajnë konfidencialitetin e të dhënave, që aksesojnë nëpërmjet regjistrit.

Në rastin kur vendimet e dhëna nga autoritetet e huaja ndaj shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj ose pa shtetësi janë njohur nga autoritetet shqiptare, vendimet e dhëna nga autoritetet e huaja nuk regjistrohen në regjistrin elektronik të gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit.

Latest articles

Related articles