– Lajmi kryesor në mediat amerikane është arrestimi dhe më pas lirimi i ish-zyrtarit të FBI, Charles McGonigal dhe lidhja direkte me Shqipërinë, nga ku ai ka marrë një pagesë me vlerë 225 mijë dollarë për lobim. Zëri i Amerikës është ndalur sot pikërisht tek lidhja e tij me një shqiptar, që është identifikuar nga autoritetet amerikane si personi që ka bërë pagesën te MCGonigal. Por kush është ai? Bëhet fjalë për një ish-punonjës të shërbimeve shqiptare të Inteligjencës, që tashmë jeton në SHBA, në shtetin e Nju Xhersit dhe që tashmë merret me biznes. Sipas VOA, ky person ka bërë 3 pagesa për McGonigal, përfshirë edhe një takim në Shqipëri, ku janë takuar me kryeministrin Edi Rama. Në këtë takim, ish-zyrtari i FBI i kërkoi kryeministrit shqiptar të kishte kujdes për licensat e kërkimit të naftës. Nga ky vendim, biznesmeni ish-spiun kishte përfitim direkt.
Pjesë nga shkrimi i Zërit të Amerikës:
Akuzat kundër ish-zyrtarit, Charles F. McGonigal, i cili ishte shefi i kundërzbulimit për zyrën në terren të FBI-së në Nju Jork nga viti 2016 deri në 2018 dhe u arrestua të shtunën, ndahen në dy aktakuza të veçanta të pavulosura në Nju Jork dhe Uashington. Në një aktakuzë të veçantë, me nëntë pika në Uashington, McGonigal akuzohet se ka marrë të paktën 225,000 dollarë para në dorë nga një ish-oficer i inteligjencës shqiptare në këmbim të promovimit të interesave të tij të biznesit, pa i bërë të ditur marrëdhëniet e tij me byronë. Ish-agjenti shqiptar është një shtetas amerikan i natyralizuar dhe jeton në Nju Xhersi.
Aktakuza pretendon se McGonigal mori tre pagesa të veçanta në para nga biznesmeni në vitin 2017, pasi të dy udhëtuan në Shqipëri, ku McGonigal u takua me kryeministrin e vendit dhe i kërkoi atij “të ishte i kujdesshëm në lidhje me dhënien e licencave të shpimit të fushës nafte në Shqipëri për kompanitë ruse”. Ish-spiuni kishte interes financiar për vendimin. Ish-agjenti shqiptar më vonë shërbeu si një burim konfidencial i FBI-së në një hetim penal të një shtetasi amerikan që lobonte për një parti shqiptare ku McGonigal mbikëqyri hetimin.
CNN publikoi dje lajmin e arrestimit të McGonigal për shkak të bashkëpunimit dhe parave që ka marrë nga një oligark rus. McGonigal ka fshehur të dhëna në lidhje me një pagesë prej qindra mijëra eurosh të marra nga një ish-punonjësi i inteligjencës shqiptare, çka përbën edhe akuzën e dytë me të cilën përballët ish-zyrtari. Në artikull përmendet fakti që ai është takuar me kryeministrin shqiptar, Edi Ramën dhe një politikan kosovar. Deri më tani nga autoritetet dhe qeveria shqiptare nuk ka asnjë reagim për të sqaruar pozicionin e kryeministrit apo për të hetuar ndikimin e paligjshëm të ish-zyrtarit tek kryeministri shqiptar, me të cilin njihet si “mik”.