Thirrje / Tritan Shehut: Lër mandatin e deputetit, kandido për Bashkinë Gjirokastër! “Ka ardhur koha për sakrificë politike”
Nga: Armando Rabi
GJIROKASTRA KA NEVOJË PËR NJË AKT POLITIK!
Z. TRITAN SHEHU, KA ARDHUR KOHA PËR SAKRIFICË, PËRGJEGJËSI DHE VEPRIM!
Zgjedhjet për Bashkinë Gjirokastër po afrojnë dhe, në kushtet aktuale ku ndodhet PD-ja lokale, mendoj se ka ardhur koha për një reflektim serioz dhe për një akt konkret përgjegjësie politike.
Nëse duam të rikthejmë besimin dhe frymën e fitores, sakrifica nuk mund të kërkohet vetëm nga demokratët në bazë. Ajo duhet të fillojë edhe nga ata që prej vitesh kanë mbajtur poste të rëndësishme politike.
Për këtë arsye, mendoj se kandidati i duhur për Bashkinë Gjirokastër duhet të jetë z. Tritan Shehu.
Me mbi 36 vite eksperiencë politike, kontribute, poste të rëndësishme shtetërore dhe njohje të gjerë elektorale, ai ka peshën dhe përvojën për të përballuar një garë të vështirë.
Por këtë herë nuk mjaftojnë emri dhe eksperienca.
Z. Shehu duhet të ndërmarrë një akt të vërtetë politik.
të lërë mandatin e deputetit dhe të marrë përsipër garën për Bashkinë Gjirokastër.
Do të ishte një sakrificë konkrete dhe një mënyrë për t’i kthyer qytetit dhe demokratëve një pjesë të mbështetjes që i kanë dhënë ndër vite.
Përballë një pushteti me korrupsionin dhe krim, kjo garë kërkon një kandidat me integritet, peshë politike, përvojë dhe autoritet publik.
Nuk është një betejë e zakonshme elektorale dhe nuk mund të përballohet me kandidatura pa profil dhe pa mbështetje.
Në këto kushte, mendoj se vetëm një figurë me përvojën dhe njohjen politike të z. Tritan Shehu mund të krijojë besimin dhe forcën e nevojshme për këtë përballje.
Gjirokastra ka nevojë për një kandidaturë që të bashkojë demokratët, të mobilizojë qytetarët dhe të përfaqësojë një alternativë serioze përballë pushtetit aktual. Z. Shehu ka mundësinë ta kthejë eksperiencën e tij politike në një betejë konkrete.
Kjo është arsyeja pse sot duhet të mendojmë për interesin e Gjirokastrës dhe jo për interesat individuale.
Njëkohësisht, kandidimi i tij duhet të shërbejë si pikënisje për riorganizimin e plotë të PD-së në Gjirokastër. Duhet të aktivizohen strukturat, të hapen dyert e selisë, të rikthehet komunikimi me bazën dhe çdo drejtues të mbajë përgjegjësi për kontributin e tij real.
Pas 13 vitesh në opozitë, demokratët nuk kanë më nevojë për fjalë, justifikime dhe kandidatura formale. Kanë nevojë për një kandidat me peshë e kredo politike, per një strukturë funksionale dhe një projekt serioz për fitore.
Gjirokastra ka një mundësi politike që nuk duhet shpërdoruar.
Prandaj, z. Tritan Shehu duhet ta konsiderojë seriozisht këtë sfidë.
Është momenti të tregojë se politika nuk është vetëm mbajtje mandatesh dhe postesh, por edhe përgjegjësi e sakrificë për qytetin dhe njerëzit që e kanë mbështetur ndër vite.
PD Gjirokastër nuk ka nevojë për demagogji, por për përgjegjësi!
Jo më fjalë, por veprime konkrete për ta fituar këtë betejë!
#Pazarilajm



