Akuzoi Izraelin për ‘gjenocid’ në Gaza, Komisionerja e OKB fiton çmimin Nobel për Paqe

spot_img
Advertisements

Juristja dhe aktivistja për të drejtat e njeriut nga Afrika e Jugut, Navanethem “Navi” Pillay, ka fituar Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2026.

E lindur në vitin 1941 në Durban, Pillay u rrit gjatë regjimit të aparteidit dhe u bë një nga gratë e para me origjinë indiane në Afrikën e Jugut që ushtroi profesionin e avokates. Ajo mbrojti aktivistët kundër aparteidit dhe luftoi kundër kushteve diskriminuese në burgje.

Pas përfundimit të aparteidit, ajo u bë gjyqtare në Gjyqin Penal Ndërkombëtar për Ruandën, ku ndihmoi në krijimin e precedentëve të rëndësishëm ligjorë që e njohën përdhunimin si akt gjenocidi. Më vonë, shërbeu si gjyqtare në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe si Komisionere e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut nga viti 2008 deri në vitin 2014, shkruan DW.

Së fundmi, ajo drejtoi një komision të OKB-së që hetonte shkeljet e të drejtave të njeriut në Izrael dhe në territoret palestineze.

Gjatë kësaj jave janë shpallur tashmë fituesit e çmimeve Nobel në mjekësi, fizikë, kimi dhe letërsi. Java e Nobelit do përfundojë të hënën me shpalljen e fituesit të Çmimit për Shkencat Ekonomike në Kujtim të Alfred Nobelit.

Fituesit e çmimeve Nobel për këtë vit

Mjekësi: Karl Deisseroth, Peter Hegemann dhe Georg Nagel, për zbulimet që ofrojnë njohuri të reja mbi mënyrat se si mund të trajtohen verbëria, depresioni, varësia dhe demenca.

Fizikë: Francis Halzen, për kontributin e tij në Observatorin e Neutrinove IceCube dhe zbulimin e neutrinove me energji të lartë, të përshkruara si “lajmëtarë fantazmë nga hapësira”.

Kimi: Henri B. Kagan dhe Kenso Soai, për zbulimet e tyre novatore lidhur me origjinën e kiralitetit dhe përbërësit themelorë të jetës.

Letërsi: Anne Carson, për veprën e saj “guximtare dhe shpikëse”, që ndërthur elementet klasike me ato moderne.

spot_img

Latest articles

Related articles