Studio daneze BIG, Bjarke Ingels Group ka propozuar një ndërtesë tridimensionale të ngritur mbi nivelin e tokës, me volume që synojnë të lirojnë sa më shumë hapësirën e parkut dhe ta mbajnë atë të aksesueshme për publikun.
BIG (fitues): ndërtesë 78 metra mbi kolona, me zyra, hotel dhe banim, mbi rreth tre kate nëntokësore.
Koncepti mbështetet te ideja e një “reje”, me hapësira për banim dhe punë të ngritura mbi tokë. Poshtë tyre krijohen zona të mbuluara, hije dhe hapësira publike, të menduara edhe si një hyrje e re e Parkut Rinia në raport me qytetin.
Projekti parashikon ruajtjen e ujit dhe të shatërvanit si pjesë të identitetit të zonës, por i trajton ato në një formë të re.
Gjatë prezantimit, studio e përshkroi Parkun Rinia si një hapësirë ku ndërthuren disa rrjete-gjelbërimi, uji dhe aktiviteti social, dhe propozimi është ndërtuar mbi idenë që ndërtesa të shtojë funksione të reja pa marrë më shumë sipërfaqe nga parku.
Studio synon gjithashtu krijimin e një pike të re të identifikueshme në qytet, jo përmes lartësisë, por përmes formës dhe mënyrës se si ndërtesa lidhet me hapësirën publike.
Sipërfaqet e projektit janë ndarë mes rezidencave, hotelerisë dhe zyrave, ndërsa rreth 10% e programit parashikohet për një komponent kulturor dhe funksione të hapura për publikun.





