Nga Elton Qyno
Emirton Suli, një përgjegjës sektori në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë dhe Informacionit,(AKSHI) është thirrur në SPAK, dhe ka dhënë shpjegime në datën 10 janar 2026, duke treguar atë që ndodhte me paracaktimin e tenderave brenda zyrave të këtij institucioni.
Ai ka shërbyer si përgjegjës pranë Drejtorisë së Agjendës Digjitale, por tashmë është kthyer një nga dëshmitarët kryesorë të SPAK në dosjen penale nr.20/1 që flet për abuzimet me tenderat e AKSHI-t, në të cilët ai disa herë ka qenë kryetar i Njësisë së Prokurimit dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Suli, është pyetur si person që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes, por hetimet e kryera nga SPAK, tregojnë se ai është implikuar në këto procedura duke ngritur dyshime të arsyeshme se ai së bashku me zyrtarë të tjerë të AKSHI, përfshirë dhe Daniel Shimën, kanë “Shpërdoruar detyrën” dhe kryer “Shkelje të pabarazisë në tendera dhe ankande publike”.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se pyetja e Emirton Sulit është realizuar në ambientet e SPAK në 10 Janar 2026, duke treguar të gjithë dinamikën e “qepjes” së letrave për të paracaktuar kompanitë fituese në tenderat e AKSHI-t.
Suli ka shpjeguar se dhe vetë kallëzuesi i kësaj çështje, Gerond Meçe, ka qenë një ndër “lojtarët” kryesorë të paracaktimit të tenderave në AKSHI, duke bashkëpunuar në disa praktika me Daniel Shimën dhe biznesmenin tjetër, Ermal Beqirin.
Zyrtari i AKSHI-t, ka deklaruar ndër të tjera se në procedurën e prokurimit “Përmirësimi dhe Integrimi i Sistemeve të Menaxhimit të Informacionit për Ndihmën Ekonomike, Personat me aftësi të Kufizuara dhe Shërbimi Social”, rezulton se termat e referencës, kriteret dhe ftesat për ofertë kanë ardhur të parapërgatitura nga Drejtoria e Projekteve, konkretisht nga Klea Korça.
Sipas tij, kjo e fundit është caktuar me urdhrin e titullares së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, duke mbetur vetëm nënshkrimi nga ana e grupit të punës.
Suli, ka rrëfyer në SPAK se zv/drejtori i AKSHI-t, Daniel Shima, kishte krijuar një adresë E-maili [email protected], nga i cili niseshin në E-mailiet e grupit të punës të gjitha dokumentat gati për projektet e prokurimit publik dhe se kjo gjë ishte bërë nga ai qëllimisht që të mos identitikohej, se cili subjekt i niste këto E-maile dhe përgatiste këto dokumente.
Para oficerëve të BKH-së, Emirton Suli, ka identifikon edhe një shtetase të quajtur, Rega Kaja, e cila përgatiste dokumentacionin, i cili përgatitej nga një grup pune i ngritur posaçërisht për këtë çështje.
Përgjegjësi i sektorit në AKSH, ka treguar se nga kjo procedurë kuptohej paraprakisht se ishte ndërtuar në atë mënyrë që të përfitohej nga shoqëria “Image & Communication Development”, me zotërues Igli Gjelishti, duke shtuar më tej se ofertë të paftuar kishte paraqitur në “AKSHI” dhe shoqëria “ABS” e Gerond Meçes.
“…Gerond Meçe ishte futur me një shumë financiare prej 20 për qind më të ulët, gjë e cila kuptohej se ishte jashtë paraplanifikimit, pasi diferenca e fondit limit me ofertën është zakonisht maksimumi 7 për qind dhe se në këtë rast ishte ndjeshëm më e madhe…”-ka treguar Emirton Suli.
Kjo gjë, sipas tij, diktonte dhe detyronte që autoriteti kontraktor të shpallte fitues shoqërinë “ABS”, por se ky fakt nuk duhet të ndodhte, pasi procedurat ishin të paracaktuara dhe duhet të anulohej tenderi dhe më pas rihapej sërish me qëllim dhënien e kompanisë që ishte paracaktuar.
Sipas dëshmisë së këtij zyrtari të AKSHI, po të shikohet dokumentacioni rezulton se ka artifica ligjore, të cilat e kanë detyruar AKSHI-n të anulohet procedura tenderuese, vetëm që të mos lidhej kontratë me këtë operator “ABS”, edhe pse në një tender tjetër e kishin shpallur në muajin mars fitues “ABS”, duke gjetur si shkak çështjen e “CSI” si të vlefshme.
Ai tregon më tej se, pas anulimit të prokurimit. AKSHI i bëri një shkresë AKSIK, që të listoheshin operatorët ekonomikë që ishin të pajisur me “CSI” të vlefshme.
Ndër të tjera Emirton Suli tregon se kur ka ardhur përgjigjja, Helena Çupi, i ka treguar se nuk ka asgjë në të për ”CSI” dhe “CSP” dhe se nuk jepte arsye për të anuluar tenderin dhe se e pyeti atë se ku mund të bazohej për ta anuluar procedure, duke qenë se deri në lidhjen e kontratës autoriteti kontraktor e kishte të drejtën që të anulonte prokurimin nëse konstatonte se nuk plotësonte shoqëria fituese kriteret.
Nga ana tjetër Suli ka rrëfyer në SPAK se kriteri i pajisjes me “CSP” të operatorëve ekonomik tek kriteret e veçanta e ka futur, Daniel Shima, në kohën kur ai ishte zv/drejtor, edhe pse nuk vinte në punë fizikisht, duke shtuar se në këtë kohë kanë patur një numër ankesash nga shoqëria “Kreatx” e Panajot Gjiknurit, duke u bllokuar një numër i madh procedurash.
Ndër të tjera Suli, ka shpjeguar se ky operator ankohej sepse nuk kishte mundësi të fitonte procedura prokurimi, duke qenë se Daniel Shima, bashkëpunonte me biznesmenin Gerond Meçen dhe me Ermal Beqirin dhe se Shima e dinte që shoqëria “Kreatx” nuk kishte “CSP”.
Qëllimisht, që ta përjashtonte “Kreatx” nga garat e prokurimit pranë AKSHI-t, krijoi këtë kriter si kusht për pjesëmarrje në prokurime, duke e shmangur më tej edhe nga ankimet dhe nga bllokimi i procedurave.
Ai shpjegon se ky kriter nuk u hoq, pasi të gjithë operatorët ekonomikë kishin marrëdhënie të mira me AKSHI-n dhe se e dispononin këtë certifikatë.
Suli ka treguar se e ka patur edhe “ABS” këtë autorizim por se, pasi nuk ka patur më marrëdhënie Gerond Meçe me AKSHI-n, atëherë kësaj shoqërie nuk i është rinovuar më tej certifikata, duke i krijuar një artificë ligjore për ta mbajtur jashtë procedurave të prokurimit.
Më tej ai sqaron se Helena Çupi, në këto kushte bëri shkresën “Memo” me qëllim që të anulohej procedura e prokurimit, duke treguar se ajo ishte në një siklet të madh, pasi siç e kupton ai, ajo rrezikonte të anulonte një procedurë prokurimi tërësisht e detyruar nga urdhrat e eprorëve, duke treguar se ajo i ka thënë se: “…po më detyrojnë që kjo procedurë të anulohet…”.
Ndërkohë pyetjes së oficerëve të BKH-së se përse dhe si zgjidhen ofertuesit kur bëhet kërkesa nga AKSHI, Emirton Suli është përgjigjur se ftesa u është drejtuar në këtë rast “Fastech”, “Pirst”, “Soft & Solution”, “Axians” dhe “Communication Progress”.
Suli u ka treguar oficerëve të BKH-së se këto ftesa bëheshin qëllimisht nga AKSHI, që të fryhet artificialisht fondi limit dhe qëllimisht që të shkojë prokurimi aty ku është paracaktuar fituese, duke treguar se ftesat për ofertë vinin gati nga ai që kontrollonte procesin.
Zyrtari i AKSHI-t, u ka treguar oficerëve të BKH-së se për të vërtetuar këtë mjafton të pyetet, Klea Korça dhe Aldo Kita, se cili ia jepte listën e ofertave dhe kujt duhet t’i dërgoheshin ato.
Suli ka treguar se mjafton të shikohet se sa është përcaktuar fondi limit në këto raste dhe se sa ka qenë oferta e “ABS”, diferencë e cila rezulton të jetë rreth 21 për qind.
Paracaktimi i tenderit, 16.5 milion euro “SMART Laborator”.
Më tej Emirton Suli është pyetur për procedurën e prokurimit “Implementami laboratorëve SMART” me vlerë 16.5 milion euro, ku Suli ka treguar se ka qenë kryetar i njësisë së prokurimit dhe se fituese ka qenë paracaktuar, konkretisht shoqëria “Albascan” që drejtohet nga Elton dhe Elision Jorgji.
Sipas tij paracaktimi ishte bërë nga Gerond Meçe dhe Daniel Shima.
Ai tregon se dokumentet e kritereve i erdhën të gatshme nga Arjola Muça, për të cilin vinte zarfi në zyrë me pseudonimin “Zarf për Albanin”.
“…ky zarf, mund të jetë dhënë nga Daniel Shima, pasi ai na pyeste vazhdimisht nëse erdhën ofertat dhe se si po shkon puna me “smart-labet”…”-tregon Suli.
Sipas tij Daniel Shima, ishte në një zyrë me Arjola Muça dhe se dokumentet i përgatiste ajo me temat e referencës, fondin limit dhe raportimin.
Për këtë rast, Emirton Suli, i ka treguar oficerëve të BKH-së se ai ka marrë draft-vlerësimet nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) dhe se ia ka paraqitur zv/drejtoreshës, Hava Delibashi, duke treguar më tej se ajo i kishte thënë: “…të dyja…” dhe “…e more mesazhin besoj…”, duke i lënë të kuptoj se ajo kishte marrë paraprakisht konfirmimin edhe nga drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe në këtë mënyrë duhet të shpallej fitues kompania “Progres Communication” me pronar Gentian Likaj.
Tenderi për sistemin e ATP-së së pronave.
Ndërsa lidhur me procedurën e prokurimit “Mirëmbajtja e sistemit të ATP-ËEB-GIS”, Emirton Suli, ka shpjeguar në SPAK, se kompania “Air” e Alban Meça dhe Joriana Xamo është future në garë si mbështetëse.
Ndërsa “Fastech” e Andis Papa vjet me ofertë më të lartë dhe se për rrjedhojë fiton “Progress Communication” e Gentian Likaj, duke konkluduar se gara organizohet fiktivisht dhe se fituesi është i paracaktuar.
Emirton Suli, ka treguar se duhet të shikohet se kush ka marrë pjesë në testimin e tregut dhe se rezulton se “Fastech” dhe “Progress Communication”, kanë marrë pjesë dhe se tregohet qartazi në këtë mënyrë se fituesi ka qenë i paracaktuar. SYRI.NET



