Biznesmeni Ramë Geci sapo u paraqit në SPAK. Ai qëndroi për afro 20 minuta në Prokurorinë e Posaçme, por nuk dihet se për cilën çështje ishte thirrur.
Biznesmeni përmendet në dosjen hetimore ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, ku kjo e fundit gjatë komunikimeve me ish-kreun e ARSH-së, Evis Berberi, i shkruan se: “KM më kërkoi të takoj Ram Gecin”.
Balluku akuzohet për abuzime me tendera në miliona euro.
Pjesë nga dosja Balluku
Në vijim të hetimit, nga këqyrja e të dhënave të aktit të ekspertimit nr. 195, datë 26.09.2024, të aparatit celular “Blackberry”, model “BBF100-6”, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, ka rezultuar komunikimi i datës 24.08.2021, në aplikacionin “Whatsapp”, ku në orën 13:49, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin: “KM më kërkoi të takoj Ram Gecin”.
Pas këtij mesazhi, në orën 13:51, shtetasi Evis Berberi i dërgon shtetases Belinda Balluku mesazhet në aplikacionin “Signal Private Messenger”, me tekst: “E kishte takuar sot. Të kaloj nga zyra se e takova para një ore në kantier, bëra një xhiro në gjithë unazën”.
Në orën 13:52, Belinda Balluku: “Jam në shtëpi peshk me pak fjalë, me një virozë”.
Në orën 13:52, Evis Berberi: “Obobo”.
Në orën 13:52, Belinda Balluku: “Në PR do e çojmë këtë, them unë. Sa është PR?”.
Në orën 13:53, Evis Berberi: “15 ml, rreth diku te 10 ml euro pa TVSH, 15 miliardë lekë”.
SPAK sqaron se në lidhje me bisedat e mësipërme, nga hetimi rezulton se Autoriteti Rrugor Shqiptar në datën 15.09.2021 ka bërë njoftimin për procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtim rruga Porto Romano Durrës, Loti 3 (vazhdimi)”.
Në Buletinin nr. 167, datë 22.11.2021, të Agjencisë së Prokurimit Publik, rezulton se për këtë procedurë prokurimi është publikuar njoftimi mbi vlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë, ku ka rezultuar se është kualifikuar oferta e paraqitur nga shoqëria “Geci” sh.p.k.



