Seanca plenare e Kuvendit nuk ka kaluar pa debate dhe replika mes deputeti socialist Erion Braçe dhe Kreut të Grupit Parlamentar të PS, Tauland Balla.
Debatet u zhvilluan lidhur me Aktin Normativ të paraqitur nga mazhoranca.
Ky i fundit në fjalën e tij të mbajtur për rend dite në foltore, pyeti grupin e tij socialist se si duhet ta votonte këtë akt normativ që katër javë më parë e kishin rrëzuar, edhe pse ishte propozimi i tij.
Kjo solli reagimin e Ballës që tha se aktet normative ose miratohen, ose rrëzohen, por nuk bëhen ndryshime, duke iu referuar kërkesës që pretendoi se bëri Braçe për kompensimet e fermerëve dhe bujqërve për dëmet, por edhe problematika të tjera.
Braçe e sqaroi se nuk kërkoi ndryshim, por pyeti se si ta votonte atë që kishte propozuar dhe i ishte rrëzuar më herët.
Balla tha:
“Jam plotësisht dakord me shqetësimet që ngrihen për t’iu gjendur pranë fermerëve e bujqërve, apo banorëve për fenomenet natyrore, përmbytjet apo zjarret. Ka grupe të qeverisjes vendore e qendrore që po bëjnë monitorim dëmesh. Sa i përket aktit normativ e dimë të gjithë që nuk bëjmë ndryshime brenda ditës. Aktet ose miratohen, ose rrëzohen. E vlerësoj shqetësimin e kolegut tim, por ju ftoj ta votojmë”.
Braçe replikoi dhe shpjegoi:
“Nuk bëra kërkesë për ndryshim të aktit. Thashë vetëm që amendamenti i rrëzuar me akt katër javë para, sot është sjellë me akt. Unë pyetja grupin tim se si duhet të votoj, çfarë të bëj, të votoj pro apo kundër, kaq thashë”.



