Një individ, pronar me letra i disa kompanive, është çelësi për të zbërthyer dy nga dosjet që tashmë janë në duart e SPAK-ut, tenderat sekretë të AKSHI-t dhe aferën DURANA. Ai është Gëzim Hoxha, emri i të cilit del në të gjitha dosjet, por deri më tani është amnistuar nga institucionet ligjzbatuese.
Emri i Gëzim Hoxhës dhe i kompanisë kryesore të tij “First” gjendet në shumë faqe dhe fashikuj të dosjes së AKSHI-t, ka bashkëpunuar shumë ngushtë edhe me Ermal Beqirin, duke i dhënë dhe marrë “punë”, me vlera miliona euro. Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme detajohen tenderat që ka marrë Hoxha, ku në një rast ai ka deklaruar se ka marrë nga AKSHI plot 60 milionë euro tendera sekretë, teksa më pas ka paguar edhe Beqirin, me një vlerë të konsiderueshme.
Ndërkohë, një tjetër lidhje e Gëzim Hoxhës me Ermal Beqirin dhe të tjerë oligarkë del te afera DURANA, me kompani guaskë dhe fiktive duke i regjistruar në Xhafzotaj, ku pasi merrnin dhjetëra miliona euro nga paratë publike, i xhironin në këto firme dhe nuk paguanin taksa, tatim fitimi apo kishin lehtësi me punëtorët apo edhe me mallrat e importuar.Një skemë e mirëfilltë zhvatje, ku veprimet e qeveritarëve i hapën rrugë krijimit të një strukture fiktive, pas së cilës qendronin peshkaqenët e parave publike, ndër të cilët të lartpërmendurit, që vepronin si një grup i mirëfilltë kriminal.




