Ministrit të Drejtësisë Besfort Llamallarit i qan zemra për të rinjtë e burgosur. Përmes një komunikimi publik ai ka realizuar një takim në Institutin e të Miturve në Kavajë.
Për festat e fundvitit me ata që kanë më shumë nevojë për prani dhe ngrohtësi njerëzore, pa prapamendime, stigma dhe përtej distancës së postit zyrtar.🙏🏻🤗
Vizitova Institutin e të Miturve në Kavajë, aty ku rehabilitohen të mitur që kanë kryer vepra të ndryshme penale. Ky institut është institucion me rëndësi të veçantë për sistemin e drejtësisë penale dhe për shoqërinë tonë pasi ofron jo vetëm siguri dhe mbikëqyrje, por mbi të gjitha mundësi reale për ndryshim, arsimim dhe ndërtimin e një të ardhme më të mirë.
E çmoj shumë stafin me punën e përkushtuar që bëhet çdo ditë për trajtimin me dinjitet, përfshirjen në programe arsimore, psikosociale dhe profesionale, si dhe për forcimin e shpresës se çdo i mitur meriton një shans të dytë.
Angazhimi ynë është i qartë, për një sistem drejtësie që jo vetëm ndëshkon ata që shkelin ligjin, por mbi të gjitha rehabiliton, parandalon përsëritjen e krimit dhe investon tek të miturit dhe të rinjtë si filizat e një të ardhme të ndritur të Shqipërisë🤝⚖️🇦🇱


