Oligarkët fituan miliona euro duke helmuar Elbasanin, tendera të paracaktuar dhe lidhje politike

spot_img
Advertisements

Një aksion i Policisë së Elbasanit ka faktuar me dokumente ndotjen alarmante në zonën e Metalurgjikut. Prej shumë vitesh, firma të caktuara digjnin në natyrë dhe pa asnjë masë mbrojtëse lëndë djegëse, duke helmuar qindra mijëra banorë të të gjithë qytetit apo edhe të zonave përreth. Ndotja shkonte deri në Cërrik apo Peqin, teksa e gjithë zona mbulohej nga re të mëdha tymi. Por, institucionet shtetërore, pushteti lokal apo inspektoriatet e mjedisit, as nuk merrnin mundimin ta ndalonin këtë ndotje galopante.

Në një njoftim për shtyp, Policia e Shtetit tha se e kishte monitoruar zonën prej 2 vitesh, teksa duket mjaft e çuditshme mungesa e ndërhyrjes. Nëse efektivët e policisë shihnin materiale duke u djegur në natyrë, që nxirrnin shtëllunga të mëdha tymi apo bloze, përse nuk ndërhynin?! Natyrisht që precedenti i KURUM-it rëndonte edhe në firmat e tjera që operojnë në zonë, të cilat pa asnjë përjashtim janë bërë një burim i madh i ndotjes, që asnjë qeveri nuk ka marrë guximin për ta ndalur.

Një projekt i Korporatës së Investimeve Shqiptare synon rehabilitimin dhe dhënien në përdorim të truallit të Metalurgjikut, por deri më tani projekti është në letra dhe asnjë veprim s’është marrë. Ndoshta oligarkë të tjera ia kanë vënë syrin, duke qenë se zona është në afërsi të Tiranës apo edhe vetë Portit të Durrësit. Ndoshta mund të ketë qenë edhe një operacion i sponsorizuar, por ajo që bie erë është se dy oligarkë të tjerë, të cilët fitojnë dhjetëra miliona euro në vit, arritën që të vijonin të punonin në atë zonë duke helmuar Elbasanin.

Media ka mësuar se mes emrave që janë shpallur në kërkim janë as më pak e as më shumë por Agron Shapllo dhe Serafin Orgocka, të cilët kanë krijuar një rrjet firmash në fushën e energjisë, atë elektrike apo edhe në fushën e metaleve. Të dy janë aksionerë të firmës “GSA”, teksa kjo firmë ka hapur edhe një nënfirmë me emrin “GSA Ferrokrom”. Firma e ferrokromit vepronte në zonën e Metalurgjikut dhe është përgjegjëse për veprimtarinë e saj aspak ligjore, por në shkelje të plotë të të gjitha ligjeve dhe rregulloreve të natyrës.

“Djegia që bëhej kryesisht natën, në qiell të hapur dhe brenda ambienteve të oborrit të kompanisë. Tymi i rëndë dilte gjatë çdo nate brenda kompanive ‘ÇALB’ shpk dhe ‘GSA Ferrokrom’. Për disa muaj me radhë janë mbledhur prova të mjaftueshme të aktivitetit shkatërrues të mjedisit. 16 persona u arrestuan në akuzë për ushtrim të aktivitetit të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Mësohet se 9 persona janë të huaj dhe 7 të shqiptarë, në role drejtuese, teknikë dhe punonjës në të dy subjektet. Në kërkim janë shpallur 8 persona, aksionarë të dy kompanive që helmuan Elbasanin për të paktën 2 vite me radhë. Ata janë në akuzë për 4 vepra penale, nga ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës, fshehja e të ardhurave, punësimi i paligjshëm dhe pastrimi i parave, kryer në bashkëpunim.

Latest articles

Related articles