Nga Dr. Jolanda Lila,studiuese e letërsisë
Romani “Shtatë dritaret” i shkrimtarit Virion Graçiështënjë nga veprat më të arrira prozaike shqiptare të viteve të fundit. Libri u botua një vit më parë nga shtëpia botuese “Albas” dhe shpalos një rrëfim të fuqishëm për jetën, kujtesën dhe përballjen e njeriut me historinë, ku përmasa personale dhe ajo kolektive shkrijnë kufijtë midis tyre.
Shkrimtari Graçi, tashmë një nga zërat më cilësorë të letërsisë sonë, me këtë roman ngjitet në një nivel të ri të pjekurisë artistike. “Shtatë dritaret” është roman i llojit biografik autofiksion dhe shënon sprovën e parë të autorit në këtë lloj narrative, e cila është mjaft e rrallë në letërsinë shqipe. Ky roman dallohet për nga kompozicioni original sa i përket organizmit të lëndës, e cila ështëkonceptuar e ndarënë tri pjesë, që përbëjnë një cikël përbashkues të tri kohëve të rrugëtimit jetësor, përkatësisht:“Lavjerrësi i fëmijërisë”, “Viti i Ri 2002. Gëzuar!” dhe “Mos kalo. Skenë krimi”. Këto pjesë nuk janë thjesht ndarje formale, por janë edhe tri mënyra për të parë botën: përmes syve të fëmijës, të birit dhe të njeriut që kthehet për të kërkuar të vërtetën.
Pjesa e parë ka shtrirjen më të madhe në vepër, bën fjalë për fëmijërinë e autorit, nga klasa e parë deri në shkollën e mesme; rrëfyer për veten në vetën e tretë, autori e rindërton fëmijërinë në kuadër më të gjerë, duke e parë me sytë e tij dhe me sytë e të tjerëve, nga një këndshikim e gjykim social; kjo e shpëton tekstin nga patetika, retorika boshe dhe vetlavdërimi duke e shndërruar në pasqyrë të fëmijëve e të shoqërisë shqiptare nga vitet ’70-të deri në vitet ’90. Në këtë pjesë, autori shmang sentimentalizmin: ai nuk vajton, por vëzhgon me syrin e fëmijës që kupton më shumë nga sa duket. Kujtimet janë përplot autoironi, përsiatje dhe pasazhe poetike që e çlirojnë rrëfimin nga retorika. Fëmijëria e djalit është një fëmijëri shqiptare: mes radhëve të kooperativës, brigadave bujqësore, ëndrrave dhe frikës përtemat që s’duhen përmendur. “Shtatë dritaret”, burgu i vjetër i qytetit, shfaqet si metaforë e këtij realiteti të mbyllur. Ai është një simbol i shumëfishtë, burg real, kujtesë e dhimbjes, por edhe vendi prej nga ku shikohet drita, ajo që ende nuk shuhet.
Në pjesën e dytë, “Viti i Ri 2002. Gëzuar!”, atmosfera ndryshon. Është viti 2002, java e fundit e jetës së babait të autorit, mësuesit që dikur u dënua pa faj. Kjo është një antologji plagësh shpirtërore e zhgënjimesh të shpalosura jo vetëm nga tre brezat e familjes, por dhe nga të afërm e miq që vijnë si vizitorë. Personazhet kalojnë si hije përpara lexuesit, miq të vjetër, shokë e të afërm, të gjithë bartës të një historie që dikur nuk guxonin ta tregonin. Tani flasin me ngadalë, si për t’u liruar nga barra e gjatë e heshtjes. Në këtë pjesë, Graçi zhytet në një meditim të thellë mbi kohën dhe humbjen. Nëse në pjesën e parë ka lodrime ëndrrash, iluzionesh, pamje lirike, në këtë pjesë tëdytë, si prerje e njëtjetër kohe, është deziluzioni, përplasja me realitetin, rrëfyer në planin epik.
Pjesa e fundit, “Mos kalo. Skenë krimi”, e lidh të gjithë rrëfimin, sepse ngjarjet zhvillohen në ditët tona. Paraqitet kthimi i autorit në vendlindje për homazhe te të parët e tij, homazhe të fshatit ku u shpërdorua fëmijëria e tij, mosha më e bukur dhe më e pafajshme e jetës së njeriut. Kjo pjesë rrëfehet në vetën e parë nga autori-narrator, duke i dhënë vlerë referenciale dhe prove historike asaj çka më parë ka treguar me distancë emocionale nga vetja dhe njerëzit e tij të dashur.“Skena e krimit” është metafora e historisë sonë: vendi ku ndodhi padrejtësia, por që askush nuk do ta quajë më krim. Autori nuk kërkon drejtësi, por kërkon dritën që ende ndriçon përmes pluhurit të harresës.
Gjuha e romanit është e ngjeshur, e pasur me ritëm të brendshëm, me detaje që krijojnë imazhe poetike edhe në situatat më të rënda. Graçi shquhet për aftësinë e rrallë për ta shprehur të keqen e dhimbjen njerëzore jo përmes britmës, por përmes nënkuptimeve, ku fjala i përngjet një bërthamë atomike, që ndryn një tërësi kuptimesh. Në stilin e tij, ironia dhe sarkazma bashkëveprojnë në mënyrë të natyrshme dhe të ekuilibruar. Një nga veçoritë më të spikatura është origjinaliteti i qasjes për trajtimine brezave. Nga djali i viteve ’80 që rritet nën terrorin e survejimit dhe të frikës, te profesori i viteve ’90 që përpiqet të kuptojë lirinë ende të pasigurt, e deri te njeriu që kthehet për të parë gjurmët e plagëve të dikurshme të vendlindjes, rrëfimi bëhet një pasqyrë e vetë historisë shqiptare. Tre kohë, tre mënyra për të parë botën, por një ndjesi e vetme: ajo e mbijetesës. “Shtatë dritaret” është më shumë se një roman; është një dëshmi letrare mbi mënyrën sesi kujtesa mund të mbajë gjallë kombin. Ajo që duket si histori familjare, në të vërtetë është rrëfim për fatin e një populli që ka mësuar të jetojë me plagën e vet. Në figurën e djalit që bëhet shkrimtar, Graçi shtron pyetjen e madhe të artit: a mund të jetë letërsia dritarja e shtatë, ajo që mbetet e hapur kur të gjitha dritaret e tjera janë të mbyllura?
“Shtatë dritaret” është roman që ndriçon plagët e së shkuarës me dritën e së vërtetës. Është një libër që lexohet me ëndje dhe të ngelet në mend si tekst artistik i arrirë dhe si histori e pasur me tipa, karaktere, ngjarje dhe situate.


