Infarktet dhe hemorragjitë e trurit po rriten dhe bashkë me to edhe invaliditeti i përhershëm dhe vdekjet. Neurologia Entela Basha thotë për RTSH se shqetësues është fakti që goditjet në tru po prekin shumë edhe të rinjtë
“Vit pas viti në shohim më shumë raste të reja me hemorragji dhe infarkte të trurit. Sipas statistikave kemi 3000-4000 raste të reja në vit në të gjithë vendin me goditje në tru dhe ¼ e tyre vijnë në QSUT për mjekim dhe diagnozë më të thelluar. Kemi rritje të rasteve mbi moshën 35 vjeç .1 në 4 pacientë janë të rrezikuar për të bërë goditje në tru”, u shpreh Basha.
Kjo situatë është shkak i rritjes së faktorëve të riskut të cilët edhe pse janë të modifikueshëm nuk vlerësohen
“Faktorët më të rëndësishëm të riskut janë diabeti, hipertensioni, çrregullimi i ritmit , dislipidemitë, përdorimi i alkoolit, duhanit dhe lëndëve narkotike”, tha neurologia.
Disa shenja janë paralajmëruese për një goditje të shpejtë në tru
“Mpirja e dorës dhe fytyrës, dyfishimi i pamjes, turbullimi i pamjes, humbja e ekuilibrit, dhimbja e fortë e kokës, të vjellat nëse janë për herë të parë“, theksoi mjekja.
Por fatkeqësisht statistikat tregojnë se ardhja në spital është e vonuar e për pasojë edhe ndihma mbetet e cunguar.
“Nga të dhënat tona pacientët vijnë vonë në spital pasi neglizhojnë shumë shenjat. Është shumë e rëndësishme që pacientët të vijnë brenda 3-4,5 orëve të para në spital në mënyrë që të përfitojë nga terapitë e riperfuzionimit. Nëse nuk vijnë brenda kësaj dritare kohore, atëherë ndihma mbetet e cunguar sepse dëmtimet e trurit janë permanente dhe nuk janë të ri kthyeshme. Nëse vjen herët, nga një dorë apo këmbë e paralizuar ti mund të ecsh normalisht vetë“, tha Entela Basha.
Kontrolli periodik i parametrave shëndetësorë, stili i shëndetshëm i jetesës dhe aktiviteti fizik janë disa nga rregullat e arta të parandalimit të aksidenteve cerebrovaskulare.
“Minimalisht 3-5 herë në jave , të paktën 60 minuta aktivitet fizik është i domosdoshëm për të ulur rrezikun e prekjes nga infarktet dhe hemorragjitë e trurit“, shtoi mjekja.


