Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimi të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme, dosjen në ngarkim të shtetasve Musa Gjikola, Klodjan Muça, Sokol Masha, Erjon Dani, Emiljano (alias Millan) Roçi dhe Vilson Roçi.
Sipas SPAK, të pandehurit akuzohen për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 dhe 25 të Kodit Penal. Ndërsa për shtetasin Erjon Dani është ngritur edhe akuza për “Shpërdorim detyre”.
Nga hetimet ka rezultuar se gjatë vitit 2020, të pandehurit janë përfshirë në tre episode të veçanta, ku dyshohet se kanë kërkuar dhe përfituar shuma që varionin nga 4 000 deri në 7 500 euro. Ata pretendohej se kishin ndikim tek funksionarë të drejtësisë, me qëllim ndryshimin e masave të sigurisë apo lehtësimin e dënimeve ndaj disa personave të arrestuar.
SPAK bën të ditur se i pandehuri Erjon Dani, në kohën e ngjarjeve me detyrë zëvendësshef komisariati dhe shef për krimet në Komisariatin Nr. 3 në Tiranë, ka shpërdoruar detyrën duke shpërndarë tek persona të tretë të dhëna të siguruara nga sistemi TIMS.
Gjatë hetimeve janë dokumentuar komunikime mes të pandehurve përmes platformës së enkriptuar “Sky ECC”, të cilat janë siguruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.


