Kandidati i pavarur për Bashkinë Vlorë Gjergji Nika përmes një komunikimi publik ka zbuluar pjesë së programit të tij.
Sipas tij Qyteti Vlorës duhet të ngjitet më lart me teleferik – një vizion për zhvillimin e qytetit tonë!
Qyteti ynë ka nevojë për më shumë atraksione, hapësira që tërheqin vizitorë dhe zhvillim të qëndrueshëm. Është koha ta bëjmë atë më atraktiv, më të gjallë dhe më modern – një qytet ku natyra, kultura dhe turizmi bashkohen në harmoni.
Si anëtar i Këshillit Bashkiak, brenda 6 muajve të parë të vitit 2026, do të propozojmë dhe përgatisim projektin për një iniciativë tonë ambicioze, duke shfrytëzuar njohuritë ndërkombëtare për tu financuar dhe përvojën tonë:
👉 Teleferiku Panoramik Shashicë – Uji i Ftohtë!
Ky teleferik, me gjatësi ajrore 1.3 km, do të lidhë majen e Shashicës me Ujin e Ftohtë, duke ofruar pamje spektakolare të qytetit, detit dhe maleve përreth.
Në majë të Shashicës, do të krijohet një hapësirë unike për vizitorët:
• Dylbi panoramike për të parë pamjen në distanca të gjata,
• Një kullë dhe teleskop astronomik për të soditur yjet dhe qiellin e natës,
• Ambiente relaksuese ku vizitorët mund të pushojnë dhe të shijojnë natyrën.
Teleferiku gjithashtu do të lidhë Shashicën me Kalanë e Kaninës, duke e bërë gjithë zonën një itinerar turistik tërheqës.
Në Kalanë e Kaninës, propozojmë edhe ngritjen e një Muzeu Etnografik, që do të ruajë dhe prezantojë trashëgiminë, historinë dhe kulturën tonë – një pasuri që meriton të ndriçohet me krenari.
Për realizimin e teleferikut do të bashkëpunojmë me ekspertë zviceranë, të njohur për përvojën e tyre në ndërtimin e teleferikëve – duke sjellë në qytetin tonë cilësi, siguri dhe standarde europiane.
Ky është fillimi i një vizioni të ri për qytetin tonë – një qytet që ngjitet më lart në ide, zhvillim dhe bukuri.
Së bashku mund ta bëjmë qytetin tonë më atraktiv, më të gjallë dhe më të dashur për të gjithë!


