Intervista e plotë
Alba Kepi: Prokuror Gratteri, mafia shqiptare është gjithnjë e më shpesh në qendër të vëmendjes së DIA-s, antimafias italiane dhe prokurorive të ndryshme në territorin italian. Çfarë po ndodh?
Nicola Gratteri: Unë e shoh mafian shqiptare si një mafie në ngritje në Europë, një mafie në rritje të vazhdueshme. Ajo po forcon praninë e saj sidomos në Europën e Veriut, në vende si Holanda dhe Belgjika, por tashmë e shohim të përfshirë edhe në Kolumbi, në bashkëpunim të ngushtë me ‘Ndrangheta’-n.
Prej disa kohësh, mafia shqiptare ka arritur të transportojë në mënyrë të pavarur ngarkesa të mëdha kokaine dhe madje të menaxhojë logjistikën e transportit për llogari të ‘Ndrangheta’-s në Europë.
Në përgjithësi, ajo është një mafie e fuqishme dhe shumë e disiplinuar, e cila për nga dhuna dhe struktura e saj ushtarake i ngjan shumë ‘Ndrangheta’-s. Pikërisht për këtë arsye, është e frikshme dhe arrin të imponohet edhe në nivel ndërkombëtar.
Alba Kepi: Ju përmendni një “hap cilësor” në aktivitetin e mafias shqiptare. Në çfarë kuptimi?
Nicola Gratteri: Po, flasim për një kapërcim cilësor të qartë, sepse vetëm në dy vitet e fundit kemi mundur ta dokumentojmë me prova konkrete që grupet shqiptare janë në gjendje të sjellin vetë në Europë sasi të mëdha kokaine, pa ndërmjetës.
Kjo është një shenjë e pavarësisë dhe e forcës së re operacionale që ata kanë fituar në tregun ndërkombëtar të drogës.
Alba Kepi: Si e shpjegoni faktin që këto grupe janë kaq të pasura dhe investojnë në vendin e origjinës?
Nicola Gratteri: Personalisht nuk jam ekspert i dinamikave të brendshme të Shqipërisë, por është e qartë se bëhet fjalë për një mafie të fortë dhe të pasur, e cila arrin të zhvillojë këtë lloj trafiku të sofistikuar të drogës.
Ashtu si mafiet italiane, të cilat edhe pse kanë shtrirje jashtë vendit, rikthejnë fitimet në Itali, po kështu familjet mafioze shqiptare që veprojnë ndërkombëtarisht kthejnë një pjesë të madhe të parave të pista në Shqipëri.
Këto para investohen në bizneset vendase, jo vetëm për përfitim ekonomik, por për të demonstruar pushtetin dhe pasurinë e tyre përpara komunitetit, duke krijuar frikë, nënshtrim dhe herë pas here edhe mbështetje.
Alba Kepi: Për një vend si Shqipëria, ku reformat në drejtësi janë ende të brishta, çfarë rreziku sjell kjo fuqi ekonomike e mafies?
Nicola Gratteri: Nuk mund t’i përgjigjem saktësisht kësaj pyetjeje, sepse nuk njoh në detaje sistemin gjyqësor shqiptar dhe mënyrën si funksionon arkitektura e tij institucionale.
Kjo është një pyetje që duhet t’u drejtohet magjistratëve shqiptarë. Por natyrisht një mafie e tillë e fortë e pasur, që arrin të bëj këtë tip trafiku droge, e në momentin kur kthehet në vendin e origjinës sic përshembull ka ndodhur me mafiet italiane, një pjesë e mirë e fitimeve nga ky trafik kthehet në Shqipëri. Të investosh në vendin e origjinës për ta është e rëndësishme jo vetëm për qëllime ekonomik e financiare por dhe për të shfaqur dukshëm fuqinë e tyre tek komunitetit, për të demostruar “perandorinë” e tyre ekonomike. E bëjnë për të krijuar frikë, sensacion por për të pasur dhe mbështetje.
Alba Kepi: Aktualisht ju drejtoni prokurorinë e Napolit. A ka prani të fortë të mafias shqiptare në Kampania?
Nicola Gratteri: Jo, jo në mënyrë të dukshme. Mafia shqiptare është shumë më e pranishme në rajonin e Lazios, pra pak më në veri të Kampanias, veçanërisht në provincën e Latinës dhe provincën e Romës.
Aty ajo është e strukturuar dhe e rrënjosur mirë, duke krijuar kontakte me kamorrën italiane.
Në Kampania, për momentin, nuk kemi një prani të konsiderueshme të shqiptarëve.
Deklaratat e Prokurorit Nicola Gratteri janë një alarm serioz për autoritetet shqiptare dhe europiane.
Nëse më parë mafia shqiptare shihej thjesht si “krahu logjistik” i mafieve italiane, sot ajo është shndërruar në një fuqi të pavarur kriminale, që kontrollon vetë rrjetet ndërkombëtare të trafikut të drogës dhe përdor fitimet për të blerë ndikim në vendin e origjinës.
Ky është një fenomen që po e shndërron Shqipërinë në një bazë të konsoliduar të ekonomisë kriminale ndërkombëtare.


