Një operacion i gjerë policor është zhvilluar të martën në mëngjes në disa rajone të Greqisë, ku janë arrestuar 37 persona të përfshirë në një skemë të madhe mashtrimi me subvencionet bujqësore të Bashkimit Europian.
Operacioni është drejtuar nga Njësia e Krimeve të Organizuar, e njohur si “FBI-ja greke” dhe është zhvilluar në Selanik, Pella, Janinë, Atikë dhe Kretë, në bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit Publik Europian (EPPO).
Hetimet kanë zbuluar një rrjet kriminal që, përmes deklaratave të rreme në agjencinë e subvencioneve bujqësore OPEKEPE, ka përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 20 milionë euro fonde nga BE, prej të cilave të paktën 5 deri në 10 milionë janë marrë në mënyrë abuzive.
Sipas autoriteteve, personat e arrestuar nuk janë fermerë apo prodhues realë, por përfitues fiktivë të fondeve. Udhëheqësi i grupit dyshohet të jetë një ish-punonjës 38-vjeçar i një qendre deklarimesh bujqësore në Giannitsa, ndërsa një tjetër i përfshirë është një 36-vjeçar që punon aktualisht në një qendër të tillë në Kretë.
Ndërkohë që Greqia po arreston abuzuesit e fondeve të BE-s, në Shqipëri hetimet për abuzimet me fondet IPARD vijojnë të ngecin, ndonëse Komisioni Europian ka pezulluar fondet për vendin për shkak të keqpërdorimeve dhe korrupsionit.
Miliona euro të dedikuara për fermerët shqiptarë kanë përfunduar në duart e personave të lidhur me pushtetin, ndërsa askush nuk është vënë ende përpara drejtësisë