Western Union, RIA dhe MoneyGram marrin goditje të fortë financiare

spot_img
Advertisements

Epoka e transfertave të shtrenjta drejt Shqipërisë është mbyllur.

Me anëtarësimin e vendit në sistemin europian të pagesave SEPA, qytetarët shqiptarë tashmë mund të dërgojnë dhe të marrin para nga jashtë për vetëm 1 deri në 2 euro, një revolucion që pritet të godasë fort kompanitë tradicionale të transfertave si Western Union, RIA dhe MoneyGram, të cilat për vite kanë dominuar tregun me komisione të larta dhe tarifa të menjëhershme për çdo dërgesë.

Përpara SEPA-s, një transfertë prej 1,000 eurosh nga një vend i Bashkimit Europian drejt Shqipërisë kushtonte mesatarisht nga 10 deri në 40 euro dhe përpunohej për tre deri në katër ditë.

Sot, e njëjta shumë dërgohet për më pak se 2 euro dhe përpunohet brenda ditës, duke e bërë të panevojshme përdorimin e kanaleve tradicionale që dikur përdoreshin për remitanca familjare.

“Përdorimi i kanaleve klasike përmes bankave korrespondente dhe operatorëve të transfertave ndërkombëtare ka qenë gjithmonë i kushtueshëm dhe i ngadalshëm.

Në këto procese përfshiheshin disa aktorë ndërmjetës dhe komisione të shumëfishta,” shpjegon Ledia Bregu, Drejtoreshë e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë ka përcaktuar tashmë kufij të rinj për tarifat e transfertave SEPA: për pagesat deri në 20,000 euro, tarifa maksimale është 2 euro; për pagesat nga 20,000 deri në 100,000 euro, tarifa është 0.01% e shumës; ndërsa për pagesat mbi 100,000 euro, tarifa nuk mund të kalojë 25 euro.

Për pagesat hyrëse, komisioni nuk mund të kalojë 3 euro, pavarësisht nga shuma.

“Kostot e pagesave tani janë gati dhjetë herë më të ulëta se më parë,” thekson Bregu.

“Kjo e bën praktikisht të panevojshme përdorimin e rrjeteve si Western Union apo MoneyGram, që për shumë vite kanë qenë alternativa e vetme për emigrantët dhe familjet e tyre.”

Sipas Bankës së Shqipërisë, ulja drastike e tarifave pritet të sjellë kursime rreth 20 milionë euro në vit për bizneset dhe qytetarët shqiptarë.

Përfituesit më të mëdhenj janë familjet që marrin remitanca nga jashtë, studentët dhe punëtorët emigrantë, duke qenë se rreth 80% e transfertave vijnë nga vendet e BE-së dhe Mbretëria e Bashkuar, e cila është gjithashtu pjesë e SEPA-s.

“SEPA i jep fund epokës së komisioneve të larta dhe pritjes së gjatë për transfertat ndërkombëtare. Tani jemi pjesë e një hapësire të përbashkët pagesash me standarde të unifikuara dhe kosto minimale,” përfundon Bregu.

Latest articles

Related articles