Autoriteti i Konkurrencës mbylli hetimin e thelluar ndaj katër prej kompanive më të mëdha të përpunimit të qumështit në vend si Erzeni sh.p.k., Adg shpk (Lufra), Gjirofarm dhe Shaka Boboshticë, pas raportimeve mediatike dhe dyshimeve për koordinim në përcaktimin e çmimit të blerjes nga fermerët.
Komisioni i Konkurrencës ka arritur në përfundimin se nuk ekziston një marrëveshje e drejtpërdrejtë mes kompanive për uljen e çmimit, pasi këto operojnë në zona të ndryshme dhe furnizohen nga rrjete të ndara fermerësh.
Inspektorët kanë shqyrtuar librat e blerjeve dhe kanë konstatuar se nuk ka prova për një koordinim të ndaluar nga ligji i konkurrencës.
Megjithatë, raporti zyrtar ngre shqetësim për faktin se gjatë vitit 2024 kompanitë kanë ulur ndjeshëm çmimin e blerjes së qumështit nga fermerët, krahasuar me vitin 2022, ndërkohë që çmimi përfundimtar në tregun me pakicë është rritur ndjeshëm.
Kjo përmbysje e raporteve midis prodhuesve dhe konsumatorëve shihet si “kartoni i parë i kuq” për tregun e qumështit në Shqipëri, pasi tregon një disbalancë serioze midis atyre që prodhojnë dhe atyre që paguajnë më shumë për produktin në treg.
Gjatë hetimit, Autoriteti ka evidentuar edhe një rritje të madhe të importeve të qumështit, sidomos nga kompania Erzeni sh.p.k., e cila ka shtuar ndjeshëm sasinë e importuar gjatë vitit 2024, ndërsa Lufra ka ndjekur të njëjtin trend, por në një shkallë më të ulët.
Sipas dokumenteve problemi më serioz që del nga raporti nuk lidhet vetëm me çmimet apo importet, por me cilësinë e qumështit që arrin në tregun shqiptar.
Redaksia mësoi se gjatë verifikimeve në terren, inspektorët kanë konstatuar raste ku qumështi nuk përmbush standardet minimale higjieno-sanitare.
SKA LOPË
Të dhënat më të fundit të INSTAT të konsultuara nga konfirmojnë se gjatë 2024 në vend u numëruan 224 302 krerë lopë nga 342 683 në vitin 2018.
INSTAT raporton se gjatë 2024 në Shqipëri u prodhuan rreth 745 000 litra qumësht lope, ndërkohë që 10 vite më parë shifrat tregonin 964 000 litra.
Qumështi natyral zëvendësohet me pluhur
Rënia e ndjeshme dhe kjo është pasqyruar edhe në rritjen e sasisë së qumështit pluhur që importon vendi, i cili më pas përdoret në stabilimetit e prodhimit dhe përpunimit të qumështit, por edhe në sektorin e prodhimit të ëmbëlsirave, etj.
Sipas të dhënave të publikuar disa javë më parë nga Monitor, importi i qumështit pluhur është rritur me 15% gjatë periudhës janar-prill 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Trendi është rënës, për shkak të uljes së numrit të popullsisë dhe rrjedhimisht edhe konsumit të përgjithshëm, megjithatë ka një zëvendësim të dukshëm të qumështit natyral të lopës me qumështin pluhur të importuar nga jashtë.
Mësohet se gjatë kësaj periudhe shqiptarët konsumuan 200 mijë kg qumësht pluhur dhe pjesa dërrmuese e kësaj sasia është importuar nga kompanitë Super Milk; LUFRA; AD SH-2014; ELKA SA; Alta Group, etj.
Alta Group dhe ELKA SA janë ndër kompanitë më të mëdha të përdorimit të qumështit pluhur në prodhimet e ushqimeve, ndërkohë që LUFRA prodhon qumësht dhe nënproduktet e tij.
Në Shqipëri, qumështi pluhur lejohet vetëm për industri të caktuara si prodhimi i akullores; brumërave; çokollatës apo ushqimeve për foshnje, ndërkohë që Shoqatës së Industrisë se Perpunuesve të Qumeshit, perdorimi i qumështit pluhur në prodhimin e produkteve si kos, djathe apo gjize eshte i ndaluar me ligi dhe ndëshkohet nëse nuk etiketohet siç duhet.
Krahas qumështit pluhur, Shqipëria është kthyer në importuese masive e vajit të palmës, i cili po ashtu përdoret në industrinë ushqimore në vend të yndyrnave shtazore. Vendi importon mesatarisht 3 mijë ton vaj palme çdo vit për të përmbushur nevojat e industrisë. Sa për referencë, në vitin 2014 janë importuar rreth 380 ton vaj palme.