Qeveria belge kërkon pjesën e saj nga paratë që SPAK u ka sekuestruar grupeve kriminale shqiptare për hetimet që kanë nisur nga Belgjika.
Dy ministre belge, ajo e drejtësisë dhe ministrja e emigracionit do të diskutojnë gjatë vizitës së tyre të posaçme në Shqipëri dhe Kosovë, edhe për ndarjen e parave të sekuestruara nga narkotrafiku.
“Misioni do të përfshijë gjithashtu diskutime mbi një letër qëllimi në lidhje me ndarjen e aseteve, duke lejuar që një pjesë e të ardhurave kriminale të sekuestruara në Shqipëri ose Kosovë si rezultat i hetimeve të udhëhequra nga Belgjika të kthehen në thesarin belg,” raportoi agjencia belge e lajmeve, belganewsagency.
Një pjesë e madhe e sekuestrimeve që SPAK ka bërë ndaj grupeve kriminale kanë ardhur pikërisht për shkak të hetimeve të nisura nga Belgjika.
Mes tyre, ndër më të bujshmet kanë qenë sekuestrimet e pasurive të dy vëllezërve nga Fushë-Kruja, sekuestrimi i pasurive të Eridian Guerreros në Vlorë etj..
Bëhet fjalë për miliona euro të sekuestruara në formën e llogarive bankare, por edhe pasurive të patundshme, të cilat kanë rrjedhur nga veprimtaritë kriminale.
Tani, qeveria belge kërkon pjesën e saj nga këto para.
Transferim të burgosurish
Dy ministret belge filluan një mision diplomatik tre-ditor në Shqipëri dhe Kosovë të hënën. Vizita përqendrohet në adresimin e mbipopullimit të burgjeve dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Për të lehtësuar mbipopullimin kronik në burgjet belge, qeveria po shqyrton mundësinë e marrjes me qira ose ndërtimit të një burgu jashtë vendit për shkelësit jo-rezidentë.
Ministrat do të zhvillojnë bisedime eksploruese mbi idenë e ta bëjnë këtë në Shqipëri ose në Kosovë gjatë vizitës së tyre në këto vende.
Verlinden dhe Van Bossuyt do të bëjnë gjithashtu presion mbi Shqipërinë që të marrë mbrapsht shtetasit e saj që aktualisht mbahen të ndaluar në Belgjikë.
Në burgjet belge ndodhen 307 shqiptarë, 253 prej të cilëve nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në vend.
“Nëse ata që janë dënuar këtu dhe nuk kanë të drejtë të banojnë në Belgjikë mund të vuajnë dënimin e tyre në vendin e tyre të origjinës, kjo do të thotë që dënimi zbatohet siç duhet, duke lehtësuar gjithashtu presionin mbi sistemin tonë të burgjeve”, tha Verlinden./VRT