Miratimi i platformës politike amerikane dhe të NATO-s, ndaj Shqipërisë, më 1962

spot_img
Advertisements

Albert Hitoaliaj

Në vitin 1962, Shqipëria ishte tashmë e shkëputur nga sfera e influencës sovjetike. Lidhja me Kinën dhe largimi nga Traktati i Varshavës e kishte shndërruar atë si çështje diskutimi strategjik në zyrat e superfuqive botërore të kohës. SHBA, Kinë dhe BRSS kishin interesa strategjike që lidheshin me Shqipërinë dhe kishin secila qasjen e saj ndaj vendit të vogël ballkanik. Në këtë shkrim sillet një studim i gjendjes së Shqipërisë nga Departamenti i Shtetit, të SHBA-së, dhe i raporteve të saj me fqinjët dhe aktorët e madhej; kjo analizë krijonte themelet e një politike amerikane kundrejt Shqipërisë. Ky material arkivor gjendet në fondin e presidentit Xhon Kenedi: “Standing Group Meetings: General, January 1962: United States policy towards Iran and Albania”, në: Papers of John F. Kennedy. Presidential Papers. NSF : M&M : NSC Standing Group Meetings, 1/62, Box 314, faqet 15-19.


Materiali sillet i plotë dhe ka rëndësi si dokument pasi hedh dritë mbi zhvillimet e kohës dhe interesat amerikane ndaj Shqipërisë. E veçanta e këtij dokumenti është se ai jep në mënyrë të qartë dhe të argumentuar, orientimet kryesore politike e strategjike të SHBA-së ndaj Shqipërisë. Në këtë analizë pohohet, theksohet (!), rëndësia e madhe strategjike që ka Shqipëria për interesat amerikane. Në thelb, dokumenti paraqet një qasje politike amerikane pozitive, ndaj Shqipërisë: synohet ruajtja e ekuilibrit të shtetit shqiptar, ruajtja e sovranitetit nga kërcënimet rajonale e më gjerë dhe mundësisht tërheqja e Shqipërisë në Perëndim.
Analiza e bërë ka thellësi dhe artikulon një rreze të gjerë problemesh e skenarësh që lidhen me sigurinë e Shqipërisë dhe me fatin e saj. Një analizë e kësaj natyre, padyshim që është kristalizuar si produkt i disa zyrave shtetërore të sigurisë, të cilat i kanë gërshetuar informacionet dhe llojet e analizave. Në kornizën e gjerë gjeopolitike, Shqipëria vlerësohej e parë në kontekstin e gjeopolitikës së Euroazisë, e cila ishte hapësira në të cilën luheshin fatet e botës dhe të fuqisë amerikane. Pozicioni strategjik i Shqipërisë, nevojitej të ishte, në mos i rreshtuar në Perëndim, së paku i parrezikshëm për Perëndimin. Fillimisht ky dokument i gjerë i Departamentit të Shtetit, u konsultua nga Grupi i Përhershëm i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Shqipëria u fut në diskutimet e rendit të ditës të mbledhjes së KSK-së më 26 janar 1962. Analiza e Departamentit të Shtetit u shqyrtua imtësisht në mbledhjen e datës 26 janar, u bë një përmbledhje e saj dhe u dhanë rekomandime për ndjekjen e detyrave lidhur me të:
“Artikulli 4 – Shqipëria. (Z. Foy D. Kohler, Ndihmëssekretar i Shtetit për Çështjet Europiane, ishte i pranishëm për këtë pikë.)
U diskutua një studim i Planifikimit të Politikave të Departamentit të Shtetit, “Vendime të menjëhershme të politikës së SHBA-së lidhur me Shqipërinë.” U ra dakord në parim me rekomandimet në paragrafin 6 (faqet 12 dhe 13). U vu re se Departamenti i Shtetit do të përgatiste një memorandum për Presidentin duke i tërhequr vëmendjen për rekomandimet e mësipërme, dhe se Departamenti i Mbrojtjes ka rënë dakord të nisë planifikimin ushtarak lidhur me emergjencat e mundshme të përmbledhura në Seksionin VI (faqet 15–19) të dokumentit.” (Papers of John F. Kennedy. Presidential Papers. NSF, Box 314/ 014, faqe 11)
Bazuar te ky studim, u formulua me disa shtylla kryesore, si një përmbledhje konceptore, memorandumi i lidhur me politikën ndaj Shqipërisë, i cili u përgatit enkas për presidentin Xhon Kenedi. I njëjti informacion: “Deklaratë politike mbi situatën e tanishme shqiptare”, pas presidentit, u dërgua më datë 21 shkurt 1962, nga Sekretari i Shtetit, David D. Rusk, për Misionin Amerikan në NATO dhe në Organizatat Rajonale Europiane (United States Mission to NATO and European Regional Organizations/USRO). Orientimi politik amerikan ndaj Shqipërisë, përmes këtij misioni, do i përcillej të gjitha vendeve anëtare të NATO-s dhe do të miratohej prej tyre si linjë politiko-ushtarake e NATO-s. Në vijim, sillet studimi i plotë për platformën politike amerikane ndaj Shqipërisë dhe dokumentet shoqëruese, që e përcollën këtë orientim politik në misionin amerikan në NATO.

Studimi i Departamentit të Shtetit: “Shqyrtimi i çështjes shqiptare dhe trajtimi i saj”

Konfidenciale, Departamenti i Shtetit.
Uashington, 25 janar 1962.
Memorandum për z. McGeorge Bundy, Shtëpia e Bardhë.
Subjekti: Grupi i Përhershëm i Këshillit të Sigurisë Kombëtare (National Security Council (NSC) Standing Group).
Z. McGhee dëshiron që Shqipëria të përfshihet në rendin e ditës të mbledhjes së Grupit të Përhershëm të KSK-së, të planifikuar për të premten, 26 janar. Po bashkëngjis pesë kopje të një materiali mbi Shqipërinë, të përgatitur nga Departamenti i Shtetit, i cili do të shërbejë si bazë për diskutim në atë mbledhje. (nënshkrim) L. D. Battle, Sekretar Ekzekutiv.

Konfidenciale. Departamenti i Shtetit.
Studim i Planifikimit të Politikave, për Diskutim.
Mbledhja e Grupit të Përhershëm të KSK-së.
E premte, 26 janar 1962, ora 14:30

Vendime të menjëhershme të politikës së SHBA-së lidhur me Shqipërinë

I. Qëllimi i dokumentit

  1. Një sërë problemesh të politikës së menjëhershme që lidhen me Shqipërinë kanë dalë tashmë në pah, ose mund të shfaqen në një të ardhme të afërt.
  2. Ndër problemet specifike, që tashmë janë evidentuar, janë:
    a. një kërkesë për licencë eksporti për një dërgesë tregtare misri drejt Shqipërisë;
    b. pyetje nga disa qeveri të NATO-s mbi qëndrimin e SHBA-së kundrejt fillimit të bisedimeve (ose sondazheve) me Shqipërinë për rifillimin e marrëdhënieve diplomatike, zgjerimin e tregtisë dhe, ndoshta, ndihmës së mundshme;
    c. dëshmi të pakënaqësisë nga ana e Greqisë, Italisë dhe Jugosllavisë për zhvillimet që mund të pasojnë nga një boshllëk i supozuar pushteti në Shqipëri, si dhe përgatitje të heshtura të secilës palë për të mbrojtur interesat e veta atje, duke ngritur mundësinë e veprimit, apo veprimeve, nga njëra ose nga tjetra palë, të cilat mund të shkaktojnë pasoja serioze;
    d. thashetheme të përsëritura se Jugosllavia synon përmbysjen e regjimit të Hoxhës, vetë ose në bashkëpunim me BRSS-në. Nuk është gjetur asnjë provë që i mbështet këto thashetheme dhe ato janë mohuar fuqishëm nga vetë jugosllavët. Megjithatë, në dritën e “pikës c” të mësipërme, mundësia e parashtruar nuk mund të përjashtohet. Për këtë arsye, ka një nevojë të menjëhershme për të vlerësuar çështjen, si nga këndvështrimi i diplomacisë parandaluese, ashtu edhe nga ai i planifikimit të emergjencave;
    e. problemi i trajtimit të konfliktit shqiptar me sovjetikët nga mediet amerikane të informacionit, veçanërisht çështja, nëse duhen bërë përpjekje të drejtpërdrejta për ta shfrytëzuar këtë konflikt.
  3. Ndër problemet specifike që mund të dalin në një të ardhme të afërt janë:
    a. hapja e Shqipërisë ndaj SHBA-së për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike;
    b. kërkesat shqiptare për ndihmë ekonomike nga burime Perëndimore që do të përfshinin drejtpërdrejt ose tërthorazi Shtetet e Bashkuara;
    c. përpjekjet për përmbysje me forcë në Shqipëri, qoftë përmes ndërhyrjes së jashtme (të maskuar ose të hapur), qoftë përmes një kryengritjeje të brendshme.
  4. Problemet e mësipërme, megjithëse mund të duken kryesisht të vogla në vetvete, kanë pasoja të rëndësishme për interesat themelore të Shteteve të Bashkuara dhe për politikat e tyre të gjera kombëtare. Për më tepër, në disa prej tyre ekziston rreziku që, nëse nuk marrin vëmendje të mprehtë dhe në kohë, të çojnë në zhvillime që mund të prodhojnë situata të vështira krize. Prandaj do të ishte e pamatur që t’u lihet zgjidhja ad hoc këtyre dhe problemeve të ngjashme. Në vend të kësaj, është e nevojshme të shqyrtohet se si zhvillimet aktuale dhe të pritshme në Shqipëri ndikojnë mbi objektivat dhe interesat afatshkurtra e afatgjata të SHBA-së dhe të krijohet një kornizë politike brenda së cilës të mund të trajtohen çështjet e menjëhershme dhe ato që priten. Në këtë kontekst, do të ishte e udhës që të risillnim në vëmendje një pikë të ngritur nga sekretari i Shtetit në fjalimin e tij për Shoqatën Amerikane të Historisë (American Historical Association), më 29 dhjetor:
    “Nuk duhet ta pranojmë rehatinë pa kosto, që vjen nga ndarjet e thella brenda Bllokut Komunist. Nga ana tjetër, duhet të jemi të vetëdijshëm se koncepti i shtetësisë së pavarur, i interesit kombëtar dhe i kulturës kombëtare po shfaqet çdo ditë e më fuqishëm. Dhe nëse jemi të mençur, mund të gjejmë me durim mënyra për të mbërthyer fijet e interesave kombëtare që mbivendosen ndërmjet vendeve komuniste dhe Botës së Lirë, duke shkuar drejt zbutjes së përplasjes së zhveshur të fuqisë.”
    Qëllimi i këtij dokumenti është që të ndërmarrë shqyrtimin e nevojshëm të çështjes shqiptare dhe të propozojë një kornizë politike për trajtimin e saj.

II. Vlerësime themelore

  1. Vlerësimet dhe gjykimet e parashtruara këtu, mbështeten në bindjen se është në interesin e Shteteve të Bashkuara, që lidhjet, të cilat mbajnë të bashkuar lëvizjen komuniste ndërkombëtare, e veçanërisht ato që bashkojnë anëtarët e Bllokut sovjeto-kinez, të dobësohen më tej.
  2. Megjithatë, nuk është as e realizueshme e as e dëshirueshme që të hartohet një politikë ndaj Shqipërisë, vetëm mbi kriterin e thjeshtë se çfarë do të mund të maksimizonte dallimet midis Tiranës dhe Moskës. Besojmë se kur zgjedhim mes alternativave, duhet të kemi parasysh:
    a. ndoshta, para gjithë të tjerave, marrëdhënien e konfliktit shqiptaro-sovjetik, ndaj përplasjes Rusi – Kinë komuniste, te e cila, SHBA-ja ka prej kohësh, interesin kryesor;
    b. nevojën për të shmangur lindjen e situatave që mund të rrezikojnë përshkallëzimin në krizë serioze;
    c. ndikimin që zhvillimet në Shqipëri dhe politikat tona kundrejt tyre, mund të kenë mbi qëndrimin dhe sjelljen e sovjetikëve, veçanërisht te gatishmëria e udhëheqjes sovjetike për të ruajtur një kurs më të përmbajtur dhe me më pak rrezikshmëri, në marrëdhëniet Lindje-Perëndim, se sa ai që mbrojnë komunistët kinezë;
    d. delikatesën e ekuilibrit mes forcave që kanë interesa në Shqipëri dhe rrezikun që një ndryshim i beftë atje, të shkaktojë një reaksion zinxhir;
    e. nevojën e llogaritjes së ndjeshmërisë së kuptueshme të opinionit publik amerikan, ndaj çdo politike që do të mund të dukej se: (i) shpërblen verbërisht një regjim veçanërisht armiqësor ndaj SHBA-së, (ii) do të mbështeste dhe do të ndihmonte të mbante gjallë statusin e Shqipërisë si satelit të komunistëve kinezë, apo (iii) anasjelltas, të mbështeste presionet sovjetike ndaj Tiranës.

III. Konsiderimi i mjedisit

Kur shqyrtohen alternativa politike ndaj Shqipërisë, duhen pasur parasysh faktet e mëposhtme:

  1. Lidhjet midis sovjetikëve dhe Shqipërisë janë pothuajse tërësisht të këputura. Udhëheqja sovjetike e ka përjashtuar regjimin shqiptar nga lëvizja komuniste; marrëdhëniet diplomatike janë pezulluar; teknicienët ekonomikë dhe ushtarakë sovjetikë janë tërhequr dhe bazat ushtarake sovjetike janë mbyllur; kreditë sovjetike dhe të vendeve satelit janë pezulluar; tregtia sovjeto-shqiptare është reduktuar në një pikatore; shkëmbimet kulturore janë ndërprerë. Moska dhe satelitët evropianë po zhvillojnë një fushatë intensive psikologjike kundër regjimit të Hoxhës, ndërsa Tirana kundërpërgjigjet me sulme pa dorashka ndaj Hrushovit dhe bashkëpunëtorëve të tij në hierarkinë sovjetike. Shqipëria nuk është përjashtuar nga Traktati i Varshavës, por statusi i saj është dukshëm pasiv.
  2. Konflikti midis Shqipërisë dhe BRSS-së nuk është thjesht një fazë e mosmarrëveshjes sovjeto-kineze, megjithëse ndikohet në mënyrë të qenësishme prej saj dhe, nga ana tjetër, e ndikon dukshëm atë. Regjimi shqiptar, dhe veçanërisht vetë Enver Hoxha, ka qenë prej kohësh mosbesues ndaj udhëheqjes së Hrushovit. Ndoshta burimi fillestar i këtij mosbesimi ishte politika e re sovjetike, pas Stalinit, ndaj Jugosllavisë, me të cilën Hrushovi personalisht ishte ngushtësisht i lidhur, dhe te e cila shqiptarët panë rrezikun se mund të sakrifikoheshin në interes të një afrimi sovjeto-jugosllav. Pakënaqësia dhe qëndrueshmëria refuzuese e shqiptarëve kundrejt Jugosllavisë, si dhe rrethana të tjera, gjeneruan mosbesim reciprok nga ana e Moskës, sidomos pas Kongresit të Njëzetë të Partisë Sovjetike. Moska kërkoi, në mënyrë të ashpër, të minonte udhëheqjen e Partisë Shqiptare. Hoxha u kundërpërgjigj duke likuiduar elementët pro-sovjetikë në parti dhe duke dhënë mbështetje të pakushtëzuar për kinezët në debatin ideologjik ndërpartiak. Moska iu drejtua gjithnjë e më shumë sanksioneve ekonomike të rënda.
    Sovjetikët do të duan ta shtyjnë më tej fushatën e tyre kundër regjimit shqiptar, pavarësisht se çfarë ndodh në konfliktin sovjeto-kinez. Shqiptarët, nga ana e tyre, me gjasë nuk do të jenë të gatshëm ta ndërpresin kundërshtimin ndaj Moskës, edhe nëse do të ndodhte një pajtim mes kinezëve e rusëve.
  3. Konflikti midis Shqipërisë dhe BRSS-së është bërë, gjithsesi, një faktor kryesor në marrëdhëniet sovjeto-kineze.
    a. Të paktën që nga vera e vitit 1960 shqiptarët kanë mbështetur kinezët në të gjitha fazat e konfliktit të tyre me sovjetikët. Kinezët, nga ana e tyre, u kanë dhënë mbështetje dhe inkurajim të veçantë, materiale dhe gjëra të tjera, për shqiptarët. Me këtë mbështetje dhe përballë presioneve në rritje sovjetike, shqiptarët priren t’i tejkalonin kinezët, duke shtuar një ton fyerjesh dhe dhune në polemikën ndërpartiake.
    b. Përjashtimi publik sovjetik në Kongresin e Njëzetedytë të Partisë ndaj udhëheqjes shqiptare, me kusht deri kur, dhe nëse, do të pranonte “gabimet” e veta, përbënte një sfidë qendrore si për Pekinin (Peiping), ashtu edhe për Tiranën. Kinezët u përballën me zgjedhjen: ose ta miratonin sulmin, dhe në këtë mënyrë, në thelb, të dënonin vetveten, ose të sfidonin hapur dëshirat e Moskës. Ata zgjodhën sfidën, fillimisht duke përbuzur sulmin sovjetik ndaj shqiptarëve dhe më pas duke e bërë të qartë mbështetjen e tyre të vazhdueshme për udhëheqjen shqiptare dhe për politikat e veprimet e saja, sado në ekstrem e sipër të ishin ato. Nga ana e vet, sovjetikët e çuan politikën e tyre ndaj Shqipërisë në përfundimin e saj logjik, domethënë deri në pikën e ndarjes së partisë e të shtetit. Zhvillimet shqiptare e çuan kështu konfliktin sovjeto-kinez në një nivel të ri: në atë të një përçarjeje të pranuar brenda radhëve komuniste.
    c. Shqipëria tashmë përfaqëson një “plagë” të hapur midis Pekinit dhe Moskës dhe do të vazhdojë si e tillë, veç nëse udhëheqja e Hoxhës do të kapitullonte, do të zëvendësohej nga një grup i dominuar nga sovjetikët, ose do i linte vendin një regjimi të orientuar nga Perëndimi.
  4. Udhëheqja e Hoxhës nuk ka asnjë gjasë që të kapitullojë. Ajo është pothuajse tërësisht e përkushtuar ndaj një “armiqësie të papajtueshme” kundrejt “Hrushovit dhe klikës së tij”. Për më tepër, Moska ka bërë qartësisht të ditur se edhe një Hoxha i penduar nuk do të ishte i pranueshëm; ai dhe përkrahësit e tij duhet të largohen. Rrjedhimisht, mundësia e një “zgjidhjeje të negociuar”, duket e largët. Eliminimi i udhëheqjes shqiptare ka shumë gjasë të kërkojë ndonjë grusht shteti të dhunshëm.
  5. Udhëheqja shqiptare duket në pozita të mira për të zmbrapsur ndonjë përpjekje për grusht shteti, veç në rast se ushtrohen forca të jashtme ose plas një krizë e mprehtë ekonomike. Aparati i Partisë, si pasojë e spastrimeve të përsëritura, është plotësisht nën dominimin e përkrahësve të Hoxhës. Ushtria dhe policia duken gjithashtu të sigurta, dhe opozita popullore ndaj regjimit ndoshta është në minimum falë tërheqjes që ushtron qëndrimi “kombëtar” kundër sovjetikëve. Pika më e brishtë është paaftësia e mundshme e regjimit për të parandaluar përkeqësimin ekonomik, – përfshirë mungesat serioze të ushqimit, – pa ndihmë të jashtme për të zëvendësuar furnizimet që më parë siguroheshin nga sovjetikët dhe satelitët europianë:
    a. Shqipëria nuk ka burime për të plotësuar kërkesat minimale ekonomike. Që prej luftës, ajo ka qenë e varur nga burimet e kampit sovjetik, kryesisht me kredi, për të përmbushur jo vetëm kërkesat e programit të saj modest të industrializimit, por edhe afro gjysmën e nevojave të saj për grurë. Duke ngadalësuar aktivitetet e zgjerimit, presioni në sektorin industrial mund të mbahet në minimum, por një dështim i tejzgjatur për sigurimin e dërgesave të grurit nga jashtë, mund të çojë në një situatë gjithnjë e më të rrezikshme.
  6. Që prej vitit 1960, komunistët kinezë kanë ndërmarrë hapa për të zbutur presionet ekonomike të ushtruara nga Moska. Pekini ka dhënë kredi (139 milionë dollarë amerikanë) përafërsisht të barabartë me atë që po i mohohet nga Rusia dhe satelitët e saj, dhe sipas kësaj kredie parashikohet të furnizojë pajisje dhe ndihmë teknike të nevojshme, për të ruajtur vazhdimësinë e programit të industrializimit të Shqipërisë; teknikët kinezë thuhet se kanë filluar të zëvendësojnë ata që janë tërhequr nga vendet e Europës Lindore; dhe, Pekini, ka blerë grurë në tregun ndërkombëtar për ta dërguar në Shqipëri. Kinezët duket se synojnë të vazhdojnë ndihmën e tyre në një shkallë të mjaftueshme sa për të përmbushur nevojat më urgjente të Shqipërisë. Raportet e para mbi rezultatet e bisedimeve tregtare midis kinezëve dhe shqiptarëve, të cilat filluan në mes të nëntorit dhe përfunduan vetëm kohët e fundit, tregojnë se është rënë dakord për marrëveshje liberale për vitin 1962.
  7. Shqiptarët nuk janë treguar fare të alarmuar mbi perspektivën e tyre ekonomike. Rëndësia e presioneve ekonomike sovjetike është përmendur në fjalime dhe në shtyp, por në kontekstin e pohimeve mburravece, se ato do të jenë të paefektshme. Artikujt e eksportit shqiptar, të cilët më parë shkonin në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet satelite, po u ofrohen vendeve Perëndimore në transaksione shkëmbimi për grurë, pajisje industriale dhe plehra, dhe janë bërë përpjekje tregtare me firma në Europën Perëndimore, në Japoni, në Afrikën e Veriut dhe në SHBA. Megjithatë, shqiptarët nuk kanë kërkuar kredi nga burime Perëndimore dhe nuk kanë dhënë ndonjë shenjë shprese për tregti përveç asaj në terma tregtarë komercialë.
  8. Shqiptarët nuk e kanë modifikuar aspak qëndrimin e tyre të armiqësisë së papajtueshme ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Botës së Lirë. Shqiptarët, sigurisht, shpesh e pasqyrojnë, e madje ndonjëherë e tejkalojnë, vijën e ashpër të kinezëve.
    Ata deklarojnë besnikëri të përjetshme ndaj kauzës revolucionare dhe përçmojnë akuzat se ata synojnë ose mund të detyrohen të “ushqehen në vathën e imperialistëve.”
    Ata e paraqesin konfliktin e tyre si të jetë vetëm me Hrushovin dhe klikën e tij, dhe premtojnë miqësi të vazhdueshme me Bashkimin Sovjetik dhe popullin sovjetik dhe mbështetje të vazhdueshme për “vijën socialiste” në të gjitha çështjet e politikës së jashtme.
  9. Megjithatë, regjimi ka shfaqur interes për të siguruar një themel më të gjerë për pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë. Përveç sinjaleve për marrëdhënie diplomatike me disa shtete Perëndimore, Tirana ka shprehur interes për marrëdhënie më të mira me fqinjët e saj, ka bërë gjeste konkrete për të zgjidhur disa mosmarrëveshje me Greqinë dhe ka planifikuar marrëdhënie më të ngushta ekonomike me Italinë. Sulmet ideologjike ndaj “revizionizmit” jugosllav vazhdojnë pa u ndalur, por ka sugjerime se Tirana do të ishte e gatshme për një përmirësim të marrëdhënieve ndërshtetërore me Jugosllavinë.

IV. Propozim për një politikë të SHBA-së, ndaj Shqipërisë, në rrethanat e tanishme

  1. Situata brenda Shqipërisë dhe ajo e lidhur me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe vendeve të bllokut dhe atyre jashtë bllokut, është ende e paqëndrueshme. Për rrjedhojë, ne duhet të ruajmë fleksibilitetin në qëndrim dhe lirinë e nevojshme të veprimit për t’iu përshtatur çdo ndryshimi të rëndësishëm që mund të ndodhë. Për më tepër, është e rëndësishme të shmangim veprimet që mund të jenë kundërproduktive nga këndvështrimi i interesit tonë themelor për dobësimin e lidhjeve që mbajnë së bashku kampin sovjeto-kinez. Në këtë fazë pra, SHBA-ja nuk duhet të ndërhyjë drejtpërdrejt në këtë mosmarrëveshje. Më saktësisht, duhet të mos ndërmarrim nisma që do të ishin një pozicionim i hapur në njërën anë të konfliktit, apo përpjekje për të përfituar menjëherë nga përplasja.
  2. Interesit tonë do t’i shërbehet më së miri nëse Shqipëria mbetet një pikë përplasjeje mes Moskës dhe Pekinit, dhe për këtë qëllim, është e rëndësishme që të mos ndërmarrim hapa apo që të inkurajojmë të tjerët të ndërmarrin hapa, që do të preknin lidhjet që ekzistojnë aktualisht midis shqiptarëve dhe kinezëve. Para së gjithash, kjo do të thotë që nuk duhet të përpiqemi t’i lehtësojmë Shqipërisë nevojën për t’u mbështetur në masë të madhe te Kina, për ndihmë ekonomike. Kjo nënkupton gjithashtu, se nuk duhet të kërkojmë të sjellim një ndryshim regjimi në Shqipëri, ose të nxisim regjimin ekzistues të ndryshojë ndjeshëm qëndrimet e tij aktuale.
  3. Megjithatë, në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që Shqipëria të mos detyrohet që të varet plotësisht nga kinezët. Siç u përmend në Seksionin III, më lart, ka shumë gjasa që kinezët do të jenë të gatshëm t’i japin Shqipërisë ndihmën e mjaftueshme për të përballuar presionet sovjetike, qoftë përmes dërgesave të drejtpërdrejta ose qoftë duke ofruar valutën e huaj të nevojshme.
    Megjithatë, është qartësisht e pranishme një shkallë rreziku, nëse mbështetja bazohet plotësisht mbi këtë mundësi. Është e mundshme, megjithëse në dukje pak e besueshme, që Pekini në një moment mund të jetë i gatshëm të sakrifikojë Hoxhën, ose të paktën të përpiqet të ushtrojë presion mbi të, që të tërhiqet, në funksion të një përpjekjeje për pajtim me Moskën.
    Vetë Hoxha ka çdo shenjë se do të ishte fort i prirë të mos bashkëpunonte duke shërbyer thjesht si një gur shahu në konfliktin sovjeto-kinez, dhe, siç u përmend më sipër, përplasja e tij me Hrushovin ka origjinë dhe aspekte të ndryshme nga ajo me kinezët. Prandaj do të dukej e dëshirueshme që të krijohen lidhje të reja të mjaftueshme midis Shqipërisë dhe Perëndimit, për të hapur perspektivën e një rruge të tretë për mbijetesë. Lidhje të tilla duhet të përfshijnë jo vetëm marrëdhënie të reja tregtare, sa të jetë e mundur nga ana e Shqipërisë, por edhe njohjen graduale dhe të zgjeruar diplomatike të Shqipërisë.
  4. Duhet gjithashtu të minimizojmë rreziqet nga fqinjët e Shqipërisë për prishjen e ekuilibrit delikat shqiptar. Athina, Roma dhe Beogradi ndiejnë se secili ka interesa të rëndësishme në Shqipëri. Deri tani, asnjëri nuk ka shfaqur tregues të ndonjë qëllimi për të shfrytëzuar situatën ekzistuese në dëm të Shqipërisë, por duke pasur parasysh një zhvillim që do të mund të krijonte një mundësi tërheqëse, njëri apo tjetri mund të tundohej për të ndërmarrë ndonjë nismë shqetësuese. Një mundësi më e realizueshme është që një nga tre shtetet, me apo pa arsye të forta, të alarmohet për qëllimet e njërit prej të tjerëve dhe të ndiejë se duhet të ndërmarrë veprime për të mbrojtur interesat e veta. Një qëndrim pasiv i SHBA-së ndaj Shqipërisë, në rrethanat e tanishme, mund të inkurajojë këto paqëndrueshmëri në politikat e fqinjëve të Shqipërisë dhe të nxisë zhvillime të një lloji që ne më së shumti dëshirojmë ta shmangim. Na duhen politika të cilat të sigurojnë një qëndrim të vazhdueshëm jo ndërhyrës nga ana e fqinjëve të Shqipërisë, dhe që në të njëjtën kohë, këto të sigurojnë që rruga e hapur për Tiranën, për arratisje, të mos përfundojë nën thundrën e njërit apo të tjetrit prej atyre fqinjëve.
  5. [Shënim, A. H. – nuk ekziston pika 5; kalohet gabimisht nga pika 4 te pika 6].
    Ne e shohim kursin tonë më të mirë, si një kurs që do të ofrojë siguri kundër emergjencave të sapopërmendura, por që nuk do ta lidhë SHBA-në në mënyrë të hapur dhe të drejtpërdrejtë, me regjimin aktual, ose me marrëdhëniet e regjimit si me Moskën ashtu edhe me Pekinin. Për këtë qëllim, SHBA-ja duhet:
    a. të pranojë në heshtje marrëdhëniet në zhvillim midis Shqipërisë dhe Kinës komuniste dhe në këtë fazë, t’ia lërë Pekinit barrën e mbështetjes së Shqipërisë;
    b. të vazhdojë të qëndrojë formalisht dhe publikisht e distancuar nga polemika shqiptare dhe zhvillimet normale që mund të pasojnë prej saj;
    c. të shmangë nismat që synojnë krijimin e marrëdhënieve diplomatike midis këtij vendi dhe Shqipërisë, dhe të përgjigjet me kujdes dhe rezervë ndaj çdo nisme shqiptare;
    d. të përmbahet për momentin, ndaj çdo intensifikimi në aktivitetet tona të propagandës të drejtuara kundrejt Shqipërisë, dhe nga çdo përpjekje e veçantë për të shfrytëzuar polemikën shqiptare në fushatat tona të propagandës në vende të tjera;
    e. të injorojë çdo rritje, ose rast të veçantë, të ashpërsisë shqiptare ndaj Shteteve të Bashkuara;
    f. të lejojë pa bujë shitblerjet tregtare shqiptare në këtë vend, me të njëjtat kushte dhe nën të njëjtat rrethana siç lejohen për satelitët e tjerë të Europës Lindore, me përjashtim të Polonisë;
    g. të favorizojë një zgjerim të tillë të tregtisë midis vendeve të NATO-s dhe Shqipërisë, për aq sa mund ta kërkojnë autoritetet shqiptare këtë, por në këtë fazë, në një mënyrë me baza rreptësisht tregtare (p.sh., asnjë kredi përtej kredive normale tregtare) ose si të mund të rregullohet nën marrëveshje të shëndosha shkëmbimi. Për këtë qëllim, për çështje tregtare që përfshijnë Shqipërinë, duhet të koordinohemi në Këshillin e NATO-s.
    h. Të favorizohet zgjerimi i marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe shteteve jokomuniste, por me një ritëm dhe nën kushte që nuk do të sugjeronin një plan të përbashkët Perëndimor, ose përpjekje për të joshur Shqipërinë. Për këtë qëllim, duhet të kërkojmë një politikë të koordinuar njohjeje, në Këshillin Këshillues të NATO-s (NATO Advisory Council).
    i. Të jemi të përgatitur të shqyrtojmë me urgjencë miratimin e masave që do të mundësonin marrjen nga shqiptarët, – përmes një pale të tretë, por jo drejtpërdrejt nga Shtetet e Bashkuara, – të furnizimeve të nevojshme për mbijetesë, në rast se rezulton se Pekini nuk do të kishte vullnet të ofronte mbështetje të mjaftueshme, dhe në rast se një krizë serioze kërcënon Shqipërinë.
    j. Të vazhdojnë konsultimet me qeverinë greke, italiane dhe jugosllave lidhur me situatën në Shqipëri, dhe gjatë këtyre konsultimeve të bëhet i qartë, shqetësimi me të cilin Shtetet e Bashkuara do ta shikonin çdo përpjekje, nga ana e cilitdo prej tyre, për braktisjen e një politike të distancuar ndaj Shqipërisë.

V. Rrugë të tjera të mundshme

  1. Në hartimin e politikës së mësipërme, shqyrtuam, dhe përkohësisht hodhëm poshtë, alternativa që do të përfshinin veprime më aktive të SHBA-së dhe aleatëve të saj, e që do të synonin arritjen e një orientimi Perëndimor të Shqipërisë. U shfaqën hapur, dy kurse të mundshme veprimi:
    (a) të nisim një varg iniciativash për të nxitur një tradhti “alla-Tito” (por jo pro-Tito), të regjimit aktual, nga radhë të organizuara komuniste;
    (b) të synojmë të krijojmë e të shfrytëzojmë kriza brenda Shqipërisë dhe në marrëdhëniet e saja me BRSS-në dhe Kinën komuniste, me synim vendosjen e një regjimi jokomunist në vend.
  2. Edhe pse realizimi i suksesshëm i secilit prej këtyre kurseve do të sillte përfitime të menjëhershme, arritëm në përfundimin se, në sfondin e konfliktit sovjeto-kinez, disavantazhet e arritjes së secilit nga këto kurse, në këtë pikë, i tejkalojnë dukshëm avantazhet.
    Nuk është aspak e sigurt nëse përpjekje të tilla do të kishin shanse reale suksesi, apo nëse nuk do të nxisnin një spirale ngjarjesh të cilat do të dilnin jashtë kontrollit tonë.
    Anash kësaj, angazhimi aktiv amerikan në çështjet dhe në marrëdhëniet shqiptare, deri në shkallën e nevojshme, do të rrezikonte t’u jepte njërës apo tjetrës palë kontestuese, motive për të rishikuar e për të ndryshuar politikat e rrugët, të cilat i hapën rrugën “inkursionit” tonë frontal.
    Çështja e “dhënies ndihmë dhe ngushëllim armikut (SHBA-së)” zë vend të rëndësishëm në akuzat sovjeto-kinezo-shqiptare. Kina komuniste mund të reagonte duke hequr dorë nga mbështetja për Tiranën, madje të bashkonte forcat me Sovjetikët për të ushtruar presion ndaj Shqipërisë. Në të dy rastet efekti do të ishte zbutja e efektit irritues që çështja shqiptare ka mbi marrëdhëniet sovjeto-kineze. Përtej kësaj mundësie, shqetësimi i madh aktual që ndihet brenda radhëve komuniste për pasojat fatale të përçarjes së zgjatur do të rritej e presioni i brendshëm për ngjeshje radhësh do të shtohej. Ka gjasa që BRSS-ja do t’i drejtohej veprimeve edhe më drastike kundër regjimit të Hoxhës, që nuk do t’i bënte në rast tjetër.
  3. Duhet theksuar në lidhje me këto alternativa të mundshme, se një politikë amerikane e “studiuar” e mbajtjes së duarve larg nga Shqipëria, në fazën aktuale, nuk e përjashton ndryshimin e këtij kursi, nëse rrethanat që qeverisin situatën ndryshojnë ndjeshëm. Nga ana tjetër, kjo na lë liri të plotë veprimi.
    Ndërkohë, do të na mundësonte të vëzhgonim zhvillimet dhe të siguronim inteligjencë shtesë, shumë të nevojshme, para se të ndërmerrnim një kurs që mund të rezultonte njëkohësisht i pamatur dhe i vështirë, si për t’u braktisur, si për t’u çuar përpara me sukses, deri në fund. Për më tepër, do të linim Komunistët Kinezë nën presion maksimal për të mbajtur përgjegjësinë për suksesin ose dështimin e rebelimit të Shqipërisë kundër Moskës, dhe në këtë mënyrë do të ndihmonim që çështja shqiptare të mbahej në temperaturë të nxehtë në marrëdhëniet sovjeto-kineze.

VI. Emergjenca të mundshme të ardhshme

Sa i përket çështjes së një ndryshimi të konsiderueshëm në situatën aktuale, ne parashikojmë mundësinë e njërës apo të një tjetre, prej disa emergjencave që mund të lindin, të cilat do të ndikonin në përshtatshmërinë e politikës që ne kemi propozuar. Besojmë se këto emergjenca duhet të shënohen këtu dhe, se duhet t’i jepet konsiderim paraprak, ndikimit të mundshëm dhe pasojave politike të secilës. Më të rëndësishmet nga këto emergjenca duket se janë:

  1. Kina komuniste braktis mbështetjen e Shqipërisë.
    Siç u vu re në diskutimin e mëparshëm, gjatë një periudhe të gjatë Shqipëria duhej të kishte ndihmë nga jashtë për të mbijetuar, ama nën kushtet më të rrepta. Nëse Pekini nuk vazhdon të marrë përsipër boshllëkun që rezulton nga bojkoti sovjetik, do të ishte vetëm çështje kohe përpara se regjimi i Hoxhës të përballej me një zgjedhje midis: (a) kapitullimit ndaj BRSS-së, (b) luftimit të vështirësive të brendshme gjithnjë në rritje, ose (c) kërkimit të mbështetjes dhe të ndihmës Perëndimore.
    Vendimi kryesor me të cilin ne do të përballeshim në këtë rrethanë, do të ishte, nëse të pranonim një rikthim të mundshëm të Shqipërisë nën sundimin sovjetik, ose të kërkonim në mënyrë aktive të ndikonim në rrjedhën e ngjarjeve për të arritur në një Shqipëri të pavarur.
    Tërheqja e mbështetjes kineze nga Shqipëria, do të kishte, pothuajse me siguri, efektin e uljes shumë të konsiderueshme, të rolit të Shqipërisë, si një burim fërkimi midis Moskës dhe Pekinit. A do të konsideronim në këtë rast, se arsyeja më bindëse që kishim për të ruajtur një politikë “mosndërhyrjeje” ishte zhdukur?
    Në rast të një vendimi për kërkimin e pavarësisë shqiptare, dy rrugë do të na shfaqeshin të hapura. Mund të provonim fatin, duke supozuar se ngjarjet mund të manipuloheshin në një mënyrë që do të rezultonte në vendosjen e një regjimi antikomunist, ose mund të përqendroheshim në hapjen e rrugës dhe në përpjekjen për të nxitur regjimin aktual, që të adoptonte një zgjidhje të ngjashme me atë të Titos. Në të dyja rastet, do të përballeshim me domosdoshmërinë e përfshirjes sonë të hapur në këtë çështje, pasi, vështirë se do të mund të mbështeteshim mbi masa indirekte ose të maskuara. Çfarë nismash mund, apo duhet të ndërmerrnim dhe cilat do të ishin pasojat e tyre të mundshme?
  2. BRSS ndërhyn në Shqipëri për të rrëzuar regjimin e Hoxhës.
    Ndërhyrja sovjetike mund të ndodhte përmes territorit ose hapësirës ajrore jugosllave dhe mund të ishte, ose në pajtim me autoritetet jugosllave, ose në kundërshtim të hapur me ta. Ndërhyrja sovjetike, në mënyrë të kuptueshme, mund të kryhej gjithashtu përmes inkursioneve detare.
    Mundësia e ndërhyrjes sovjetike paraqet në radhë të parë problemin e një vrojtimi të kujdesshëm të inteligjencës. Ajo gjithashtu ngre pyetjen (duke pasur parasysh çdo tregues të rëndësishëm se kjo po planifikohej), nëse ne duhet të ndërmerrnim hapa diplomacie parandaluese për ta penguar atë. Në këtë lidhje, do të na duhej të llogarisnim, nëse një përmbysje e dhunshme sovjetike e regjimit do të përkeqësonte ndjeshëm marrëdhëniet afatgjata midis Pekinit dhe Moskës.
    Ekziston gjithashtu edhe problemi tjetër, se çfarë mund të bënim, ose duhet të bënim, për të mposhtur ose për të rritur kostot politike dhe të tjera, të një ndërhyrjeje në rast se ajo do të ishte realisht duke u zhvilluar.
  3. Jugosllavisë i jepet dorë e lirë nga Moska për të likuiduar regjimin e Hoxhës dhe për të vendosur hegjemoninë mbi Shqipërinë.
    Kjo emergjencë do të shtrojë problemin se çfarë masash (nëse ka), do të duhet të merrnim për të parandaluar dhe/ose mposhtur përpjekjet jugosllave, dhe problemin se cili do të ishte qëndrimi ynë në lidhje me lëvizje të mundshme paralele nga ana e Greqisë dhe e Italisë. Një konsideratë kryesore që do të duhej të mbahej parasysh, do të ishte, nëse ky zhvillim do t’i ndikonte apo jo, në mënyrë vendimtare, marrëdhëniet midis Moskës dhe Pekinit.
  4. Regjimi i Hoxhës kërkon me iniciativën e vet dhe pa inkurajim Perëndimor, të shpëtojë nga varësia ndaj Kinës dhe nga ajo e BRSS-së dhe të vendosë një marrëdhënie të ngjashme me atë të Titos me Perëndimin.
    Historia shqiptare pas Luftës tregon një përpjekje të vazhdueshme për të siguruar lidhje më të lirshme që shoqërojnë ndihmën e jashtme, e cila, i duhet asaj, për të ruajtur qëndrueshmërinë. Kontrolli i ngushtë i vendosur nga Jugosllavia në fund të Luftës, u shkëmbye, nga sa duket, me dëshirë, me kontrollin më të largët të BRSS-së. Më pas, lidhjet sovjetike u shmangën në favor të lidhjeve akoma më të largëta, me komunistët kinezë. Ka mundësi që regjimi, pavarësisht armiqësisë së tij të poteremadhe ndaj botës kapitaliste, të shkojë më tej, dhe të përpiqet të zëvendësojë lidhje akoma më pak të kushtueshme me Perëndimin, në vend të atyre që ekzistojnë tani me Kinën Komuniste.
    Cili duhet të jetë qëndrimi i SHBA-së nëse Tirana do të ndërmerrte një sërë nismash që do të synonin një ndryshim të plotë në marrëdhëniet e saj me vendet Perëndimore? A duhet të rezistojmë dhe të inkurajojmë të tjerët të rezistojnë ndaj këtyre nismave?
    A duhet t’i bëjmë, dhe të përpiqemi të nxisim të tjerët, që të japin përgjigje që do të synonin detyrimin e ndryshimeve në qëndrimet dhe praktikat e regjimit? Cili do të ishte ndikimi i një zgjidhjeje të tipit Titoiste, të filluar nga Hoxha, mbi marrëdhëniet sovjeto-kineze?
  5. Fqinjët e Shqipërisë, së bashku, ose në përgjigje të veprimeve të njëri-tjetrit, përpiqen të kryejnë copëtimin e Shqipërisë.
    A duhet të përpiqemi të mposhtim përpjekjen për ndarje dhe të ruajmë integritetin territorial të Shqipërisë? Përmes veprimit të njëanshëm? Përmes një veprimi të njëanshëm? Në bashkëpunim me fuqitë e tjera të mëdha, përfshirë ndoshta edhe BRSS-në?
    Cilat do të ishin gjasat që BRSS-ja të reagonte ndaj një përpjekjeje për copëtimin e Shqipërinë duke ndërhyrë me forcë ushtarake, përmes territorit jugosllav? Çfarë do të mund ose do të duhet të bënim në këto rrethana?

Orientimi amerikan për politikat ndaj Shqipërisë, i dërgohet NATO-s

Konfidenciale, Departamenti i Shtetit.
Dt.: 20.2.1962, NO. TOPOL A-226.
Nga: Sekretari i Shtetit
Për: USRO PARIS
REF: TOPOL 1004, Jan. 15; POLTO A-808, Jan. 18; POLTO CIRC A-136, Jan. 25; POLTO CIRC A-146, Feb. 2.

Duke marrë parasysh interesin e politikës, mbi zhvillimet shqiptare që përfshijnë dallimet e Shqipërisë, me pjesën tjetër të bllokut komunist në Europë, Departamenti ka përgatitur kohët e fundit një studim planifikimi, të titulluar: “Vendime të menjëhershme të politikës së SHBA-së në lidhje me Shqipërinë.”
Për informacionin tuaj [FYI].
Dokumenti është shpërndarë tek anëtarët e Grupit të Përhershëm të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe ata ranë dakord, në një mbledhje të kryer më 26 janar, për rekomandimet e tij. Departamenti më pas ia paraqiti pikat kryesore Presidentit [John F. Kenedi]. Këto pika kryesore janë përfshirë në dokument dhe tani shërbejnë si udhëzues për ne, në trajtimin e problemeve të politikës, të dala nga situata aktuale e Shqipërisë, në dallimet e saj me sovjetikët, dhe si një pikë qendrore në mosmarrëveshjen sovjeto-kineze.
Fund i informacionit për Ju [END FYI].
Të gjitha këto pika, që janë të përshtatshme për përdorim në diskutimet e NATO-s, përfshihen në deklaratën bashkëngjitur. Për shkak të interesit të NATO-s për këtë çështje, siç tregohet nga diskutimet e fundit mbi Shqipërinë, të raportuara në komunikime me referencë, Departamenti beson se do të ishte e frytshme të bëhej një diskutim i kësaj çështjeje, në mbledhjen e Këshilltarëve Politikë, bazuar te pikëpamjet tona aktuale. Në këtë kuadër, ne do të dëshironim të theksonim, se kjo deklaratë, përfaqëson një formulim më të gjerë të politikës sonë, se sa ajo që u përcoll në mbledhjen e POLAD-it më 16 janar (POLTO A-808). Qëllimi i diskutimit duhet të jetë përpjekja për të koordinuar politikat e menjëhershme të anëtarëve të NATO-s në lidhje me Shqipërinë, veçanërisht në lidhje me pikën 2 dhe 3 të deklaratës, të cilat kanë të bëjnë me masat tregtare dhe kufizimet e marrëdhënieve diplomatike me shtetet jo të Bllokut. Ne besojmë se diskutimi do të ishte më i frytshëm nëse deklarata do të shpërndahej te vendet anëtare, duke u dhënë kohën e mjaftueshme për t’ua transmetuar qeverive të tyre dhe për të marrë pranimet e këtyre të fundit.
Firmosur: David D. Rusk [Sekretari i Shtetit].
Shtojcë: “Deklaratë politike mbi situatën e tanishme shqiptare”.

Bashkëlidhja: “Deklaratë politike mbi situatën aktuale shqiptare”

SHBA-ja konsideron se kursi më i mirë për t’u ndjekur në lidhje me situatën aktuale të Shqipërisë është:
a. të pranojë në heshtje zhvillimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kinës komuniste dhe në këtë fazë t’i lërë Pekinit barrën e mbështetjes së Shqipërisë;
b. të vazhdojë të qëndrojë formalisht dhe publikisht e distancuar nga zhvillimet shqiptare, kontroverse e normale, që mund të dalin prej aty;
c. të shmangë nismat që synojnë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis këtij vendi [SHBA-së] dhe Shqipërisë, dhe të përgjigjet me kujdes dhe me rezerva ndaj çdo nisme shqiptare;
d. për momentin, të përmbahet nga çdo shtim i veprimtarive tona të propagandës, të drejtuara ndaj Shqipërisë dhe nga çdo përpjekje e veçantë, për shfrytëzimin e polemikës shqiptare në fushatat tona të propagandës në vende të tjera;
e. të injorojë çdo rritje, ose rast të veçantë, të ashpërsisë shqiptare ndaj Shteteve të Bashkuara;
f. të lejojë pa bujë blerjet dhe shitjet tregtare shqiptare në këtë vend [SHBA] me të njëjtat kushte dhe nën të njëjtat rrethana, siç lejohen vendet e tjera satelite të Europës Lindore, me përjashtim të Polonisë;
g. të favorizojë një zgjerim të tillë të tregtisë paqësore, midis vendeve të NATO-s dhe Shqipërisë, ashtu si ta kërkojnë autoritetet shqiptare, por në këtë fazë vetëm mbi një bazë rreptësisht tregtare (d.m.th., pa kredi përtej kredive tregtare) ose siç mund të rregullohet përmes marrëveshjesh të shëndosha shkëmbimi;
h. të favorizojë zgjerimin e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe shteteve jokomuniste, por me një ritëm dhe nën kushte që nuk do të sugjeronin një plan ose përpjekje të përbashkët Perëndimore për të joshur Shqipërinë.

Mbyllje
Kjo analizë dhe qasje politike amerikane ndaj Shqipërisë meriton një analizë të hollësishme nga ana jonë, me qëllim që të zbardhet rëndësia strategjike që ka Shqipëria. Nëse dje marrja e bazës së Pashalimanit nga ish-BRSS dhe Traktati i Varshavës, përbënte një kërcënim serioz për NATO-n, duhet të mos harrojmë se edhe sot, Kina, Rusia dhe SHBA-ja vijojnë të kenë interesa strategjike në Ballkan dhe e shkuara, ndihmon për të kuptuar të tashmen, e për të krijuar të ardhmen. Vlera strategjike e Shqipërisë, bazuar te pozicioni gjeografik dhe te potenciali si fuqi gjeopolitike e karakterit detar, nuk është për një ditë e dy, por është e përjetshme. Kjo gjë duhet kuptuar gjeopolitikisht, duhet studiuar e duhet vënë në themel të politikave strategjike kombëtare.

Latest articles

Related articles