Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, është shtruar në Spitalin Rajonal të Durrësit pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që urdhëroi rikthimin e tij në qeli për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit prej 2 vjet e 8 muaj për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Dako ka shfaqur probleme shëndetësore, konkretisht aritmi, pasi është informuar për vendimin e gjykatës. Ai u gjet në banesën e tij nga autoritetet në momentin kur trupa gjykuese firmosi vendimin për rikthimin në burg.
“Dako është nën kujdesin e mjekëve dhe i ruajtur nga policia”, raportoi Lala.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke dënuar Dakon për shpërdorim detyre në dy raste: dhënia e një leje ndërtimi për një pallat shumëkatësh në mënyrë të paligjshme dhe keqpërdorimi i fondeve publike për ndërtimin e një shëtitoreje në zonën bregdetare të qytetit.
Sa kohë do të qëndrojë në burg?
Megjithëse dënimi është 2 vjet e 8 muaj, nga llogaritjet e prokurorisë rezulton se Dakos i kanë mbetur vetëm rreth 11 ditëpër të vuajtur në qeli. Kjo, për shkak se pjesa tjetër e dënimit është shlyer përmes paraburgimit dhe masës “arrest shtëpie”, të cilat përllogariten sipas formulës ligjore (1 ditë paraburgim = 1.5 ditë burg).