Historia e 15-vjeçarit nga Tirana që vrau veten në Sarandë, pasi kishte postuar në rrjetet sociale materiale të dhunshme dhe me përmbajtje satanike, për pastorin Akil Pano është një kambanë alarmi për shoqërinë shqiptare. Në studion e Dita Jonë në A2 CNN, ai ngriti shqetësimin për ekzistencën e grupeve satanike të mirëorganizuara në vendin tonë, ku i ka bërë thirrje edhe Ministrit të Brendshëm e Drejtorit të Policisë që të hetojnë.
“Kjo histori përbën kambanë alarmi për shoqërinë shqiptare ka qenë në mënyrë të përsëritur vetëvrasja. Ka shenja që njerëzit e zakonshëm nuk i dallojnë dot, prandaj unë i bëj thirrje Ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Policisë që kur kemi raste të një vetëvrasjeje që lë hije dyshimi të një adoleshenti që nuk kishte arsye për të shkuar drejt vetëvrasjes si depresion, ankth, bullizim atëherë janë disa pista që duhet të hetohen dhe brenda këtyre është edhe bota okulte, mesazhet satanike e magjitë dhe a janë grupet sektare satanike që ushtrojnë veprimtarinë në Shqipëri. Absolutisht që ka, nuk dua të jap një shifër se nuk dua të tremb publikun, por ka mjaft grupe satanike të organziuara. Këto grupe janë pjesë e një komuniteti të mbyllur jo të hapura për publikun”, tha Pano.
Sipas tij në këto raste policia nuk duhet të nxitohet për ta raportuar si vetëvrasje por të hetojë dhe hulumtojë.
I pyetur sesi bie pre e këtyre grupeve një adoleshent e këtyre grupeve satanike, pastori Pano u përgjigj: “E para është kurioziteti për atë që është përtej dimensionit të jetës, që shitet te këta fëmijë si një botë e pastër dhe e mirë që e pajis fëmijën me disa elementë që shkolla nuk ia jep. Fama, klikimet, pushteti historitë e yjeve të shoubizit”.
Ai u bëri apel prindërve që të jenë më të vëmendshëm me fëmijët.
“Ne duhet të jemi të vëmendshëm si prindër se ku e kalojnë kohën e tyre në telefon. Nëse fëmija është tejet protektiv dhe reagon me agresivitete kur prindi kërkon t’i marrë telefonin, duhet të hyjë në botën e tij”.
Pano bëri të ditur gjithashtu se në botë zhduken 22 mijë fëmijë në ditë ndërkohë që aktualisht janë 8 milionë fëmijë të zhdukur pa gjurmë.
“Në botë janë 8 milionë fëmijë të zhdukur. Trump para një muaji tha se janë 300 mijë fëmijë të zhdukur nga komuniteti i emigrantëve që kanë hyrë në SHBA vitet e fundit dhe janë zhdukur, rrëmbyer pa gjurmë, nga të cilët SHBA ka gjetur vetëm 10 mijë. Janë 22 mijë fëmijë në ditë që zhduken sot në botë. Janë shifra tragjike”.