Si humbi George Soros 1 miliard dollarë për shkak të Donald Trump

spot_img
Advertisements


Miliarderi dhe filantropi u pasurua nëpërmjet “hedge funds” dhe përjetoi epokën e artë të spekulimit financiar. Por saktësia e parashikimeve të tij u zbeh nga fakti që ai nisi të vinte bast gjithnjë e më shumë bazuar mbi bindjet e veta politike. Ky është konkluzioni i episodit të parë të një fejtoni të gjatë, me pesë pjesë, që e përditshmja franceze Le Figaro i ka kushtuar George Soros-it. “Ai u pasurua falë financës spekulative, por gaboi në parashikimin e pasojave ekonomike të zgjedhjes së Donald Trump”, thotë Paul Sugy, në shkrimin e mëposhtëm. Ndërsa ekonomisti me famë, Paul Krugman, thekson: “Sot, investitorët shkaktojnë kriza vetëm për kënaqësinë apo oreksin e tyre për fitim. Këta aktorë të rinj financiarë ende nuk kanë emër, por unë propozoj të marrin atë të : Sorosianit.” Lapsi.al po e sjell të plotë këtë shkrim të publikuar këtë të hënë nga e përditshmja franceze…

Të thuash se George Soros u bë miliarder për një ditë të vetme është ekzagjerim… iu deshën vetëm disa orë. Historia ekonomike botërore e mban mend atë ditë (ishte një e mërkurë) si E mërkura e Zezë e Bankës së Anglisë, banka qendrore e Mbretërisë së Bashkuar. Më 16 shtator 1992, sterlina kishte humbur 15% të vlerës së saj që në mëngjes. Dhe asetet e mbajtura nga Quantum Fund, i komanduar nga tashmë shumë i pasuri George Soros, kishin fituar 1,1 miliardë dollarë vlerë shtesë.

Në moshën 62-vjeçare, ky emigrant hungarez, që kishte mësuar ekonominë në Londër duke financuar studimet me punë të përkohshme, sapo kishte fituar një nga bastet më të mëdha në historinë financiare, duke sfiduar falimentimin e një monedhe kombëtare. Që nga fundi i viteve 1950, Soros ishte vendosur në Shtetet e Bashkuara ku, nga një pozicion modest në ëall Street, arriti të fitonte “jackpot”-in dhe të shkruante emrin e tij me shkronja të arta në manualet e financës – duke u bërë, për shtypin ndërkombëtar, “Njeriu që theu Bankën e Anglisë”.

Suksesi i tij financiar i solli atij të paktën aq respekt, sa edhe frikë nga disa shtete. Por përmes këtij suksesi të madh, George Soros vërtetoi gjithashtu teorinë e tij të “refleksivitetit” të tregjeve, të cilën e shpjegon në librin e tij të parë The Alchemy of Finance (1987). Sipas Soros, tregjet janë “refleksive”, sepse perceptimet e çdo aktori ndikojnë drejtpërdrejt në realitetin ekonomik, duke modifikuar kalimthi perceptimet e tjera dhe duke krijuar cikle reagimesh që mund të prishin në mënyrë të qëndrueshme ekuilibrat.

Rasti i Bankës së Anglisë ishte një laborator gjigant për të vërtetuar këtë ide. Duke qenë se ishte më e brishtë krahasuar me markën gjermane, Banka e Anglisë nuk arriti të ndalonte shitjet masive të sterlinës, të cilat u bazuan gjerësisht mbi mospërputhjen midis vlerës nominale të saj dhe situatës reale ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar. Kjo ishte ajo për të cilën Soros, që kishte pasur intuitën e nevojshme për ta kuptuar këtë vendosi të vinte bast.

Soros arriti të tërheqë fonde nga bankat amerikane (JP Morgan, Bank of America), duke blerë sterlina në kredi për 15 miliardë dollarë, më pas duke i shitur menjëherë me shpresën për të shkaktuar një zhvlerësim të monedhës, dhe për t’i riblerë ato më lirë, duke përfituar diferencën e vlerës së krijuar nga zhvlerësimi. Banka e Anglisë nuk pa tjetër zgjidhje veçse të dorëzohej. Në orën 19:00, kancelari i Thesarit britanik ( ministri i financave, Norman Lamont) njoftoi rritjen e përkohshme të normave të interesit dhe daljen e sterlinës nga mekanizmi monetar evropian. Kriza u përhap dhe bankat qendrore evropiane filluan të zhvlerësonin monedhat e tyre. George Soros, ishte bërë miliarder.

Një fitore e tillë, megjithatë, krijoi një lloj miti rreth tij. Në vitet në vijim, Soros u bë një figurë e urryer nga qeveritë që e shihnin si spekulator që shkatërronte monedhat kombëtare, dhe i adhuruar nga ata që e shihnin si njeri me vizion të jashtëzakonshëm. Ai vetë nuk e mohoi kurrë se financat dhe politika ishin të ndërthurura në veprimtarinë e tij.

Soros investoi përmes fondeve të tij spekulative (“hedge funds”), që kishin baza në Ishujt Kajman, në Bahamas dhe në Qipro, duke kaluar shuma të mëdha kapitalesh për të blerë ose shitur në tregjet ndërkombëtare. Ai u bë simbol i “kapitalizmit global”, jo vetëm për mënyrën si fitonte, por edhe për idenë se kapitali duhej të lëvizte lirshëm.

Por, nëse bastet e tij mbi monedhat ishin pothuaj gjithmonë fituese, nuk ndodhi e njëjta gjë kur ai vendosi të vinte bast mbi bindjet e tij politike. Gjatë viteve ’90, Soros ishte bërë i famshëm për “spekulimin e pastër”, bazuar në vlerësimin e tij për lëvizjet e tregut. Por në dekadat e fundit, ai u përqendrua më shumë te “spekulimi mbi bindje” – vendosja e basteve financiare të lidhura ngushtë me pikëpamjet e tij mbi politikën dhe shoqërinë. Ai nuk kërkonte më vetëm fitim, por edhe konfirmim ideologjik.

Në vitin 2004, ai shpenzoi rreth 27 milionë dollarë për të mbështetur fushatën e John Kerry kundër George ë. Bush. Ai u përfshi në kauza të mëdha ndërkombëtare përmes “Open Society Foundations”, duke financuar projekte për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe shtetin ligjor. Në këtë mënyrë, financat dhe filantropia u ndërthurën gjithnjë e më shumë.

Në vitin 2016, gjatë fushatës presidenciale amerikane, Soros qe rreshtuar si një kundërshtar i hapur i Donald Trump. Ai mendonte se zgjedhja e Trump do të shkaktonte një krizë të thellë në ekonominë amerikane.

Por me Trump, situata ishte ndryshe. Soros besonte se politikat e tij izoluese, konfliktet tregtare dhe tendencat autoritare do të shkaktonin reagime të menjëhershme negative në ekonomi. Kjo bindje e çoi atë në një nga bastet më të mëdha të jetës së tij – dhe një nga më të kushtueshmit. Pas natës zgjedhore, ai urdhëroi shitjen masive të aksioneve dhe investimeve të rrezikshme, duke parashikuar një rënie të madhe të bursave. Por ndodhi e kundërta: tregjet shënuan rritje të fortë.

Duke bashkuar spekulimin me bindjen, Soros vuri bast në vitin 2016 për dështimin e Trump, duke investuar masivisht mbi rënien e aksioneve amerikane pas zgjedhjes së tij. Sipas ëall Street Journal, kjo ide e shkatërrimtare i kushtoi atij pothuajse 1 miliard dollarë humbje. Jo vetëm që tregjet amerikane nuk ranë pas ardhjes në pushtet të armikut të tij në presidencë, por madje u përforcuan: rëniet në sektorët e kërcënuar nga proteksionizmi (industria apo automobilët) u kompensuan shpejt nga pritshmëritë për një politikë deregullimi dhe mbështetjeje të rritjes ekonomike, dhe indeksi Doë Jones u rrit që të nesërmen e zgjedhjeve. I mposhtur politikisht, Soros sapo kishte dështuar edhe ekonomikisht.

Si të shpjegohet kjo kthesë e papritur? Në moshën 86-vjeçare, a nuk e pa George Soros se rregullat e lojës kishin ndryshuar? Apo thjesht ati i qëlloi fati të gjendej përballë një mjeshtri, Donald Trumpit, një biznesmeni edhe më të paparashikueshëm sesa tregjet, i cili, për shkak të obsesionit të tij me performativitetin e fjalës politike, vendosi ta rivendoste fuqinë kombëtare në qendër të ekuacionit ekonomik, duke rimarrë kontrollin që prej kohësh i ishte lënë spekulatorëve dhe tregjeve?

Mbetet një hipotezë e tjetër: që, në fund të fundit dhe që nga fillimi, e gjithë kjo të mos ketë qenë gjë tjetër veçse një lojë me zare, paksa e sofistikuar. Tridhjetë vjet më parë, në një intervistë për Le Monde, Soros refuzonte të parashikonte të ardhmen e dollarit: “Nuk flas kurrë për të, dhe zakonisht preferoj të mendoj se sillem kështu, pasi fjala ime do të kishte një ndikim tepër të madh mbi tregjet. Por e vërteta e thjeshtë vështë se nuk e di fare se cfarë do të ndodhë!”.

Përktheu nga Le Figaro T. Çela

Latest articles

Related articles