Fitim Zekthi
Pas ardhjes në pushtet në vitin 2013 pushteti i kryeministrit Rama dhe i qeverisë së tij ka ardhur duke u rritur vazhdimisht. Zgjedhjet e fundit të mbajtura rreth një muaj e gjysmë më parë i dhanë një shumicë parlamentare prej 83 mandatesh që është në zgrip të një shumice të cilësuar prej 84 mandatesh, shumicë e cila do t’i mundësonte lehtësisht të miratonte çfarëdolloj ligji që të dëshironte. Praktikisht ai e ka këtë shumicë prej 84 mandatesh sepse tre mandate, siç dihet, janë fituar nga Partia Socialdemokrate e Tom Doshit që është në aleancë me të.
Tani vendi përballet me pushtetin e rritur të kryeministrit Rama për shkak të rezultatit të zgjedhjeve por edhe me rrezikun që ky pushtet të vijë e të bëhet gjithnjë e më i madh, më i rrezikshëm dhe më i pakontrollueshëm. Kësaj situate po t’i shtosh edhe faktin që opozita, jo thjesht në numra, është jashtëzakonisht e dobët për shkak të humbjes totale të qëllimit politik, të orientimit politik dhe vetëdijes politike atëherë rreziqet janë shumë më të mëdha.
Bernard de Juvenel, që ka studiuar gjerësisht natyrën e pushteteit dhe të rreziqeve të mëdha që mund të vijnë prej tij thotë se pushteti është një forcë që përpiqet të rritet vazhdimisht, ka logjikën e zgjerimit dhe të centralizmit, shkatërron trupat e ndërmjetëm dhe liritë pavarësisht se ai gjithnjë thotë se po vepron në emër të njerëzve dhe të së drejtës.
Pushteti gjithnjë merr funksione, i shton ato, rrit kompetencat. Rritja dhe zgjerimi i pushtetit bëhet në emër dhe për “idealet e larta”. Pushteti thotë De Jevenel e sheh çdo kufizim ndaj tij si një sfidë që i bëhet atij dhe çdo pengesë ndaj tij e sheh si diçka të cilën duhet ta tejkalojë.
Ne jemi në një pikë shumë të rrezikshme. Prej vitesh pushteti i qeverisjes socialiste vjen duke u zgjeruar. Ai e ka bërë të qartë që në krye të herës tendencën e tij. Në vjeshtën e vitit 2013 qeveria e kryeministrit Rama pas disa vendimesh që po ndesheshin me kundërshtimin e Gjykatës Kushtetuese tha ata “mendonin se kishin të drejtë të ndryshonin edhe kushtetutën me vendime qeverie siç ishin aktet normative.” Sigurisht atëbotë por edhe më pas qeveria ka kufizuar dhe ka marrë pushtet nga pushteti vendor, nga trupat e ndërmjetësimit siç janë media, universiteti, ndoshta edhe nga xhamia dhe kisha (kjo është diçka më e komplikuar gjithsesi),nga familja, nga ato pak forma apo organmizma të shoqësrisë civile, nga organizimet studentore etj.
Kryeministri Rama do të përdorë padyshim “idealet” e larta për të zgjeruar pushtetin e tij. Ai do ta justifikojë rritjen e fuqisë dhe kompetencave me anë të integrimit Europian dhe të ndërtimit të një Shqipërie anëtare e BE-së. Gjithnjë ai ka patur një “ideal” të lartë që nga viti 2013. Një herë ka qenë “ne bëjmë shtet” një herë ka qenë “ ne transformojmë Shqipërinë” etj. Tani është ne e “integrojmë në BE”. Çdo herë ku pushteti rritet (ai nuk nbalet së luftuari që të rritet), ai dobëson parlamentin. De Juvenel i cili ka marrë në analizë disa prej formave më të rënda të rritjes dhe zgjerimit të pushtetit thotë se parlamenti, legjislativi si një trupë që kontrollon qeverinë, që kufizon dhe balancon pushtetin e qeverisë e humbet forcën, dobësohet, bie nën kontroll të qeverisë.
Në Shqipëri gjithmonë në këto 35 vite parlamenti nuk ka qenë një organ i fortë që të kontrollojë qeverinë por gjithsesi në mjaft raste ai ka patur një lloj hapësire ose force balancuese (sidomos para vitit 2008). Në vitet e qeverisjes së kryeministrit Rama parlamenti ka ardhur gjithnjë duke u bërë shumë më i dobët.
Tani që kryeminstri Rama ka thuajse 84 mandate parlamenti do të jetë edhe më i dobët dhe gati i asfiksuar.
Pak ditë më parë qeveria e Partisë Socialiste dhe kryeministri Rama dhanë një shfaqje të tmerrshme për atë që pritet të jetë “pushteti”, për atë që pritet të jetë lufta për zgjerim dhe të pushtetit. Kryeministri Rama kërkoi që ai dhe disa deputetë me përvojë të mbajnë leksione, të mësojnë deputetët e rinj. Ata duhet të mësojnë mbi çfarë është parlamenti, çfarë është integrimi në BE, çfarë janë Aquis Communautaire, cila është procedura parlamentare etj. Grupi parlamentar i PS-së do të ketë rreth 50 deputetë të rinj nga 83 gjithsej.
Depuetët, parlamenti janë përfaqësues të popullit, janë zgjedhur nga populli në mënyrë që të ndërtojnë një qeveri që mbron interesin e popullit. Deputetët e kontrollojnë këtë qeveri, deputetët e shkarkojnë këtë qeveri, deputetët bëjnë ligje për të rregulluar jetën e njerëzve dhe mbrojtur liritë e tyre dhe e kontrollojnë qeverinë se si po i zbaton këto ligje. Deputetët nuk mund të merren në klasa apo salla dhe të dëgjojnë mësimet nga kryeministri apo nga deputetë që i cakton kryeministri. Kryeministri nuk mund t’u mbajë depuetëve leksion apo t’u japë mësim se si duhet ushtruar detyra e deputetit. Deputeti mund t’i kërkojë llogari kryeministrit se si ai po e ushtron detyrën.
Është e qartë se qeveria dhe parlamenti janë një organ, janë një pushtet vetëm në një dorë. Është se natyra e pushtetit që kërkon të rritet, të uzurpojë kompetenca, të kufizojë liri, të shohë çdo pengesë si diçka që duhet tejkaluar. Është e qartë se kjo natyrë e pushtetit do të shkelë liri dhe të drejta, është e qartë se mediat dhe organet e tjera të ndërmjetësimit do të bien edhe më shumë në dorë të këtij pushteti. Është e qartë se demokracia jonë do të bëhet gjithnjë edhe më hibride, autoritarizmi do të bëhet edhe më i fortë. Jemi përballë një kombinimi shumë të rrezikshëm. Kombinohet natyra e pushtetit, natyra e mendjes totalitare të qeversië, rezultati shumë i thellë në zgjedhje dhe rrënimi moral dhe politik i opozitës. Kombinim më fatkeq nuk ka.