nga Reldar Dedaj
Mënyra se si pjesa më e madhe e analistëve shqiptarë po i qaset Partisë Demokratike, forcës më të madhe opozitare në vend, tregon një akt aq jomoral, sa me të drejtë mund të refuzohet të merret pjesë në gjithë këtë çështje, edhe si kundërshtar. Pjesa më e madhe e tyre kanë përfunduar në lakej të zgjebosur, që u vardisen bizneseve, partisë në pushtet dhe përpiqen ditë e natë të promovojnë pronarët e tyre, interesat e tyre politike dhe ekonomike. Analistët e këtyre mediave janë shndërruar në kallauzë që dinë gjithçka dhe nuk dinë asgjë. Vrasin pa mëshirë lirinë e mendimit, profesionalizmin dhe dijen. Dhe qytetarinë. Promovojnë mediokritet, kurrë pa ia ndalur. Dhe erozion moral. E thamë të gjitha? Jo!
Përtej kullave, fasadave, shëtitoreve, porteve të jahteve dhe aeroporteve, qeverisja Rama nuk ka shënuar ndonjë ndryshim themelor strukturor në shoqërinë, politikën, shtetin dhe ekonominë shqiptare. Ai vazhdon të drejtojë një forcë politike krejtësisht të bunkerizuar dhe pa demokraci të brendshme. Administrata publike vazhdon të vuajë nga nivelet më të larta historike të korrupsionit, inefikasitetit dhe rrëmujës. Ekonomia vazhdon të lëngojë dhe, si për të mos mjaftuar, është e kapur nga monopolet dhe oligopolet; industria shqiptare mbetet thjesht një referencë në procesverbale të ndryshme qeveritare, ndërsa bujqësia ka mbetur thjesht një sektor i rrënuar. Shqipëria vazhdon të ketë nivelet më të larta të varfërisë në rajon dhe shqiptarët vazhdojnë të largohen në masë nga vendi.
Qeveria jonë, edhe pse shfaqet në pjesën më të madhe të saj e prapambetur, e padijshme, e korruptuar dhe e çoroditur, analistët shqiptarë kurrë nuk e shohin. Për ta komentuar as që bëhet fjalë. Njëlloj sillen edhe kur ka prodhuar prej dymbëdhjetë vitesh institucione të brishta, edhe atëherë kur ka ricikluar korrupsionin dhe sa herë është lidhur me krimin e organizuar. Gjithmonë. Nuk ka as ndonjë ndryshim mes brezave: shkollën e kleptomanisë, të gënjeshtrës dhe të mashtrimit, në këtë parti politike të rinjtë e mësojnë shumë shpejt. Dhe bëhen kampionë të sjelljes amorale. Analistët e medias shqiptare as këtë nuk e kanë parë. As nuk do ta shohin ndonjëherë.
Ata i shqetëson vetëm një fakt: rikthimi i Berishës. Pjesa më e madhe e tyre e shpjegojnë fitoren madhështore të Edi Ramës me rikthimin e tij në krye të PD-së. Ata harrojnë – gjithmonë harrojnë – se cilido lider, edhe ai i formuar me shkop magjik, do ta kishte krejtësisht të pamundur të merrte statusin e kundërshtarit të mazhorancës socialiste, e jo më të përballej me të. Në kohën kur Sali Berisha mori Partinë Demokratike, pas një skizme dhe fragmentarizimi të brendshëm dhe të jashtëm, e futur e gjitha në një bunker izolimi ndërkombëtar, me një grusht njerëzish fanatikë të tij, nën sulmin e egër të mazhorancës socialiste dhe veglave të saj mediatike, sulmohej dhe goditej vençe, pa pushim nga dita në ditë. Askush nuk e mendoi se PD do të ishte ajo parti që është sot, e për më tepër, askush nuk po e sheh bashkimin me hapje, hapjen me përtritje, përtritjen me evidentim dhe afrim të politikanëve të pakonsumuar që rrezatojnë dije, etikë dhe integritet në publik – të gjitha këto janë dëshmuar në historinë e saj të kaluar dhe s’kanë pse të mos dëshmohen në të ardhmen si mjete të fitores.
Pavarësisht fotografisë që u shfaqet përballë, kallauzët e medias në Shqipëri mundohen, sa herë u jepet mundësia, t’i fusin edhe ata ujë rakisë, siç thotë populli, duke bërë çmos, kudo ku munden, pa dalë hapur, të legjitimojnë një qeverisje krejt anormale, e cila, duke qenë e tillë, e ka bërë krejtësisht të pajetueshme jetën në vend. Tirana, vula e suksesit për mazhorancën socialiste, ka shkatërruar komplet Shqipërinë. E ka shpopulluar atë, duke mbledhur pjesën më të madhe të popullsisë rreth Lanës. Duke i detyruar shqiptarët t’u ikin vlerave të punës. Tirana ka shkatërruar ekonominë kombëtare, pasi po mbledh çdo ditë qytetarë që s’kanë asnjë rendiment pune.
Sistemi ekonomik që ka ngritur Edi Rama në Shqipëri jo vetëm që ka shkatërruar prodhimin vendas, duke favorizuar vetëm tregtinë dhe shërbimet, por ka shkuar shumë më larg se kaq: ka diferencuar veriun me jugun. Vetëm autori i këtij shkrimi, për të shkuar në Mirditë, tek shtëpia e prindërve të tij, duhet të paguajë një taksë prej 500 lekësh (vajtje-ardhje), ndërsa po i njëjti person, i ka rënë kryq e tërthor jugut të vendit dhe s’ka hasur në asnjë taksë, edhe pse ajo pjesë e Shqipërisë është jo vetëm më e pasura, por mbart edhe një numër më të lartë popullsie.
Pra, nuk kemi vetëm një qeveri të korruptuar, klienteliste dhe kundër interesave ekonomike të qytetarit, por duke qenë e tillë, është edhe provinciale, edhe anadollake dhe për rrjedhojë, edhe shumë sipërfaqësore. Analistët e medias shqiptare këtë nuk e shohin dhe as nuk do ta shohin ndonjëherë. Sigurisht, fitoren e të majtës nuk e sollën Troplinët dhe as Visi i Pojës, apo cilido tjetër personazh i botës së krimit, por këta ndikuan aq sa ndikuan, duke shtuar numrin e votave jashtë vullnetit të lirë qytetar. Qytetarët u bindën, më në fund, se përveç kallauzëve të medias, aleatë të kësaj mazhorance janë edhe Visi i Pojës, së bashku me Suel Çelën apo çelat e tjerë.
Refuzimi që pjesa më e madhe e qytetarëve po u bëjnë analistëve të medias në Shqipëri, qoftë edhe si kundërshtarë të tyre, tregon jo vetëm një akt civilizimi, por shumë më tepër se kaq: një dëshmi qytetarie dhe emancipimi shoqëror. Që refuzon me përbuzje klientelizmin politik, ngrehalucllëkun, syleshësinë dhe ndotjen intelektuale të hapësirës publike në vend.