Mitet frymëzojnë, disiplina jep fryte – Sebastian Zonja

spot_img
Advertisements

Ne shqiptarët jemi gjithnjë duke shkuar diku – për shembull, në Bashkim Evropian, në Jugosllavi, në Bashkim Sovjetik, drejt komunizmit, kah demokracia, duke u rikthyer në fenë e të parëve (pra, paganë) … Ndërkohë, teksa bëhemi gati me shku diku, këngët tona të moçme, prej shekujsh, na thonë “na tuj nejt afër oxhakut, kur ka kris pushka!”. Gjithnjë të papërgatitur me mbrojt veten, por gjithnjë gati me u nis për me vajt diku. Thuajse nomadë si filozofi, por krenarë kur flasim për antikitetin tonë dhe themi se jemi këtu me shekuj e mijëvjeçarë –
“Unë jam këtu e do të jem
-dem baba dem-
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri”
Mitrush Kuteli, “Poem kosovar”
Një reflektim i shkurtër
Pas rënies së Kostandinopojës, në vitin e largët 1453, Moska pretendoi menjëherë trashëgiminë e Romës. Shpalli veten mbrojtëse të ortodoksisë. Ky mit bashkoi rusët kundër tatarëve. U ripërdor kur mundën Napoleonin, më 1812-ën. Po ashtu, komunizmi rus u ndërtua mbi mitin e mbrojtjes së vendit nga konsumizmi dhe imoraliteti kapitalist. Sot janë ringjallur thuajse të gjitha mitet, ndërsa kanë në qendër “vlerat tradicionale”. Mitet antemurale ruse e paraqesin atë si fortesë që mbron qytetërimin, fenë dhe sovranitetin ndaj kërcënimeve të ndryshme që vijnë nga jashtë – Azia dhe Evropa. Nëse lexojmë autorë rusë të tipit Aleksandër Dugin, në thelb kanë këtë qasje – një mision hyjnor që i është dhënë Rusisë për të mbrojtur qytetërimin e tyre, që shërben si mburojë e krejt krishtërimit, është urë lidhëse me islamin, por i shërben me devotshmëri sovranitetit dhe vlerave tradicionale – (një qasje më interesante, e pandikuar shumë nga propaganda e Kremlinit, është ajo e Aleksandër Shlozenjicinit).
Sot, në periferi të Evropës shohim ringjallje të miteve antemurale – narrativa që paraqesin një komb ose grup etniko-fetar si mur mbrojtës të një qytetërimi të madh kundër kërcënimeve të jashtme (ne mbrojtëm Evropën nga përhapja e perandorisë Osmane, apo nga përhapja e Islamit. Këto mite i kanë edhe grekët, serbët dhe gjithë popujt e tjerë).
Thuajse gjithë periferia e Evropës politike, partitë që mbrujtin një lloj konservatorizmi tradicional (Viktor Orban në Hungari apo Lë Pen në Francë) po shkon drejt një rikonceptimi të mitit se po mbrojnë sërish Evropën kundër “barbarëve”.
Pse?
Ka probleme kohezive. Miti jep qëllim, formon dhe forcon identitet. Romakët e shihnin veten si mbrojtës të qytetërimit përballë barbarëve. Kina po krijon një mit të ri që e sheh veten si muri mbrojtës i Azisë kundër dominimit perëndimor me konsumizmin e vet në thelb. Por ne dimë nga historia se mitet dështojnë, nuk mbajnë gjatë. Pasuria, pabarazia, korrupsioni dhe përçarja sociale fillojnë të gërryejnë stofin social pas njëfarë kohe. Virtytet zbehen. Dekadenca fillon. Perandoritë lindin, lulëzojnë dhe bien, thonë dy filozofët Ibn Haldun dhe Monteskjë. Dijetari mysliman i shekullit të 14-të shkroi për solidaritetin e grupit që bashkon dhe ndërton. Kur zbehet, perandoritë rrënohen. Monteskieja shkroi në esenë e tij “Konsiderata për Romën” se virtyti dhe disiplina nxitën ngritjen, ndërsa luksi dhe përçarja çuan në shkatërrim.
Ne, shqiptarët
Shohim se si përgjatë historisë, me emra të ndryshëm, që nga Polibi, Ibn Halduni apo Pol Valeria, mendja dhe vullneti kanë pasur rol të rëndësishëm për të ndërtuar qytete, shtete, mbretëri dhe perandori.
Le të ndërtojmë një skicë për të parë këtë nomadizmin tonë dhe dëshirat se ku duam të shkojmë:
Sot, nëse do e përkufizojmë rendin që po jetojmë si rendi i dëshirave, thuajse të gjithë jemi të dhënë pas kënaqësive. Po detyra për të kryer a ka ndokush?
Provinca është zbrazur nga një ndër elementet identitare që ka pasur – rebelimi. A është sot periferia më periferike se ç’ka qenë, apo është inkorporuar brenda qendrës së stërmadhe?
Pasuria ka vërshuar në Tiranë dhe elitat politiko – biznesore janë të vetëkënaqura. A dobëson synimet vetëkënaqësia?
Lidhjet fisnore që sjellin unitet dhe disiplina morale që sjell qëllim janë të dobëta. Lidhjet fisnore dhe disiplina morale është e dobët. A duhet të kujdesemi për to?
Dikur, rilindasit, më pas komunistët e zinj, luftonin për atdheun. Sot lufta bëhet vetëm për monedha. A duhet të jetë kësisoj?
Përditë lexojmë se si Kina ndërton fabrika, populli punon dhe sakrifikon për të ardhmen; Amerika dhe Evropa i japin përparësi rritjes së mirëqenies së qytetarëve, ndërsa në Tiranë s’ka asnjë planifikim afatgjatë, korrupsioni nuk frenohet, polarizimi politik thellohet, besimi nëpër institucione ka rënë, kohezioni shoqëror është rrënuar dhe zhvillohen beteja kulturore pa vlerë – ç’do me thënë geg, tosk, lab, kosovar? Kuptojmë se sa më shumë që zhvishemi nga debatet për qëllimet apo virtytet, aq më tepër do merremi me identitetin.

Latest articles

Related articles