Fitim Zekthi
Një nga tiparet më të dallueshme të politikës dhe gjuhës populiste, një nga shenjat më të forta të politikës që nuk pranon kurrë një të vërtetë veç asaj që prodhon vetë është përpjekja e saj për të mbajtur nën kontroll mendjen e publikut me anë të mënyrës se si komunikon me të. Publiku ose një pjesë e publikut nuk duhet të mendojë, nuk i duhet as të ketë kohë të mendojë. Publikut i duhet folur vazhdimisht me klishe, me fjalë kallpe të cilat duhet të përsëriten vazhdimisht. Klisheja ka vetinë të shkëpusë kontaktin e menjëhershëm me realitetin. Duke bërë këtë shkëputje me realitetin ajo e fut ose përpiqet ta fusë publikun, një pjesë të tij ose individin në një realitet tjetër. Klisheja thotë Piotr Fidelius, një mendimtar i njohur i disidencës antikomuniste çeke, i bie tangent në kokë indidvidit dhe mund të lerë vetëm një gjurmë e cila mjafton që të mos e lejojë atë të mendojë vetë me kokën e tij.
Pas kësaj vjen një klishe tjetër dhe një klishe tjetër dhe koka e indidvidit bëhet shënjestër ka në mënyrë tangenciale bien vazhdimisht klishe. Në këtë rast ai nuk mendon më vetë por mendon sipas klishesë, është klisheja në fakt mendimi i vetëm i tij.
Në Rama funksionon gjithnjë në këtë mënyrë prej vitesh. Berisha gjithashtu funksionon prej vitesh po në këtë mënyrë. Rama e përdor për “pasaportën europiane”, për “Shqipërinë e zhvilluar”, për “arritjet historike”, për “shpatën e drejtësisë që ia dha SPAK-ut” për “përgjegjësinë personale të atyre që hanë mollët dhe dardhat” etj. Ai e di që publiku, ai të cilit i drejtohet do të mendojë pak a shumë me këto klishe. Berisha e përdor “narkoshtetin”, për “PD-në që tashmë është çliruar dhe është më e fortë se kurrë”, për “komplotin sorosian”, për “SPAK vegël e krimit”, etj.
Pas zgjedhjeve përdormi i klisheve është rritur gati në progresion gjeometrik sidomos mos nga Berisha dhe PD-ja. Ata duan me çdo kusht të mos i lejojnë votuesit dhe anëtarët e PD-së, sigurisht as deputetët që të mendojnë vetë, që të kenë kohë të mendojnë vetë. Klishetë me “masakrën më të madhe zgjedhore në histori”, me “terrorin e krimit ditën e zgjedhjeve” kanë marrë dhenë. Denduria e përdorimit të tyre është aq e lartë sa askush nga anëtarët e PD-së apo nga deputetët dhe zyrtarët e PD-së nuk ka patur as kohë dhe as mundësi të mendojë ndryshe ose të ndalet dhe të mendojë nëse ka diçka ndryshe nga klishetë.
Edhe në lidhje me qëndrimin ndërkombëtar për zgjedhjet përdorimi i klisheve kaq i madh. Berisha po thotë që informoi Partitë e Djathta të botës dhe ato tashmë po e shikojnë dhe analizojnë “masakrën e tmerrshme”. Në lidhje me urimet e liderëve politikë të qeverive të Gjermanisë, Francës, Italisë (vendet më të fuqishme të BE-së) Berisha dhe PD po thonë që ishin urime për mirësjellje. Nga njerëz afër tyre në shtyp thuhet se ata janë thjesht liderë sorosianë dhe kjo nuk ka ndonjë rëndësi. Rëndësi ka vetëm SHBA-ja e cila sipas tyre do t’i bëjë hatanë Ramës.
Në lidhje me deklaratën e ambasadës amerikane për zgjedhjet dhe në lidhje me një pjesë të deklaratës së Zëvendës sekretariatit të shtetit Christofer Landau të cilën e publikoi ambasada amerikane në Tiranë përsëri PD tha se SHBA-ja nuk uroi Ramën, nënkuptoi farsën elektorale dhe me kalimin e kohës Rama do ta ketë keq punën.
Klishetë vazhdojnë edhe më paprerë por ndalemi deri këtu. Le të shohim pak vetëm ato që lidhen me reagimet e SHBA-së dy tre ditët e fundit. Në fillim ambasada e SHBA-së tha se “… SHBA uron popullin shqiptar për zgjedhjet. Presion të vazhdojmë partneritetin e ngushtë me popullin shqiptar”. Pas kësaj deklarate ambasada publikoi një pjesë të mesazhit të zëvendës sekretarit të shtetit Landau i cili thoshte se “Shtetet e Bashkuara mund të jenë një partner i gatshëm me kapital të konsiderueshëm politik. Mund të punojmë shumë; por do të punojmë vetëm me ata që janë të përkushtuar ndaj një realizmi praktik për vendet e tyre. Ne i refuzojmë të dy ekstremet e papranueshme të dëshirës për një transformim të jashtëzakonshëm, nga njëra anë, ose të rishikimit të ankesave të lashta, nga ana tjetër. Politika e pafundme dhe e zgjeruar, pa kufizim dhe përulësi historike, bëhet një armik i strategjisë dhe i shtetndërtimit kushtetues. Ky nuk është qëllimi ynë, funksioni ynë, apo misioni ynë”.
Berisha dhe PD-ja thanë se urimi i ambasadës nuk uronte Ramën. Ata thanë se para katër vitesh ambasada dhe departamenti i shtetit uruan Ramën. Pra, këtë herë ata nuk janë më me Ramën. Këtë nuk është më fryma e Soroisit dhe kontrolli i Sorosit. Për deklaratën e dytë nuk pati ndonjë qëndrim specifik por u la të kuptohej se SHBA nuk është me Ramën dhe se tashmë në krye të SHBA-së janë njerëz që do ta çrrënjosin Sorosin dhe sigurisht ngadalë edhe Ramën.
Në të vërtetë deklarata e parë e ambasadës dhe fragmenti I dytë i Landau-ut janë pjesë e së njëjtës filozofi politike. Një filozofi politike e nisur që nga 20 janari kur presidenti Trump mori detyrën. Kjo filozofi kërkon që SHBA të mos përfshihet në punë të botës, punë të cilat nuk e bëjnë SHBA-në “më të fortë, më të sigurt dhe me të zhvilluar”. Këtë u ka kërkuar edhe sekretari Rubio ambasadave në botë në dtën 21 janar sapo mori detyrën. Filozofia e re është pak a shumë izolacionizmi, një rrymë e njohur prej shekujsh në SHBA e cila ka qenë dominuese para luftës së dytë botërore. Është kjo filozofi e cila bëri që të rrëzohen nga kongresi marrëveshjet për Lidhjen e Kombeve të nënshkruara nga presidenti Willson në vitet 1920. Presidenti Willson madje ishte autori i këtyre marrëveshjeve. Pra, SHBA nuk do futet fare në Lidhjen e Kombeve. Kjo filozofi i ka rrënjët tek Etërit Themelues dhe tek fjalimi i lamtumirës i presidentit të parë George Washington. Shkurt SHBA sot e sheh rolin e saj në botë më të reduktuar. Në këtë linjë kanë qenë edhe qëndrimet e Zëvendëspresintit J D Vance në Mynih, të Sekretarit të Mbrojtes Hegseth po në Mynih. Në këtë linjë janë edhe qëndrimet për Ukrainën. Në këtë linjë janë qëndrimet për BE-në kur presidenti Trump tha se BE është krijuar për të dëmtuar SHBA-në. Në këtë linjë janë edhe qëndrimet për konfliktin Indi-Pakistan (dy vende bërthamore) kur SHBA tha se nuk është lufta jonë dhe nuk ndërhyjmë fare. Në këtë linjë është edhe mospërfshirja fare e SHBA-së për konfliktin politik në Kosovë ku ka 23 seanca parlamenti që nuk zgjedh dot një kryetar dhe vendi është në krizë të plotë. Ambasada amerikane dhe departamenti i shtetit në Kosovë nuk kanë bërë asgjë ndryshe nga dikur kur bënin gjithçka.
Pra, SHBA është tashmë më larg dhe më pak e interesuar. Ajo, për fatin tonë ekstremisht të mirë në këtë rast, ka dërguar një mesazh urimi për pavarësinë e Kosovës dhe ka dërguar sërish ekspertët e saj të FBI-së dhe departamentit të drejtësisë për të ndihmuar SPAK-un.
Kështu që deklarata e ambasadës për zgjedhjet është një gjë që edhe mund të mos vinte fare. Erdhi dhe për fatin e keq të gjuhës dhe klisheve të PD-së, duke uruar popullin për zgjedhjet i quan zgjedhjet të mira. Nuk do uronte popullin për një farsë apo një masakër. Këtë qëndrim të mosinteresimit si dikur të SHBA-së e thekson edhe më deklarata e zëvendës sekretarit Landau. Ai thotë që SHBA “do të ndihmojë kur “kërkohet dhe kur është e justifikuar ndihma”. Me justifikim është ajo që e bën SHBA-në “më të fortë, më të sigurt dhe më të zhvilluar”. Ai tha edhe se ata nuk duan ekstremizma të asnjë krahu dhe me sa duket ambasada amerikane e publikoi pikërisht për të thënë që SHBA nuk i do qasjet ekstrem, ishte të Ramës dhe Berishës.
Pra as Rama dhe as Berisha nuk janë në fokus të SHBA dhe as në pëlqimin e SHBA personalisht. Në fokus por shumë më të zbehtë se sa dikur janë Shqipëria dhe njerëzit. Zgjedhjet mbaruan për amerikanët por kanë mbetur klishetë tona.