Qeveria legalizon Patronazhistët, i quan “Policë vullnetarë”

spot_img
Advertisements

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për rregullimin e organizimit, funksionimit dhe fushës së veprimit të shërbimit të policimit vullnetar.

Sipas vendimit, policët vullnetarë do të kryejnë detyra të ndryshme gjatë aktiviteteve masive, duke përfshirë ruajtjen e perimetrit të jashtëm të ambienteve ku zhvillohen aktivitetet, bashkëpunimin në postblloqe dhe pika kontrolli, drejtimin dhe disiplinimin e lëvizjeve të pjesëmarrësve, si dhe mbledhjen e informacionit me interes për Policinë e Shtetit.

V E N D I M PËR ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN DHE FUSHËN E VEPRIMIT TË POLICIMIT VULLNETAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 128, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave V E N D O S I: I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME 1. Ky vendim ka për objekt rregullimin e organizimit, funksionimit dhe fushës së veprimit të shërbimit të policimit vullnetar, në mbështetje të strukturave të Policisë së Shtetit. 2. Qëllimi i këtij vendimi është përmirësimi i sigurisë publike, forcimi i kapaciteteve të strukturave të Policisë së Shtetit dhe inkurajimi i angazhimit qytetar, duke promovuar bashkëpunimin ndërmjet policisë dhe komunitetit për rritjen e besimit dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi. 3. Policimi vullnetar është një shërbim publik, i cili përfshin veprimtaritë e kryera nga policët vullnetarë në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit. 4. Polici vullnetar është çdo person që plotëson kushtet dhe kriteret e përcaktuara dhe që është pranuar në shërbimin e policimit vullnetar. 5. Kohëzgjatja ditore e vullnetarizmit është periudha kohore e angazhimit të vullnetarit në shërbimin e policimit vullnetar, e cila nuk tejkalon 5 (pesë) orë në ditë dhe 25 (njëzet e pesë) orë në javë. 6. Kontrata e vullnetarizmit është dokumenti ligjor, i lidhur ndërmjet vullnetarit dhe ofruesit të shërbimit të vullnetarizmit, i cili përcakton të drejtat, detyrimet, kushtet dhe kriteret për kryerjen e aktiviteteve dhe shërbimeve vullnetare, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Latest articles

Related articles