Ne jemi kukulla. Koha jonë, jetët tona janë të gjitha pronë e njerëzve të tjerë. Ne jemi prostituta intelektuale” – Plasari

spot_img
Advertisements

NJË DOLLI AMERIKANE PËR “SHTYPIN E PAVARUR”

Na ishte dikur një gazetar dhe botues gazetash amerikan, John Swinton (1829–1901) e quanin. Ishte edhe i gojës, në kuptimin orator, ndoshta edhe për shkak të gjakut skocez. Kontribuoi gjatë si kryeredaktor për “The New York Times”-n, por edhe si editorialist kryesor i gazetës “New York Sun”. Kur i erdhi koha ta mbyllte karrierën në “New York Sun”, më 1875, në një darkë mes kolegësh gazetarë mbajti një fjalë, me gotë në dorë, dhe guxoi e tha:

“Nuk ka në Amerikë diçka si punë shtypi të pavarur, përveçse ndoshta në qytete provinciale. Ju të gjithë jeni skllevër. Ju e dini këtë, edhe unë e di. Nuk ka asnjë prej jush që guxon të shprehë një opinion të ndershëm. Po ta shprehnit, do ta dinit paraprakisht që nuk do të shfaqej kurrë në shtyp. Unë paguhem 150 dollarë për të mos i lejuar opinionet e ndershme në gazetën për të cilën punoj. Të tjerë prej jush paguhen me paga të ngjashme për të bërë gjëra të ngjashme. Po të lejoja të shtypeshin në një numër të gazetës sime opinionet e ndershme, do të isha si Othello pa u mbushur njëzet e katër orë: profesioni im do të merrte fund. Njeriu që do të ishte aq budalla sa të shkruante opinione të ndershme do të përfundonte në rrugë duke kërkuar punë tjetër. Puna e një gazetari të Nju Jorkut është të shtrembërojë të vërtetën, të gënjejë hapur, të manipulojë, të shpifë, të serviloset në këmbët e Mamonit [zoti i parasë, i pasurisë, – A.P] dhe të shesë vendin dhe racën e tij për bukën e përditshme, ose për atë që është pothuaj e njëjta gjë: pagën e tij. Ju e dini këtë, edhe unë e di. Dhe ç’marrëzi të ngresh dolli për një “Shtyp të Pavarur”! Ne jemi vegla dhe vasalë të njerëzve të pasur prapa skenave. Ne jemi kukulla. Ata tërheqin fijen dhe ne kërcejmë. Koha jonë, talentet tona, jetët tona, mundësitë tona, janë të gjitha pronë e njerëzve të tjerë. Ne jemi prostituta intelektuale”.

Thuhet se, kur u botua fjala e tij, John Swinton-i bëri kinse u ankua se ia kishin raportuar disi “ngathët” (clumsily). Të kishte qenë, vallë, më e shkathët fjala e tij? Gjithsesi ajo mbeti historike, pavarësisht në e kishte kthyer a jo ndonjë gotë me të tepërt, dhe në shqip nuk mundemi veçse t’i themi sipas traditës sonë: Të lumtë goja, dollibash!

Për të bërë vetë sprovën e “shtypit të pavarur” John Swinton-i themeloi në Nju Jork një gazetë të tijën me titull “John Swinton’s Paper”. Me gjithë përpjekjet e stërmundimshme për ta mbajtur nëpërmjet abonimeve, pas katër vjetësh e mbylli duke shpallur:

“Me mjetet e mia financiare nuk e përballoj dot më një barrë të mëtejshme. Jam shkatërruar nga kjo gazetë dhe nga puna me të, në të cilën gjatë katër viteve të fundit kam humbur dhjetëra mijëra dollarë – të gjitha nga xhepi im”.

Latest articles

Related articles