nga Indrit Vokshi
Muzika që më pikëllon është ajo e Gladiatorit
Ai vret perandorin psikopat Komodus. “Now we are free” është liria që fitojnë njerëzit prej një psikopati e sadisti i cili sundonte egër. Nuk kishin nevojë të ishin të pushtuar nga shtet i huaj, ata i poshtëronte vetë perandori i cili duhej t’i mbronte prej të huajëve.
E lidhur me Shqipërinë; ne nuk po mundemi të çlirohemi prej disa psikopatësh të cilët ka vite e vite që e shkelin ketë vend, për lakmi, për teka, për epshe, për ego, për psikopati si Komodus.
Këto 20 vite që mbajmë mend, këta e kanë degjeneruar Shqipërinë keqazi. E kanë nxjerrë jashtë çdo standardi normal të shtetit e drejtësisë. I kanë shtypur njerëzit aq shumë saqë i kanë dehumanizuar duke i larguar nga çdo moralitet njerëzor.
Këta kanë djegur breza, kanë djegur fëmijëri e rini të njerëzve, kanë shkatërruar jetë, sepse këta dhe bandat e tyre kanë vjedhur, rrahur, vrarë, kanë grabitur prona, kanë shkatërruar ligjin e shtetin dhe kanë përkrahur delinkuencën.
Nuk ka më njerëz, ka shumë pak njerëz-njerëz. Shumica janë spektatorë.
E me fuqinë e spektatorëve, me zhurmën e duartrokitjeve të tyre, dy sadistët Edi Rama e Sali Berisha, vazhdojnë ta shkelin Shqipërinë.
Nuk e kanë të drejtën me vete. Me vete kanë veç duartrokitjet e spektatorëve. Dhe spektatorët nuk duartrokasin për drejtësi, duartrokasin kur ua kënaq instiktin për gjak, për poshtërim të tjetrit, për plaçkitje.
Aty deri në fund do t’i kemi, do ta poshtërojnë ketë komb sa të kenë mundësi e fuqi. Sepse ky vend, ky popull, ky milet, nuk ka gjetur fuqinë për tu ngritur kundër tyre dhe, mbi të gjitha ka qenë cinik, ka dënuar njerëzit që i kanë prishur spektalin, njerëzit që kanë guxuar të ndërhyjnë te duartrokitjet.
Ajo muzika e Gladiatorit i shkon taman Shqipërisë, është njëfarë himni për Shqipërinë; paraqet trishtimin për masakrimin e përgjithëshëm të një kombi prej psikopatëve, banditëve, sadistëve të cilët të bashkuar me injorancën kanë arritur ta nënshtrojnë një popull të tërë.
Sepse fatkeqësisht kanë gjetur një komb të “divorcuar” nga Zoti, të larguar nga atdhetarizmi dhe virtyti ushtarak dhe që i përçmon vlerat shoqërore të jetesës në komunitet.
Gladiatori këtu duhet të jenë vetëm prokuroria e gjykata sepse nuk ka zgjidhje tjetër.