“Shqiptarët jetojnë nën një trysni të vazhdueshme. Janë të lodhur, emocionalisht të konsumuar” – Neli Demi

spot_img

Nga Entela Resuli

Neli Demi, psikiatër, ka qenë gjithmonë një zë dhe mendje e kthjellët sa herë duhet të flasim me një specialist të shëndetit mendor, mbi problemet që has shoqëria jonë.

Mesa duket ka ardhur momenti që kontributin e tij ta japë në një tjetër vend, ku me gjasë mendimet do kenë më shumë peshë; në atë të karriges së deputetit.

I qetë dhe pa shumë populizma ai kërkon të votohet nga njerëzit për të qenë më pranë tyre pas zgjedhjeve të 11 Majit. Demi garon nën logon e “Koalicionit Euroatlantik”.

Përtej forcës politike, një psikiatër do i bënte shumë mirë sallës së Kuvendit!

Neli Demi tregon se në çfarë gjendje ndodhet sot shoqëria jonë dhe pse ai vendosi të përfshihet aktivisht në politikë.

-Z. Demi, ju kemi parë shpesh në panele, apo intervista teksa flisni dhe diskutoni në lidhje me gjendjen sociale dhe problemet e shëndetit mendor në shoqërinë tonë. Këto ditë po ju shohim në një rol tjetër, atë të kandidatit për deputet. Çfarë ju nxiti të ndërmerrnit këtë hap?

Prej shumë vitesh kam qenë dëshmitar i heshtur dhe shpesh i pafuqishëm i pasojave që politika e papërgjegjshme ka mbi jetën emocionale të njerëzve. Si psikiatër dhe psikoterapist i dëgjoj çdo ditë ndjenjat e pasigurisë, zhgënjimit dhe lodhjes që qytetarët përjetojnë në heshtje. Në një moment, kuptova se nuk mjafton më vetëm të dëgjosh. Duhet të flasësh edhe për ata që nuk kanë zë.

Kam hyrë në politikë jo për të ndërtuar karrierë, por sepse ndiej një detyrim qytetar pikërisht për t’i dhënë zë atyre që vuajnë në heshtje. Nëse përvoja ime si mjek mund të ndihmojë për të sjellë më shumë kujdes, etikë dhe vëmendje ndaj njeriut në vendimmarrje, atëherë ky është hapi më i natyrshëm.

-Ju jeni psikiatër, keni vite që e ushtroni këtë profesion, jeni marrë personalisht duke qënë mjek për shumë njerëz të cilët kanë patur probleme të shëndetit mendor, nga ana tjetër jeni edhe një vëzhgues i mirë i këtyre problemeve. Nga çfarë mendoni se vuan shoqëria shqiptare sot, në aspektin fushës ku ju punoni?

Shqiptarët jetojnë nën një trysni të vazhdueshme. Janë të lodhur, emocionalisht të konsumuar. Mungon ndjenja e sigurisë, e përkatësisë, e përfshirjes. Shpesh, simptomat psikologjike që përjetojmë janë pasojë e jetesës në një realitet të papërballueshëm emocionalisht, ku problemet nuk ndahen, ku stigma hesht çdo ankth, dhe ku shteti është i largët.

Nga fëmijët në shkolla, tek të rinjtë që nuk dinë ç’të ëndërrojnë, tek prindërit që nuk munden më të mbajnë shpresën gjallë kemi prodhuar një shoqëri që nuk ka vend për të “marrë frymë”. Dhe kur nuk merr frymë, nuk mund të shohësh qartë.

-Z, Demi, mos ndoshta jemi në një fazë dekurajimi si shoqëri, dmth nuk na bën përshtypje me asgjë, njerëzit shfaqen të lodhur dhe nuk kanë as durim dhe as besim të politika, pse mendon se ka ardhur kjo?

Sepse besimi është thyer vazhdimisht. Qytetarët janë ushqyer me premtime të mëdha, por kanë marrë si përgjigje mungesë përgjegjësie dhe mungesë dëgjimi. Kur ndjen që zëri yt nuk vlen, që vota jote keqpërdoret, që përditshmëria jote nuk përmirësohet, atëherë ndalon së besuari. Dhe kur ndalon së besuari, nuk reagon më. Kjo lodhje nuk është indiferencë. Është mospërputhje e thellë mes shpresës që dikur ke pasur dhe realitetit që ke përballë.

-Vitet e fundit, kemi kuptuar që ka familje që kanë emigruar jashtë vendit, jo sepse kanë qenë të sigurt për të ardhmen që i pret andej ku kanë zgjedhur të shkojnë, por sepse nuk kanë patur më shpresë në vendin e tyre…a është kjo një shenjë depresioni e shoqërisë dhe si mund të zgjidhet?

Po, emigrimi masiv është një simptomë kolektive e mungesës së shpresës. Shumë shqiptarë nuk largohen sepse janë të sigurt për jetën jashtë, por sepse janë të dëshpëruar nga jeta këtu.

Kur një vend nuk ofron perspektivë, atëherë njerëzit largohen jo për të ndjekur një ëndërr, por për t’i shpëtuar zhgënjimit. Zgjidhja nuk është e thjeshtë. Duhet të rindërtojmë besimin te vendi ynë, përmes politikave që nuk e shohin qytetarin si numër, por si njeri: me nevoja, me dinjitet, me të drejtë për të jetuar mirë këtu ku ka lindur.

-Cili do të jetë kontributi juaj në parlament, politik nëse merrni votat e dëshiruara dhe arrini të vishni kostumin e deputetit?

Dua të sjell në parlament një mënyrë tjetër të të menduarit, të të folurit për politikën dhe të të bërit politikë: më të kujdesshme, më të ndjeshme, më njerëzore. Do të përpiqem të ngre zërin për ata që ndihen të padukshëm: të rinjtë që nuk dëgjohen, prindërit që ndihen të vetëm, mësuesit që lodhen përballë një sistemi të padrejtë, mjekët që ndihen të pa mbështetur e të sulmuar, të moshuarit që harrohen. Nuk premtoj të bëj mrekulli. Premtoj përfaqësim të ndershëm dhe përpjekje reale për të kthyer kujdesin dhe etikën në qendër të politikës publike.

  • A patët mbështetjen e familjes për këtë angazhim? Çfarë ju tha bashkëshortja juaj?

Po, e pata dhe e kam. Bashkëshortja si artiste është një njeri i ndjeshëm, por dhe me jep shumë forcë dhe ndaj vendimit tim reagoi me një mbështetje të plotë dhe tani në fushatë e kam mbështetjen kryesore. Po ashtu edhe pjesa tjetër e familjes është bërë pjesë e ekipit tim.

Në një kohë ku politika shpesh perceptohet si hije, si pazar, si zhurmë, më ndihmon shumë që në familje të kem zëra që më inkurajojnë dhe më mbështesin në çdo hap, por edhe që më konfrontojnë duke më ndihmuar të jem me këmbë në tokë gjatë gjithë kohës.

Dhoma e Rrëfimit’ rubrikë ekskluzive e VoxNews

Latest articles

Related articles