Live TV
Nga A2 CNN
13 Prill 2025, 21:45 | Aktualitet
Nisur nga vizita e kryeministrit Edi Rama në Izrael, ku e konsideroi Hamasin si nazistët e shekullit të ri, ministri i Jashtëm Igli Hasani u përball në “Off the Record” me pyetjen, pse Shqipëria po tregohet më e ashpër me palestinezët dhe në krahun tjetër i rreh shpatullat qeverisë në Tel Aviv.
Hasani i qëndroi deklaratës së kryeministrit duke thënë: “Hamasi është një organizatë terroriste, e dizajnuar si e tillë nga Shqipëria, nga Bashkimi Europian, ku ne pretendojmë të anëtarësohemi shumë shpejt dhe të gjitha organizata ndërkombëtare ku bëjmë pjesë.”
“Hamasi e ka merituar atë tregim që ka bërë kryeministri dhe do të vazhdojmë të mbajmë këtë qëndrim”, shtoi ai.
I pyetur nga moderatori Andrea Danglli përse nuk peshon njëjtë për Tiranën zyrtare vrasja e 17 mijë fëmijëve në Gaza, si edhe masakra e Hamasit ndaj hebrenjve, Hasani tha se Shqipëria po insiston për zgjidhjen me dy shtete, për t’i dhënë fund luftës.
“Ne kemi qenë shumë të qartë që Shqipëria vazhdon të jetë për zgjidhjen me dy shtete, pra dy entitete, Izraeli dhe Palestina, të kenë të drejtën që të qëndrojnë së bashku. Shqipëria nga fundi i viteve 80 e ka njohur Palestinën dhe vazhdon ta njohë. Jemi të bindur se vetëm përmes paqes, dialogut, angazhimit të përbashkët, këto realitete do të jen në gjendje që të bashkëjetojnë në kushte të vështira, në momente shumë të vështira, ku të drejtat e njeriut janë cenuar maksimalisht. Ne kemi qenë gjithmonë të qartë dhe këto mesazhe ua kemi përcjellë gjithë partnerëve tanë. Për ne Izraeli është mik dhe partner. Për ne shteti i Izraelit ka një kontribut shumë të çmuar në marrëdhënien që kemi ndërtuar me popullsinë hebreje, që është forcuar dhe konsoliduar. Për ne është shumë e rëndësishme që populli palestinez të përfaqësohet nga entitete, parti politike apo organizata të cilat nuk janë organizata terroriste dhe vrasëse. Nuk mendoj që Izraeli pret rrahjen e shpatullave tona, është një vend që ia rreh shpatullat vetes në mënyrën më të mirë të mundshme dhe i del për zot vetes në momentet e vështira. Siç e thashë në gjithë këtë histori dhe konfigurim është shumë e rëndësishme që ne të dimë të zgjedhim miqtë dhe partnerët dhe ne i kemi zgjedhur ata”, tha Hasani në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.