“Arlind Qori kandidoi Redi Muçin, djalin e një oligarku” – aktivistët replikojnë me njëra-tjetrën

spot_img

nga Ola Xama

Përse unë nuk do të votoj Lëvizjen Bashkë.

Situatën ku ndodhet sot Shqipëria jam e bindur që nuk e ndryshojnë dot as programet, as ideologjitë dhe as premtimet utopike që janë bërë zakon i fushatave – ku kandidatët na shfaqen si magjistarët që mbajnë shkopin magjik, e me të mund ta kthejnë vendin në një tokë të premtuar.

Sa i takon përplasjes së ideve mbi praninë e shtetit në sferën publike dhe vendosjes së kufijve mes publikes dhe privates, prapë besoj se nuk është koha dhe as vendi (Shqipëria) që meriton këto diskutime, kur sot po rrezikojmë të rrëshkasim në një sistem autokratik. Vlerat e meritokracisë janë përmbysur, cilësia e shërbimeve publike është ulur, korrupsioni është rritur dhe është instaluar modeli ku për të larë duart ligjërisht pasuritë e vendit jepen me ligj apo vendime kolegjiale.

Prandaj besoj se përpara se të flasim se çfarë modeli e shpëton vendin, duhet të kërkojmë zbatimin e standardeve të qeverisjes së mirë, funksionimit të organeve të pavaruara nga Kuvendi e deri te agjencitë e dorës së dytë e tretë dhe garantimin se ligjet zbatohen dhe shteti nuk kapet.

Një nga problemet më shqetësuese të ekonomisë shqiptare është kapja e saj nga një dorë biznesmenësh të cilët në sajë të lidhjeve dhe ndihmës nga pushteti kanë arritur të marrin toka, leje, licenca, të drejta shfrytëzimi, tendera, kontrata etj. duke u vendosur në krye të piramidës së vendit. Që në këtë moment nuk mund të flasim dot as për demokraci dhe as për parime nëse tregu nëse duhet të jetë më i lirë – apo më i kontrolluar nga shteti. Sot jemi në situuatën që shteti të bën të pasur, shteti të bën të varfër – kjo varet nga dëshira e udhëheqësit.

Lëvizja Bashkë ka patur në thelb të denoncimeve të saj sistemin oligarkik të vendit. Ndryshe nga kjo linjë e tyre, unë mendoj se në Shqipëri nuk ka oligrakë të mirëfilltë që vendosin drejtuesit, por anasjelltas- biznemenë që ofrohen të shërbejnë sa më mirë dhe të marrin shpërblimin e të qënit të pasur duke mbajtur në emër të tyre pasuri të politikanëve. Por kjo është një tjetër çështje.

Lëvizja Bashkë më ka pëlqyer për këto denoncime dhe sidomos për faktin që në fushatën e Zgjedhjeve Vendore 2023 ishte e vetmja forcë politike që denoncoi shkeljet dhe lidhjet kriminale në të gjitha kullat që po ndërtohen në kryeqytet.

Lëkundjet mbi vërtetësinë e denoncimeve së kësaj force politike më erdhën disa muaj më pas, kur shihja që për çështjet ku ndaje një mendim ndryshe – ktheheshe papritur në armik (asnjë ndryshim nga mendësia e partive tradicionale). Një tjetër përshtypje jo për mirë më ka lënë dhe insistimi për denoncimin e mediave që nuk shfaqin aktivitetet e kësaj partie duke i ikur tinëzisht thelbit nëse mediat janë të kapura nga interesat ekonomike, apo ishin të kapura vetëm ato që nuk transmetonin aktivitetet e saj; e deri te protesta ku në vend që të prevalonte ngjarja e rëndë e policit, u pa një sherr se kush ishte pronari i saj.

Bindjen se unë nuk do të votoj Lëvizjen Bashkë nuk e krijova as kur lexova programin paradoksal në disa çështje, sepse siç e thashë më lart Shqipërinë nuk e bën as niveli i taksimit, e as qasja në politikat sociale- bindjen e krijova kur pashë që në listën e Tiranës ishte renditur i pari Redi Muçi, djali i një prej ortakëve të oligarkëve që Lëvizja Bashkë denoncon dhe thotë se do t’i luftojë – ndërsa në Gjirokastër është kandidate në listën e hapur motra e tij Stela Muçi.

Sondazhet sugjerojnë se mundësitë janë që Lëvizja Bashkë do të arrijë të marrë vetëm 1 kandidat në Tiranë, ndaj çdo votë e atyre që simpatizojnë këtë forcë do të shkojnë për z.Redi Muçi i cili është i renditur në listën e mbyllur. Redi Muçi është djali i Fredi Muçit, ndërtues në kryeqytet dhe aksioner në disa firma të prodhimit të materialeve të ndërtimit dhe betonit, por dhe një nga ortakët në kompaninë “Arameras” shpk, bashkë me kompaninë Concord Investimet të vëllezërve Dulaku.

Kjo firmë ka ndërtuar një resort në Ksamil, në zonë të mbrojtur – ndërsa toka është dhënë me qira modeste vite më parë nga qeveria shqiptare si subjekt “i simuluar”. Kompanitë Concord Investiment dhe Edil Al të ortakëve të Fredi Muçit, kanë përfituar toka me qira 1 euro, koncesione të shumta, leje ndërtimi, kontrata publike, tendera etj. dhe janë pjesë e listës të sistemit oligarkik që kjo forcë denoncon.

Ndaj unë nuk do të votoj Lëvizjen Bashkë. Nëse në krye të fushatës së saj është eleminimi i sistemit oligarkik, dhënia e vendit të vetëm që pret të marrësh në parlament një prej fëmijëve të atyre që denoncon, të rrëzon çdo parim!

REPLIKA

Rezearta Çaushaj

Ola Xama ka shkruar një status të stërgjatë mbi arsyet që nuk do të votoj Lëvizjen Bashkë.
Por, më tepër se rezervat mbi votën – që janë të gjithësecilit, – ka bërë një manovër të lezetshme për t’i thënë kujtdo që ka krijuar besim tek ajo se Lëvizja Bashkë është e pasinqertë në denoncimet e oligarkëve sepse ata kanë zgjedhur të kandidojnë për deputet Redi Muçin, djalin e një oligarku sipas saj.
Babai i Muçit është aksioner me 3.33% te kompania Arameras, e zotëruar nga kompania Concord e vëllezërve Dulaku.
Tani, Dulakët janë bërë oligark nën Ramën, s’ka pikë dyshimi, por kompania ku Fredi Muçi zotëron aksione sa për të larë gojën është ngritur qysh në 2006.
Pra, janë raporte që janë vendosur kur Redi ka qënë çunak dhe vështirë të ndikojë ai raportet e punës së familjarëve të tij.
Nëse raporti i biznesit do ishte vendosur kur Redi Muçi denonconte oligarkët, tjetër status do isha duke bërë.
Prindrit nuk mund ti ndryshosh e as t’i hedhësh poshtë, po vjen një moment që vendos vetë robi për veten.

Pa u futur në aludime, se nuk di më tepër mbi këtë çështje, por njoh Redin aktivist prej mbi një dekadë dhe në mendimin tim ka fituar tek unë respekt mjaftueshëm sa t’i jap një shans të sqarojë pozicionin, pa e sulmuar.
Por, për Xamën ai 3.33% ka mjaftuar që ajo ta shpall atë djalin e oligarkut, në një linjë me një portal anonim.

As ka shkuar më thellë e as ka investiguar apo të ofrojë ndonjë indicie që ngre dyshime për përfitime të mundshme të Redi Muçit a partisë ku aderon nga bizneset e Dulakut ne qeverinë.
Por, ajo që më bëri të më rrengjethej mishi, veç investimit paragraf pas paragrafi, ishte cilësimi ndërtues në atë mënyrën si me shkelje syri, që sugjeron se të gjithë ndërtuesit janë shërbëtor të pushtetit.
U ngjetha se, me standardin e Xamës, statusin e saj do ta kisha bërë unë para 2 vjetësh: “Ja përse nuk e besoj Ola Xamën”
Xama burrin e ka ndërtues e përfitues fondesh publike, po te ndiqja logjikën perverse të ca portaleve që duan të inflacionojnë, e rrjedhimisht zhvlerëzojnë, fjalën oligark, mund ta fusja te ajo lista.
Po, po të isha ndonjë portal i qeverisë, mund të thoja trashë-trashë që Xama ka investiguar bashkinë për llogari të burrit ndërtues.
Xama eshte nga ato gazetare qe mund ti blej vetes çante firmato 2000 Euro e që ka standardin e jetesës me ata që ruajnë pasurinë e qeverisë.
Ola Xama u ngrit kur ra Arben Ahmetaj dhe po të ndihesha veçanërisht dashakeqe, do rrëfeja edhe ato thashethemet mbi lidhje intime mes tyre. Ahmetaj sponsorizon disa gazetarë në Tiranë, ndërkohë dhe i furnizon me info e dokumente që vetëm ai i disponon.

Por, unë qysh në krye të herës kam vendosur të shoh vetëm punën e Xames, jo punën e burrit apo thashethemet rreth ngjitjes së saj.
Kam pas një debat te zjarrte me dikë që e çmoj për artikullin me titull “Projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Erion Veliaj, thote SPAK”.
Kam mbrojtur Xamen, paçka se artikulli kish marr lirshmëri me titullin. Nuk ishte Veliaj nominalisht, por bashkia qe kish propozuar incineratorin.
Gjithsesi, artikulli në vetvete ishte raportim dhe pretendimet ishin të SPAK-ut, jo të Xamës.

Prej atëherë, kam vijuar të ndaj statuse e punë të saj rregullisht. Me gjasë e bëj sërish.

Nuk e njoh Xamën, as me Redi Muçin nuk kam raport personal, i kam respektuar të dy në distancë.

Por, thelbi ngelet që Çezarit atë që i takon Çezarit, Ola Xamës atë që i takon Ola Xamës dhe Redi Muçit atë që i takon Redi Muçit.

Këtij vendi i duhen njerëz që arrijnë të diferencojnë sepse publiku vazhdimisht përpiqet t’u vendos njerëzve, ngjarjeve e fenomeneve emërues të përbashkët, që t’i lehtësojë vetes vendimmarrjen.

Pra, ai statusi ishte autogol.

PS: Unë votoj Agron Shehaj, por strategjikisht thirrja ime është votoni partitë e reja. Mbështes aktivitetin politik të Levizjes Bashkë, mbase për arsyen e vetme se i njoh prej 1 dekade dhe e di padyshim qe jane te ndershem e konseguent. E çmoj shumë këtë! Uroj të fitojnë vend në Parlament.
Madje edhe me partinë e Tik Lapajt, që dyshohet se financohet nga oligarkë, dua të jem e drejtë: nëse ai do e pranonte që financohej, nuk do të kisha argument sepse mund të kene robtë diferenca të tilla në mendime. Une shoh oligark, ai biznesmenë. Por ai nuk e pranon. Nejse…u zgjata. Gëzuar Bajramin!

Latest articles

Related articles