Në emisionin “Shënjestër” të gazetares Klodiana Lala u soll dëshmi dhe detaje nga masakra e Memaliajt (Dosja Sadikaj), ku humbën jetën tre persona dhe mbeti i plagosur një i katërt. Edhe pse kanë kaluar rreth 6 muaj, ende kjo çështje nuk është zgjidhur.
Por, çfarë ndodhi atë mbrëmje të 21 Korrikut 2024 në qytetin e Memaliaj? Tragjedia ndodhi pikërisht në lokalin ku Gledian Muka shërbente prej disa kohësh si kamarier dhe banakier deri në pritje të një përgjigje fatlume nga lotaria amerikane.
Hamza Muka, babai i kamarierit Gledian Muka rrëfen: Më datë 24 Korrik i doli llotaria amerikane dhe i kërkuan dokumentet. Por djali kishte ndërruar jetë që më datë 21 Korrik.
Përgjigje pozitive e cila për fatin e tij të keq mbërriti vetëm disa ditë pasi ai ishte ndarë mizorisht nga jeta. Në atë që tashmë njihet si masakra e Memaliaj e ndodhur në këtë qytet orën e vonë të datës 21 Korrik 2024.
Çfarë ishte ajo masakër e padëgjuar më parë në këtë qytet dikur minatorësh, por që prej kohësh edhe për shkak të shpopullimit kishte humbur gumëzhimën e tij dhe kishte rënë në një qetësi të thellë?