Mes urdhrave ekzekutivë të presidentit i ri amerikan Donald Trump, është njoftuar dhe dekreti i veçantë që lë në Shqipëri për një kohë të pacaktuar 700 refugjatët afganë që prisnin zhvendosjen e tyre drejt SHBA.
Shqipëria pranoi kërkesën e SHBA-së për të pritur afganët në vjeshtën e vitit 2021. Me statusin e mbrojtjes së përkohshme ata kishin të drejtë të qëndronin fillimisht për një vit në vend, por afati u shty deri në gusht 2023. Sipas të dhënave, Shqipëria ka strehuar që nga viti 2021 rreth 2,400 refugjatë nga Afganistani.
Refugjatët që ikën nga vendi i tyre nga frika e ndëshkimit nga talebanët, prisnin një proces të gjatë prej katër vitesh për të filluar një jetë të re në “tokën e premtuar”, por ardhja e Trump në pushtet duket se ka shuar ëndrrat e tyre dhe premtimet e administratës së mëparshme të Biden.
Urdhri i Trump i nënshkruar të hënën i ka kaluar për zbatim te Departamentit të Shtetit, i cili drejtohet tashmë nga Marco Rubio.
Urdhri ekzekutiv, i titulluar “Riorganizimi i programit të pranimit të refugjatëve të Shteteve të Bashkuara”, thotë se pranimi i refugjatëve sipas programit “do të ishte i dëmshëm për interesat e Shteteve të Bashkuara. Programi është duke u pezulluar, duke filluar nga 27 janari, për të paktën 90 ditë, nëse nuk shtyhet më shumë.”
Urdhri thotë se pas 90 ditësh, Sekretarët e Sigurisë Kombëtare dhe të Shtetit do t’i paraqesin një raport Trumpit nëse programi “do të ishte ose jo në interes të Shteteve të Bashkuara”. Një raport do të dorëzohet çdo 90 ditë më pas derisa Trump të vendosë se çfarë do të bëjë.