Deputetja Çupi kundër koncesionit për letërnjoftimet elektronike: Ka qëllime elektorale

Në Komisionin e Ligjeve, deputetja demokrate Dhurata Çupi ka kërkuar tërheqjen e dy projekt-ligjeve të propozuara nga mazhoranca.

Sipas Çupit, projektligji për letërnjoftimet elektronike, është përpjekje elektorale e socialistëve për të favorizuar kompaninë qeveritare me koncesionin e radhës.

‘Mbi projektligjin për letërnjoftimet elektronike, duket qartë përpjekja e qeverisë për të dhënë koncesionin e radhës. Është një projektligj ku parashikimi buxhetor  mbi 5 mld lekë kosto, dhe këto efekte financiare do të përballohen nga IDENTITEK ose në varësi të studimit të vizibilitetit nga shoqëritë e tjera që kanë kapacitete teknike dhe financiare. Është një përpjekje e hapur për të intimiduar, dhe për të bërë favorin e radhës për t’ja dhënë kompanisë qeveritare koncesionin e radhës, minimum 5 mld lekë. Është një projektligj që nuk jua kërkon BE. Haptazi në kundërshtim me kodin zgjedhor.’

Çupi kërkon që ky projektligji dhe tjetri që ka të bëjë me njohjen e periudhave të punësimit në shtet për efekt pensioni në sistemin e 6 sigurimeve shoqërore, të votohen pas zgjedhjeve të 11 majit.

Ndërsa zv.ministri i Brendshëm Andi Mahila i pranishëm në seancën dëgjimore në Komisionin e Ligjeve shprehet se identifikimi elektronik nuk mund të përdoret si dokument zyrtar administrativ, për transaksione private apo publike.

‘Identifikimi elektronik nuk mund të përdoret si dokument zyrtar administrative,  për transaksione private apo publike’, tha zv.ministri Mahila.

Projektligjet e propozuara nga socialistët:

  1. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar”.
  2. Projektligji “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e 6 sigurimeve shoqërore”.

Çupi kërkon tërheqjen e këtyre dy projektligjeve.

‘Kanë qëllime elektorale, doni t’i merrni votën qytetarëve. Të votohen pas zgjedhjeve’, kërkon Çupi.

Latest articles

Related articles