TikTok ka rifilluar shërbimet për 170 milionë përdoruesit e tij në SHBA, pasi Donald Trump tha se do t’i jepte një afat prej 90 ditësh kur të merrte detyrën të hënën më 20 janar.
Në një deklaratë, TikTok tha se platforma e videove do të rikthehet në internet pasi presidenti i sapozgjedhur Donald Trump dha garancitë e nevojshme për ofruesit e shërbimeve të kompanisë, sipas nbcnews.com.
“Në marrëveshje me ofruesit tanë të shërbimeve, TikTok është në procesin e rikthimit të shërbimit,” thanë ata në një postim në X.
“Ne falënderojmë Presidentin Trump që siguroi ofruesit tanë të shërbimeve se ata nuk do të përballen me sanksione, duke ofruar TikTok për mbi 170 milionë amerikanë dhe duke bërë të mundur që mbi 7 milionë biznese të vogla të përparojnë”, vazhdoi ai.
“Ky është një qëndrim i fortë në favor të Amendamentit të Parë dhe kundër censurës arbitrare. Ne do të punojmë me Presidentin Trump për një zgjidhje afatgjatë që do ta mbajë TikTok në Shtetet e Bashkuara”, shtoi kompania