Qindra mijëra studentë dhe qytetarë demonstruan në rrugët e Beogradit këtë të premte. Ata u tubuan para godinës së Radios dhe Televizionit të Serbisë, duke kërkuar drejtësi nga presidenti Aleksandar Vuçiç dhe qeveria e vendit për tragjedinë në stacionin e trenit të Novi Sadit ku humbën jetën 15 persona nga shembja e një çatie.
Përveç llogaridhënies për atë që ka ndodhur, ata kërkojnë që të ketë pasqyrim objektiv të ngjarjeve që lidhen me tragjedinë dhe të mos ketë “lajme përçarëse mes qytetarëve”. Protestuesit mbajtën 15 minuta heshtje në nder të viktimave të Novi Sadit.
Shkak për demonstratën masive të së premtes u bë edhe një incident që ndodhi të enjten në Beograd, kur një makinë shtetërore u përplas dhe plagosi rëndë një student protestues. Ngjarja u fiksua në një video e cila u bë shumë shpejt virale në rrjetet sociale.