Ish-deputeti i PD Myslim Murrizi e konsideroi një “kapje të porositur” atë të afro 670 mijë tonë naftë që erdhi kontrabandë në Porto Romano. Murrizi theksoi se zhdoganimi në Shqipëri është shumë më i vogël se sa konsumi real, çka sipas tij tregon kontrabandën. Ai mendon që autoritetet e kanë emrin e pritësit të naftës, por s’kanë këllqe të nxjerrin.
“Si kapje me porosi do ta quaja, ose kapje e porositur. Si duket kjo ngarkesë është jashtë oligarkisë, dhe dikujt i ka prishur punë, që policia e ka gjurmuar dhe e ka kapur për 2 ditë rresht, aq naftë sa nuk e ka kapur prej 15 vitesh. Ju ftoj miqësisht ju dhe çdo media, që të investigojë duke i dërguar shkresë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, sa është sasia e zhdoganuar në Shqipëri. Shqipëria numëron rreth 900 mijë automjete të cilat gjatë një viti minimalisht duan 700-800 mijë ton. Pyesni Doganat se sa zhdoganohet. Unë besoj se zhdoganimi është shumë më i vogël në sasi se sa konsumi real. E njëjta gjë me mallrat e akcizës.
Mendoj që është goditje e porositur, sepse nafta s’ka qenë pjesë e shtratit qeveri-biznes. Kontrabanda pa autorë, meqë policia s’e bën publike porositësin, s’është kontrabandë në hava. Edhe makinat kur vijnë, kur niset e vjedhura për kontrabandë, është e përcaktuar kush do ta blejë në Durrës, sepse ai 5 lekë do t’i japë. Ku do t’i shisnin kontrabandë këto 800 mijë tonë naftë? Shqipëria ka 3-4 veta që merren me naftë. Policia duhet të na thojë kush ishte pritësi. Emrat i dinë shqiptarët, ke një Kastrati, Alpeti ka falimentu, ke Eldën, Gegën. Nuk mund të vijë batjava 800 mijë tonë naftë pa patur blerës nga pas. Unë mendoj që autoritetet e kanë emrin, por s’kanë këllqe ta nxjerrin.
Niveli i punëtorëve të anijes është shumë ordiner për ta paraqitur si sukses të aksionit. Janë prishur pazaret mes atyre që e kanë bërë rrugë atë punë, por me sa duket ngarkesa e fundit ka dalë nga rreshti. Nafta mbahet në rezervat e atyre që kanë depozitat e naftës. Kam ngritur dyshime për transportin që bën Bankersi drejt Vlorës. Në 20 vite u ka grabitur shqiptarëve 10 miliard euro, pa paguar asnjë cent tatim-fitimi. S’kam parë asnjë të reagojë ndaj kësaj kompanie kineze”.