A e ke pyetur ndonjëherë veten, si do të ishte një libër antisemitik shkruar nga një autor shqiptar? Eh, tash e tutje s’ke pse pyet më, se Ben Blushi na e ka dhënë përgjigjen. Libri i tij ”Komploti” gëlon nga paragjykime të moçme, stereotipe, e marrëzi të kulluara, që shiten ende sot si mall standard nga profitues në treg të urrejtjes. Mirëpo, ndonëse nuk shquhet për origjinalitet, ”Komploti” ka nderin e dyshimtë që do të përmendet gjithmonë si premierë e antisemitizmit letrar në shqip. Para Ben Blushit, antisemitizmi te ne është shfaqur vetëm si fenomen skajor, në publicistikën klerikaliste para dhe gjatë luftës së dytë botërore, ose, në kohën tonë, në hakërrimet kundër bamirësit George Sorros, e në postime islamistësh nëpër rrjete shoqërore. Por një vepër letrare të shkruar në shqip, a nga një shkrimtar shqiptar, me tropën e çifutit të lig – atë që francezi Bernard Lazare e quan “le manifestation scriptuaire de l’antisémitisme” – ne para Ben Blushit s’kishim. Tashti kemi. Fatkeqësisht.
Mua ky libër bizar më erdhi në dorë pothuajse me një vit vonesë, në gjysmën e dytë të shtatorit 2024, dhe kjo me shkas. Që thua ti, një shoqatë shqiptare në Stokholm e kish ftuar Ben Blushin për orë letrare rreth librit ”Komploti” më 5 tetor, e m’u lutën mua që ta moderoj. Pse dhe si ish zgjedhur ky libër, s’e di as sot e kësaj dite. Unë Ben Blushin s’e kam preferencë, kisha lexuar nga ai ”Të jetosh në ishull” dhe ”Othello arapi i Vlorës” dhe kisha arritur në përfundim se mund të rroj edhe pa të. Ars longa vita brevis, kush ka nge për autorë që s’i flasin. Po hajt, thashë, të ulem e ta lexoj ”Komplotin” shpejt e shpejt. U ula, e ngela i stepur!
”Komploti” është historia e një komploti çifut kundër shqiptarëve që mbush 276 faqe, zi mbi bardhë, e cila, sipas vetë autorit, është shkruar në periudhën shkurt-prill 2023. Ngjarja e librit zhvillohet në të ardhmen, në një Shqipëri distopike të viteve 2043 – 2044 ku shqiptarët lëshojnë vendin me shumicë dhe ku ikanakët pjellorë afganë janë bërë minoritet i madh. Po, makineria e klisheve bluan edhe kategori të tjera, afganë pjellorë, shqiptarë gdhë, e gra feministe që urrejnë martesën, idiotë të vyeshëm dhe statistë të komplotit çifut. Me fjalët e Blushit në fillim të romanit:
- Në vjeshtën e vitit 2043, tre çifutë u takuan në plazhin e Durrësit. Ky takim do të ishte i parëndësishëm për kujtimet e secilit prej tyre dhe as do të gjente vend në ndonjë nga arkivat që regjistrojnë komplotet e shumta të çifutëve nëpër botë, sikur atë ditë të mos ndodhte një ngjarje që do t’i detyronte tre çifutët të organizonin një plan për të devijuar rrjedhën e historisë së një shteti të vogël si Shqipëria.
Kjo është, si të thuash, tungjatjeta me të cilën të pret që në hyrje libri ”Komploti”. Tri kryepersonazhet e librit janë stereotipe nga trashëgimia më e zezë e antisemitizmit. Merre psh, Lavi Elton, i cili është njëherit edhe gay, edhe grykës i mefshtë, edhe agjitator i flaktë në kongrese të çifutëve; inkonsekuencat në ndërtim të karakterit s’i prishin punë Blushit, për sa kohë që janë të gjitha negative. Lavi Elton është i rritur nga nëna çifute franceze, e cila është feministe, ndaj natyrisht që urren fëmijët dhe vetë idenë e familjes (fq. 61). Ai vetë ka ardhur të jetojë në Shqipëri në një pronë të trashëguar, pse i përshtatet klima dhe banorët gdhë. Lavi lëngon nga ”huqi më i keq i çifutëve, të bëjnë para” (fq. 67) prandaj bën pazare të paskrupullta me krerët e PPSH (fq. 68-69), bëhet profiter i tranzicionit (fq. 70) dhe dikur monopolisti më i madh i vendit, duke shitur ”çdo litër naftë që shqiptarët përdornin për makinat e tyre” dhe duke ndikuar mbi qeveritë (fq. 71). A të thashë që nëna e tij franceze është nga familja Rothschild? Lavi Elton është stereotipi i çifutit të lig kapitalist që dirigjon ekonominë nga hija.
Komplotisti tjetër, Leonid Trocki, nis jetën si Hasan Dosti, infermier në Gostivar. Ai kërkon të vrasë veten me helm minjsh kur merr vesh se gjyshja i qenka përdhunuar seksualisht nga Leon Trocki, e se ai vetë qenka pjellë çifute; shkëpusim nga fq. 90:
- ”përveç shumë ceneve që kishte si komunist, si rus dhe si burrë, (Trocki) kishte dhe një problem tjetër, që ndoshta ishte problemi i problemeve: ai ishte çifut dhe ndoshta kjo ishte arsyeja që nuk e donin jo vetëm rusët dhe gjermanët, por e gjithë bota” (fq. 90).
Mbasi shpëton pashpjegueshëm nga tentimi i vetëvrasjes, Hasan Dosti ndërron bindje njësoj pashpjegueshëm (them gjithnjë pashpjegueshëm, se Blushi s’lodhet të na tfillojë gjë) dhe arratiset në Shqipëri, ku ndërron edhe emër. Bëhet Leonid Trocki, agjitator demonik që kërkon të përmbysë Shqipërinë. Ky është stereotipi i çifutit radikal; lexuesi ironik do ta vërejë që Blushi këtë personazh e nxjerr ”kosovar” dhe të huaj; thua ti se kryekomunisti shqiptar s’ka ardhur nga Gjirokastra po nga Gostivari.
Treshja e ligë plotësohet nga Simon Shuter; emri i tij të kujton Simon Shuteriqin, vëllain e Dhimitër Shuteriqit, ky i fundit gjysh i Ben Blushit. Personazhi Simon Shuter gjyshin e ka komunist çifut (fq. 117). Por ai vetë ”nuk ndryshon fare nga Juda. Është çifut dhe të vret për para” (fq. 123). Shuter mirret me konsulencë politike, zgjedh kryetar bashkie të vdekur dhe rrënon qytete të Shqipërisë (fq. 101) thjesht pse urren shqiptarët dhe mendon se meritojnë të kenë të vdekurit në krye (fq. 102). Blushi s’na jep ndonjë motiv të kësaj urrejtjeje veç asaj se shqiptarët s’i kanë bërë asnjë të keqe. Në ideologjinë antisemitike, ligësia e çifutit s’ka nevojë për shpjegim tjetër pos vetvetes. Shkëpus nga fq. 194:
- ”Jetonte duke i bërë keq Shqipërisë… Kjo nevojë ishte më e fortë se ai… Nuk e kuptonte nga i vinte kjo dëshirë për t’i bërë keq vendit ku jetonte. Ndoshta ngaqë ishte çifut, ndonëse Shqipëria nuk i kishte persekutuar ndonjëherë çifutët dhe familje e tij nuk kishte vuajtur kurrë për shkak të gjakut dhe origjinës.”
Shuteri komprometon moralisht dhe divorcon gra të martuara (fq. 107), e është ”Gjeni i së Keqes” (fq. 108); veni re germat e mëdha! Simon Shuteri është stereotipi i çifutit që manipulon politikën dhe mediat.
Trocki që gërryen në nëntokën radikale. Eltoni që kontrollon ekonominë. Shuteri që manipulon politikën e mediat. Të tri figurat janë pjesë e një trinie të lashtë të antisemitizmit. Edhe pëshpëritjet e viktimave që pësojnë nga djallëzitë e tyre (fq. 124) tingëllojnë si remineshencë e mynxave që hidheshin mbi çifutët gjatë predikimeve të Mesjetës:
- ”Po kalon çifuti, erdhi Juda, ky është ai që do të na vrasë gjyshin, ku është ai që na nxiu Pashkën”
Te ”Jewish Stereotypes in Critical Focus”, Dana Mihailescu, që ka doktoruar në letërsi, përshkruan tropet me të cilat përshkruhen personazhet çifute në antisemitizmin letrar. Ata janë, midis tjerash, degjenerikë të degraduar moralisht, të fantaksur mbas lekut, sfidantë të pasjellshëm, e të padenjë për shtetësinë e vendit ku jetojnë; me pikë e presje tri kryepersonazhet e Blushit. Madje edhe tiparet fizike përkojnë. Mihailescu përshkruan p.sh. portretin e radikalit që manipulon njerëzit e thjeshtë për ta përmbysur rendin e vjetër, me flokë kaçurrelë, hundën kërrabë, e sytë demonikë; krahaso me karrikaturën naziste që i bën Ben Blushi personazhit të Hasan Dostit aka Leonid Trocki në fq. 119:
- Leonid Trocki… dukej menjëherë se ishte çifut. Sytë e tij të veckël, hunda e gjatë dhe me kurriz, mjekra e shkurtër prej rabini dhe, mbi të gjitha, veshët e ngjitur që i dilnin nga flokët kaçurrelë, nuk mund të gabonin. (fq 119)
Mihailescu thotë se si letërsia antisemitike zakonisht i ballafaqon çifutët dinakë e demonikë me popullsisë vendase, gjermanë, francezë, rusë a amerikanë, të cilat rëndom përshkruhen edhe ato me terme negative. Quhen provincialë të pakulturuar, gdhë, të trashë të patëkeq. Fiks kështu i gjen shqiptarët te Blushi anno 2040. Janë denbabaden humbës injorantë, të paaftë në paqe e të pazotë për luftë, që s’u bien dot në erë djallëzive të komplotistëve çifutë, e ikin me shumicë ”për t’u shpëtuar përgjegjësive” (fq. 164). Mihailescu këtë tropë e quan reciprocitet stereotipesh negative. Kjo ndërsjelltësi shkon në funksion të antisemitizmit letrar, për të kontrastuar vendasit natyrmirë e babaxhanë me ligësinë, djallëzinë, e dinakërinë e çifutit. Caku vetëkuptohet. Alvin H. Rosenfeld, te ”What to do About Literary Anti-Semitism” e përmend ”mundësinë e rrezikshme, të aktualizuar tmerrshëm në Evropë midis 1933 e 1945, për të kaluar nga urrejtja letrare anti-çífute në vrasje të mirëfillta komunitetesh të tëra”.
Sa i përket vetë komplotit që i ka dhënë titullin veprës, ai në fakt s’është një i vetëm, por një seri komplotesh. Çifutët komplotojnë, veç e veç dhe bashkarisht, për të fituar monopol mbi tregtinë e naftës. Për zgjedhur një të vdekur si kryetar bashkie. Për të miratuar ligje për eutanazinë. Për të përmbysur rendin e shoqërisë. Për të nisur luftëra me fqinjët. E për t’iu bashkuar Rusisë; midis tjerash. Një kaos ky komplotesh të mbushura me nge nga kryepersonazhet çifute, ashtu si mbushen fishekët në rrotull të revoles, për t’u shkrehur në shpinë shqiptarëve idiotë, të cilët s’kanë idenë se ç’bëhet dhe prandaj ”s’meritojnë më mirë”. Libri të jep një intrigë infantile, të çakërdisur e të pamotivuar artistikisht (mender që përdor këtu këtë fjalë) dhe, sinqerisht, të lodhshme, që s’meriton ta marrësh seriozisht.
Do ta them ashtu siç është. Fabula e romanit është si një klloun i dehur cirku në kominoshe naziste që mezi qëndron në këmbë, duke u mbajtur te një shtyllë antisemite. Dhe kjo shtyllë, kjo centre piece ku mbahet intriga e shpartalluar, është e vjetër sa bota. Tre çifutët komplotistë të Blushit pajtohen gjer në lot se:
- ”Pa sionizëm s’do të kishte nazizëm”, ”ne i kthyem gjermanët vetë në nazistë, duke i frikësuar se do t’ua merrnim shtetin, pasurinë dhe të drejtat. Nëse çifutët nuk do të ishin fiksuar pas idesë së Sionizmit, pra ngritjes së një shteti çifut, Holokausti nuk do të kishte ndodhur”
- ”Pse na duhej ne çifutëve një shtet, kur ne mund të komandonim të gjitha shtetet e mëdha të botës, përfshi Gjermaninë, Rusinë, Francën, Anglinë dhe vetë Amerikën… Ne i detyruam të tjerët të na urrejnë.” (fq 52).
Në fq. 53, ata analizojnë me të njëjtën talent gjykimi mbi tmerret e shekull njëzet
- ”Ne i përçamë europianët në nazistë dhe komunistë. Ne krijuam edhe nazizmin, edhe komunizmin dhe i futëm në luftë me njëri-tjetrin, duke u shkaktuar më shumë viktima se vetë Holokausti”
- ”Ne i shkaktuam Europës mbi 60 milionë të vrarë dhe një ndarje, nga e cila ajo nuk po e merr veten dhe që shkakton luftë pas lufte, siç është rasti i Ukrainës”
- “Nëse Gjermania nuk do të ishte bërë naziste, Rusia do të kishte mbetur një vend komunist dhe nuk do të ishte shndërruar në diktaturë staliniste, që nuk kishte asnjë lidhje me komunizmin e pastër.”
dhe gjejnë diku një tepricë urtësie, sa për të shashtrisur edhe të sotmen:
- Pasoja e Sionizmit, pra e krijimit të shtetit të Izraelit në Palestinë, është nxitja e konfliktit midis Islamit dhe Perëndimit. Fatkeqësisht, çifutët janë vetë sherri dhe vetë arsyeja e sherrit. Arabët dhe pas tyre të gjithë muslimanët e rruzullit tokësor do të kishin jetuar të qetë si tregtarë shkretëtire, duke shitur naftën dhe erëzat e tyre të nxehta, nëse Izraeli nuk do të vendosej në tokat palestineze. Krijimi i Izraelit, i ktheu palestinezët në luftëtarë, muslimanët në terroristë, e arabët në djaj. Islami dhe Perëndimi janë në luftë sot për shkak të çifutëve. Fq 53
Tashti, bibliotekat kanë rafte kilometrikë plot me vepra shkencore nga profesionistë që dëshmojnë origjinën gjermane të nazizmit. Rrënjët dhe metodat evropiane të Holokaustit. Rrënjët ruse të stalinizmit që nga Ivan Grozni e këtej. Pogromet e përsëritura të arabëve kundër fiseve çifute që nga koha e Muhametit, larg para se të zinte fill ideja e sionizmit. E arsyet e errëta pse ushqehen mite për gjoja kontrollin e fshehtë të çifutëve mbi botën, mite këto që kanë justifikuar pogrome pa numër. Por Blushi s’mërzitet për këso cikërrimesh. Louis Harap, te ”The Image of the Jew in American Literature”, thotë:
- Persistenca e stereotipeve, kur të jenë shfaqur një herë, sugjeron se trajtimi i çifutit në letërsi është komplet statik, i shkëputur nga njohja me çifutë të vërtetë, e i bazuar mbi konvencionet letrare të karakterit të çifutit, e mbi klishe të ingranuara në shoqëri.
Unë për vete nuk gjej se shqipja ka pasur konvencione letrare, a ingranazh shoqëror paragjykimesh antisemitike, para veprës së Blushit. Si pasojë, më del se ai ka kërkuar larg e larg, me qiri e pishë, për të gjetur e për të mbjellur në shqip konvencione e ingranazhe të një ligësie të lashtë; Blushi ka hequr keq për të bërë keq. I ka ai vërtet këto mendësi injorante, për çifutët, për evropianët, për shqiptarët? Apo tjesht ka bërë një pakt me djallin, sa për publicitet?
Këtë unë s’mund ta di. Miqtë e mi në shoqatë të Stokholmit më thonë se e paskan pyetur Ben Blushin gjatë orës letrare, nëse ai ka qëllim antisemitik. E se ai u është përgjigjur shkurt, ”jo, çfarë”. Tashti, unë e ti mund të mendojmë çfarë të duam për këtë përgjigje të thellë. Tek e fundit, qëllimi i Blushit s’është me rëndësi. Daniel Walden, te punimi i vet ”Three Cases of Literary Anti-Semitism”, shkruan: ”Antisemitizëm quhet kur shfaq paragjykime ndaj çifutëve, mospëlqim a frikë ndaj çifutëve a gjërave çifute, e narrativa që përligjin diskriminim e persekutim çifutësh, pse janë çifutë. Antisemitizmi në letërsi quhet antisemitizëm letrar. Qëllimi i autorit s’luan rol.”
Siç e kuptove, besoj, unë u zbrapsa nga moderimi i orës letrare me Ben Blushin në Stokholm. ”Dikush që shpërndan letra antisemitike është njësoj i lig si ai që djeg një sinagogë, a e mbyt me hu një çifut në rrugë”, shkruan Byrnes tek ”Anti-Semitism in Modern France”. Shoqata bëri ashtu si mundi. Mua më ka marrë kohë – dhe dy lexime të tjera të librit ”Komploti” – për të qenë krejt i sigurt për këtë që do të them këtu në vijim: ky libër është skandal. Skandal është edhe kritika jonë letrare , që nderon mbretin lakuriq. Që hesht tash një vit e kusur për mangësitë artistike të librit, për klieshetë e trasha që e përshkojnë atë, e për thepisjen morale të autorit.
Ky libër nuk duhej të ish shkruar fare. Çdo intencë artistike e autorit, nëse ka patur të tilla, do të shprehej më mirë pa antisemitizëm, se arti s’bëhet dot me stereotipe. Them se Blushit do t’i kish bërë mirë po të ish refuzuar nga botuesi i vet, historia është plot shembuj shkrimtarësh që janë ngritur në maja të letërsisë pas një refuzimi. Jo pse unë kujtoj që Ben Blushi bën pjesë në këta autorë, Zot ruana. Por mbase mund të kish shpëtuar pa u menderosur kështu si te ”Komploti”. Se, me fjalët nga Charles Olson për poetin Ezra Pound, “kush sulmon një racë, s’i duhet më askujt si artist”.
/Shqiptar Oseku