Prof. Jupi: Mungesa e energjisë elektrike dështim i menaxhimit, dëmton pajisjet elektroshtëpiake

nga Prof. TAULANDA JUPI

Mungesa e energjisë elektrike në një pjesë të madhe të Shqipërisë, pa ndonjë arsye të dukshme si moti i keq apo riparime të planifikuara, vë në pah dobësitë e thella strukturore dhe menaxheriale të sektorit energjetik. Kjo situatë, përveçse cënon cilësinë e jetës së qytetarëve, është një pasqyrë shqetësuese e realitetit.

Një problem i tillë nuk është thjesht një sfidë teknike; ai reflekton mungesën e një vizioni strategjik dhe të menaxhimit efektiv të infrastrukturës. Në Europën e shekullit XXI, siguria dhe vazhdimësia e furnizimit me energji elektrike janë standarde të mirëqenies dhe të zhvillimit. Ndërprerje të tilla, pa paralajmërim dhe pa transparencë, krijojnë një hendek të madh midis realitetit dhe pretendimeve për progres drejt BE-së.

Pasojat janë të shumëfishta. Në planin ekonomik, bizneset humbasin produktivitetin, ndërsa familjet vuajnë nga mungesa e kushteve minimale të jetesës, veçanërisht në stinën e dimrit. Në planin social, ndërprerje të tilla theksojnë pabarazitë, duke prekur veçanërisht shtresat më të pafavorizuara që mbështeten te burimet minimale të ngrohjes dhe ndriçimit..

Më shqetësuese është mungesa e përgjegjshmërisë dhe transparencës nga ana e institucioneve. Qytetarët nuk marrin as shpjegime të qarta dhe as garanci për përmirësime të situatës. Në vend të një shteti që përmbush detyrimet e tij themelore, qytetarët përballen me një realitet ku ata janë të detyruar të pranojnë errësirën, të ftohtin dhe pasigurinë.

Latest articles

Related articles