nga Erl Kodra
Zgjedhjet e 11 Majit janë në prag. Të gjithë aktorët e mbajnë veten me gajret se ata do të jenë fituesit. Por kësaj rradhe gjërat do të jenë ndryshe. Situata është pak a shumë kjo:
Që kur në krye të SPAK erdhi Altin Dumani, politika shqiptare ka humbur qetësinë, veçanarisht Kryeministri Edi Rama. Ai e ka më të qartë se gjithkush në Shqipëri se në momentin që nuk do të jetë më Kryeministër, do të arrestohet si Kryehajduti i Shqipërisë. Kjo për dy arsye të thjeshta; në të gjitha çështjet penale që u janë hapur vartësve të tij gjendet edhe Edi Rama, dhe e dyta, provat që janë në dosjet e SPAK nuk mund të injorohen, sa kohë që bazuar mbi ato prova njerëz shumë të afërt të Kryeministrit sot po bëjnë burg. Ai është brenda në të gjitha dosjet e Vangjush Dakos, Arben Ahmetajt, Ilir Beqjas dhe deri tek dosja e Erion Veliajt. Madje është edhe tek Sali Berisha dhe Ilir Meta. Me fjalë të tjera, nëse secili prej tyre ka gjurmët e veta në ato dosje, Rama gjendet tek të gjitha provat.
Erion Veliaj ka marrë rrugën e burgut me katër akuza nga më të rëndat. Të gjithë e dinim se ai është një hajdut i neveritshëm, por tani që SPAK i bëri ato publike, gazetarët dhe mediat afër pushtetit po shkruajnë hapur se Erion Veliajt po i shkelen të drejtat e njeriut. Sigurisht që edhe një hajdut i pështirë ka të drejtat e veta, por ky nuk është rasti i Veliajt. Në ditët dhe muajtë në vazhdim do të shohim metamorfoza të paimagjinueshme se si do të konsolidohen rradhët e të akuzuarve të SPAK. Nëse se keni lexuar akoma, me shumë mundësi do të lexoni shkrime të Bushatit dhe Shkullakut (janë vetëm shembuj) duke ia mbrojtur të drejtat e njeriut Erion Veliajt. Ashtu siç ia kanë mbrojtur deri tani edhe Arben Ahmetajt.
Prandaj zgjedhjet e 11 Majit kanë marrë një rëndësi të jashtëzakonshme. Pyetja që shtrohet është kjo; kush do të fitojë në Shqipëri, SPAK apo Hajdutët?
Skenari që po luhet është ky:
Nëse Edi Rama fiton 71 mandate, Sali Berisha me siguri që i fiton deri në 35 mandate. Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 Majit do të jetë taze, por numrat që do të diktojnë jetën politike të vendit do të jenë deputetë të emëruar nga Edi Rama dhe Sali Berisha. SPAK-u – që pothuaj ia ka ngrënë gjithë vathën Edi Ramës – është kërcënimi real i pushtetit okult të 34 viteve. Në këto rrethana nuk ka më skurpuj, por pa pikën e dyshimit ata do të bashkojnë votat për ta zhbërë “Republikën e Prokurorëve” dhe “organizatën kriminale” SPAK. Sigurisht, me shpresën dhe sytë tek Donald Trump dhe Richard Grenell (që nuk ka shanse të zhbëjnë atë që është arritur deri tani).
Disa gaztorë mund të thonë se do të fitojë Partia Demokratike, por ky është një shkrim serioz, ndaj ata i këshilloj mos ta lexojnë tekstin tim. Ndaj i vetmi skenar është nëse Rama do t’i bëjë i vetëm 71 deputetë, apo ai nuk do të arrijë të kalojë pragun e magjishëm që e mban jashtë burgut. Nëse Rama nuk i fiton 71 mandate, shanset janë që vendi të hyjë në një krizë të mirëpritur politike. Them të mirëpritur, sepse në Shqipëri nuk ka patur kurrë kriza politike – përjashto krizën e vitit 1997. Po të kish patur kriza politike, nuk do t’i kishim të njëjtët politikanë prej 35 vitesh.
Duket se sekreti i artë do të jenë partitë e reja, nëse ato do të jenë në gjendje të gërryejnë mjaftueshëm vota nga Edi Rama, sa t’ia heqin mundësinë që ai të krijojë i vetëm qeverinë. Kjo për faktin e thjesht se armiku i përbashkët i Ramës, Berishës dhe Metës është SPAK, ndaj ata mezi presin që të bashkohen edhe njëherë që t’ia presin hovin. Edi Rama ka nevojë jetike për Sali Berishën, po ashtu Sali Berisha ka nevojë jetike për Edi Ramën. Topat e Altin Dumanit po ua fundosin flotat të dyve, megjithë ekuipazhet.
Sigurisht ky nuk është fundi i botës, por i Edi Ramës dhe Sali Berishës. Ne na kanë vdekur nana e baba, dhe prapë ia kemi dalë. Do ia dalim edhe pa këta të dy.