Sot në mëngjes shfletova këtë intervistë të presidentit serb Aleksandër Vuçiq për median gjermane “Handelsblatt”. Meqë m’u duk interesante, po e sjell të përkthyer për publikun që ka kërshëri, pasi flet për luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Gjermaninë. Po ashtu, nga kjo intervistë kuptojmë se si bëhet një operacion makiazhi kur politikanët ndodhen në situatë të vështirë. Ne kemi operacionet që kryen Edi Rama me Parashqevinë dhe mbylljen e “TikTok”-ut, ndërsa ky flet për varësinë gjermane nga lëndët e para në Serbi si edhe për furnizmin e Evropës dhe Serbisë me gazin rus.
Nga Sebastian Zonja
*
Presidenti serb Aleksandër Vuçiq po kalon orë të vështira. Pasi u shemb soleta e një stacioni treni në Novi Sad, shpërthyen protesta në të gjithë vendin. Qytetarët fajësojnë korrupsionin dhe keqmenaxhimin qeveritar për shembjen e soletës. Po ashtu, vijojnë akuzat se Serbia po nxit trazira në Kosovë.
Vuçiqi është ulur në një kolltuk të veshur me lëkurë, në bibliotekën e rezidencës presidenciale. Ai është president i republikës që nga viti 2017, e cila është po aq e përçarë sa vetë rajoni. Të rinjtë serbë përpiqen të bashkohen me Perëndimin, ndërsa pjesa tjetër e popullsisë kërkon afërsi më të madhe me Rusinë .
Serbia vijon të furnizohet me gaz nga Rusia. Beogradi nuk po shkëputet me vendin simotër, por i ka zbutur lidhjet. Ka gjithashtu aleancë të ngushtë me Kinën, njëri prej investitorëve më të mëdhenj të huaj në vend përkrah gjermanëve. Edhe pse Serbia po përpiqet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, politika e jashtme nuk është në thelb në përputhje me këtë kuadër, që dëfton kundërshtinë ndaj anëtarësimit në BE. Kritikët flasin gjithashtu për defiçitet sa i përket sundimit të ligjit – për shembull, që qeveria ndërhyn masivisht kundër lirisë së shtypit dhe lirisë së shprehjes.
Ndërkaq, pohohet ndikimi pozitiv i faktit se vendi ka depozita litiumi, të cilat presidenti serb dëshiron t’i bëjë të aksesueshme për industrinë gjermane të automobilave.
Nën presidentin amerikan Xho Baiden, Evropa kishte një partner të besueshëm. Donald Trampi merr detyrën më 20 janar. Ju e njihni atë dhe kohët e fundit keni pasur një bisedë telefonike me të. A do të bëhet më e vështirë situata?
Shumëçka do ndryshojë. Marrëdhënia strategjike me Kinën do të jetë shumë e rëndësishme për Donald Trampin – ne evropianët duhet të jemi të qartë për këtë. Ndaj është mirë që Gjermania ka zgjeruar kontaktet e saj me Kinën, diçka që duhet të ndodhë edhe në nivel evropian tani.
Sepse Trampi do të ketë kujdes për Evropën. Ndaj BE-ja është mirë t’i fillojë bisedimet sa më shpejt.
Çfarë zhvillimesh duhet të ketë saktësisht?
Kërkohet racionalitet, me një strategji afatgjatë dhe jo me politika që drejtohen nga biznesi i përditshëm. Në Evropë kemi nevojë për vizion dhe veprim vendimtar afatgjatë, për të siguruar vendin tonë në botën e së nesërmes.
A mund ta sqaroni se çfarë doni të thoni me këtë?
Një shembull: Ne dëgjojmë çdo ditë se Ukraina duhet të fitojë patjetër. Por a duhet të veprojë kështu Europa? Jo. Nevojitet një qasje më racionale për t’i dhënë fund gjakderdhjes. Përgjithësisht, Evropa po humbet peshën e saj në botë. Pesha jonë në ekonominë globale po zvogëlohet përvit. Azia, nga ana tjetër, po fiton terren, po ashtu edhe Afrika. A do qëndrojmë duarkryq dhe të shohim si përgjysmohet pesha jonë në ekonominë globale, duke shkuar nën dhjetë përqind për dhjetë apo pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme?
Le të supozojmë se analiza është e saktë. Sipas mendimit tuaj, si mund të parandalohet përplasja?
Ne duhet të vërejmë se ç’po ndodh rreth nesh dhe të përballemi me ndryshimet në botë. Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më shpejt do të shërohemi. Le të marrim Gjermaninë. Ka qenë konkuruese ekonomikisht prej gazit të lirë nga Rusia. Tranzicioni nuk po ndodh aq shpejt, energjia është shtrenjtuar në Gjermani. Ndërkohë, ju keni nevojë urgjente për energji të lirë!
E dimë këtë problem. Cila është zgjidhja?
Po guxoj të bëj një parashikim: maksimumi brenda një vit, gazsjellësi “Rrjedha veriore” (“Nord Stream”) do të jetë në pronësi të një investitori amerikan dhe gazi do të vijë nga Rusia drejt Evropës përmes këti tubacioni. Mbaji mend fjalët e mia! Një vit derisa “Rrjedha veriore” (“Nord Stream”) të fillojë të funksionojë!
Pa armëpushim, në këtë drejtim s’ndodh asgjë. Ju e njihni Vladimir Putinin, Shi Xhinpingun, Trampin dhe presidentin ukrainas Volodimir Zelenski. Cilat janë shanset për paqe?
Pati një ide për armëpushim midis 23 dhjetorit dhe 8 janarit të 2025-ës. Pra, ditët e Krishtlindjes së krishterë dhe ortodokse. Pas pesëmbëdhjetë ditësh paqeje, kishte me qenë shumë e vështirë të rifillonin luftimet. Por nuk jam i sigurt se ndonjëra prej palëve është gati për këtë. Vetëm kur të fillojnë bisedimet midis lojtarëve kryesorë globalë do të ketë paqe. Kjo gjakderdhje duhet të marrë fund sa më shpejt.
A do ta përdorë Kina ndikimin e saj që palët të ulin armët?
Pata bisedë të hapur për këtë çështje me presidentin Shi më shumë se gjashtë muaj më parë, më 8 maj. Ai është karakter shumë i qetë, i përulur dhe i patrembur. Fjalë për fjalë, Shi më tha: “Aleksandër, s’do ketë asnjë lëvizje deri në janar. Më pas, mund të fillojnë negociatat.” Shpresoj se njerëzit do fillojnë të flasin për paqen.
A mendon se Kina është e gatshme të ndërmjetësojë seriozisht? Deri më tani ka mbajtur fort anën e Rusisë dhe ekspertët supozojnë se Pekini ka rol kyç për makinerinë ruse të luftës.
Bazuar në diskutimet e mia me Shinë, mendoj se Kina është duke ndërmjetësuar.Gjithashtu është shenjë e mirë pasi Kina mund të ushtrojë ndikim më të madh në Moskë. Veçse, jam i shqetësuar se diçka e keqe mund të ndodhë përpara se të ketë armëpushim.
Çfarë nënkuptoni?
E kam fjalën për një përshkallëzim të mëtejshëm dhe Rusia kundërpërgjigjet duke goditur sistemet raketore perëndimore. Gabohet kushdo që mendon se Putini nuk do t’i përdorte këto armë të fuqishme.
Po flisni për armët bërthamore?
Sërish, besoj se me Donald Trampin do t’i afrohemi paqes. Është shumë e rëndësishme për Evropën dhe për Gjermaninë, e cila nuk ka interes të tërhiqet drejt një lufte. As ne në Serbi.
Luftën e filloi nga Rusia dhe Moska nuk po tregon interes për t’i dhënë fund.
Dakord. Dikush tjetër duhet të negociojë paqe tani.
A ka shanse një marrëveshje paqeje që ka shpallur presidenti i ardhshëm amerikan Donald Tramp?
Vërej tre pika të rëndësishme në këtë diskutim: Trampi nuk do ta mbështesë Ukrainën financiarisht aq sa administrata aktuale. Ka premtuar gjithashtu se do sjellë paqe dhe ka të ngjarë të bëjë gjithçka që mundet për ta përmbushur këtë premtim, për sa kohë që lufta nuk përshkallëzohet.
A do të ketë fitues dhe humbës të qartë pas lufte?
Sigurisht, humbësit më të mëdhenj të kësaj lufte janë ukrainasit. Ndërkohë, humbin edhe rusët, edhe ne evropianët. Përfitojnë SHBA-të dhe Kina. Njëri është duke forcuar pozicionin në tregun energjetik dhe Kina tashmë ka një ide të qartë se si çdo vend perëndimor i përgjigjet agresionit.
Javën e kaluar udhëtuat drejt Gjermanisë për bisedime me kancelarin Olaf Sholc rreth partneritetit strategjik për lëndët e para që keni rënë dakord me BE-në. Gjermanët supozohet se tani do t’ju ndihmojnë për shfrytëzimin e litiumit pa shkaktuar ndotje mjedisore, për të cilën ka shqetësimet qytetarësh. Ndërkohë, ju premtuat përmirësim të dialogut me qytetarët që preken. A po përparon projekti?
Po, sidomos tani me mbështetjen e palës gjermane. Ky partneritet ka rëndësi të madhe strategjike për të dyja palët. Gjermania do të jetë i vetmi vend që do furnizojmë direkt me litium. Serbia po pozicionohet kësisoj si njëra nga shtyllat e industrisë gjermane të automobilave, e cila ka nevojë për lëndën e parë për prodhimin e baterive për automjetet elektrike. Deri më tani, Evropa ka qenë e varur nga importet nga Kina, Australia dhe Amerika e Jugut. Ne duam t’i japim fund kësaj.