Apeli i Posaçëm mbylli shqyrtimin e e inceneratorit të Fierit ku SPAK ankimoi vendimin e Shkallës së Parë dhe kërkoi rëndimin e pozitave penale për ish- sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllakon dhe personat e tjerë të dosjes.
Shqyrtimi i kësaj dosjeje që në Shkallën e Parë u krye me procedurë të shkurtuar u riçel në Apel dhe u morën në pyetje disa dëshmitarë, si edhe e pandehura Arjola Kodra, administratore e inceneratorit të Fierit, e shpallur e pafajshme.
Në gjykim, prokurori i SPAK, Dritan Prençi i kërkoi Gjykatës të deklarojë fajtor për akuzat të gjithë të pandehurit e çështjes, përfshirë Alqi Bllakon, Arben Dervishajn, Juri Imerajn dhe Arjola Kodrën, që fituan pafajësinë Shkallën e Parë.
Vendimin, Apeli i Posaçëm vendosi ta shpallë më 19 dhjetor.
Për inceneratorin e Fierit, Gjykata dënoi me 6 vjet e 8 muaj burg sh-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “pastrim të parave”.
Ish-deputeti Bllako u fajësua vetëm për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe u dënua me 2 vjet e 8 muaj, ndërkohë u rrëzua akuza e korrupsionit.
Zotërues i kompanisë koncesionare të inceneratorit të Fierit, Klodian Zoto, u dënua me 12 vite burg. Nga 4 akuza për “korrupsion” Zoto u deklarua fajtor vetëm për një prej tyre, ndërsa u gjet fajtor edhe për “mashtrim me pasoja të rënda”, “krijim skemash mashtruese” dhe “ pastrim të parave”.
Për të pandehurit e tjerë, Gjykata dha pafajësi, ose dënime nga 3 në 3.5 vite burg, për të cilët më pas u vendos pezullimi i dënimit me burg ose lirim nga qelia, pasi koha e qëndrimit në paraburgim ishte më e madhe se dënimi i dhënë.