nga Marsela Roshi Likaj
Para pak ditësh, pikërisht kur na theri në zemër ngjarja makabre që i kushtoi jetën Martinit, gazeta gjermane „Spiegelmagazin“ raportonte se në një shkollë në Saksoni kanë futur në mësim orën e “Lumturisë” për fëmijët e moshës 10-11 vjeç. Në dy-orëshin e „Lumturisë“ fëmijët e klasës së pestë flasnin për futbollin apo për ato gjëra që, përveç të ngrënit dhe të pirët, ata i quajnë të domosdoshme për jetën. Fëmijët flasin për „trishtim“ dhe „kriza paniku“, ata kanë nevojë të shprehen. Në shkollë mësohet tabela e shumëzimit, drejtshkrimi, formula të ndryshme, flitet për rezultate, konkurencë etj., por rrallë flitet se se ku çon e ardhmja. Fëmijët sot e ndiejnë presionin e ritmit të shpejtë të jetës, përballen me një fluks të madh të informacionit dhe kërkojnë vëmendjen e prindërve të cilët janë lidhur pas telefonit, – vijon gazeta. Këtë të fundit m’u desh ta rilexoja për të qenë e sigurt që e kisha kuptuar saktë. – Po, po, është saktë, prindërit janë ngërthyer pas telefonit e nuk u kushtojnë vëmendjen e duhur fëmijëve dhe jo anasjelltas, siç gjykojmë ne kur flasim për fëmijët dhe të rinjtë sot. Ajo që bëjnë prindërit është shkaku, reagimi i fëmijëve, pasoja. Në shkollën e sipërcituar fëmijët mësojnë se preokupimi dhe dështimi janë pjesë e jetës, mësojnë si të përballojnë frikën dhe si të ringrihen. Gazeta gjermane shtron pyetjen: A mësohet dot „Lumturia“ ndërsa mësuesja përgjigjet: Nuk ua gjej dot unë lumturinë, por mund t’i ndihmoj të gjejnë rrugën për të mbërritur tek ajo. Unë u krijoj hapësirën e nevojshme për të menduar për veten dhe nevojat e tyre.
Përfundoj leximin e lajmit dhe i kthehem emisioneve tona që flasin për ngjarjen makabre. Gazetarë që ngulmojnë në pyetjen stereotip: Si u ndjetë në ato momente? E si mund të ndjehet njeriu pas një tmerri të atillë?!
Diskursi orientohet më së shumti kah dhimbja dhe argumentit i lihet pak vend. A thua mjaftojnë lotët…