“Kadare ishte në ankth për sulmet që i bëheshin gjuhës shqipe”- Rama

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar për Gjuhën Shqipe tha se artisti i madh i letrave shqipe, Ismail Kadare, ishte gjithmonë në ankth për sulmet që i bëheshin gjuhës sonë.

“Sot mungon një lëvrues aq i lartë i gjuhës shqipe, Ismail Kadare. Mjafton t’i referohesh faqeve të tij. E kujtoj sa ankth kishte nga sulmet që i bëheshin gjuhës shqipe. Po ju rikujtoj disa vargje të tij: “Kur panë se gjuhës S’i hodhën dot prangat, Lëshuan drejt saj Gjithfarë merimangash. Parashtesa e pjesëza E lidhëza së prapthi, Të bukurën gjuhë Ta bënin lesharapi””, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh më tej se historia ka treguar se sa e guximshme ishte vendimmarrja e Kongresi të Manastirit për një alfabet të veçantë në gjendje për të shprehur shpirtin dhe botëkuptimin e shqiptarit.

Rama: Historia ka treguar se sa e guximshme ishte vendimmarrja e Kongresi të Manastirit për një alfabet të veçantë në gjendje për të shprehur shpirtin dhe botëkuptimin e shqiptarit. Ishte ai moment që frymëzoi Ndre Mjedën të shkruante poezinë që e mësonim përmendësh në shkolla: “Përmbi za që lshon bylbyli, gjuha shqype m’shungullon, përmbi er’ që jep zymbyli, pa da zemren ma ngushllon. Geg’ e tosk’, malsi, jallia, jan’ nji komb, m’u da, s’duron; fund e maj’ nji a Shqypnia e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.”

Është e hatashme të përjetosh që delirantë dhe injorantë me damkë, për të gjithë ata që vijnë nga betejat për gjuhën shqipe, që njohin rrënjët e gjuhës, sot e gjithë ditën reklamojnë gjithfarëlloj tezash, ndërkohë që borxhi ynë, i institucioneve bëhet gjithmonë e më i madh dhe i pashlyeshëm, sepse bëhet gjithmonë e për të qeshur nëse nuk do të jetonim këtë kohë kur barbarizmat në sintaksë dhe fjalor, nuk do të gjenin shesh për të bërë përshesh në hapësirat e rrjeteve sociale.

Na bën që të jemi të alarmuar që të bëjmë çmos për të rezistuar. Fatkeqësisht është e pamundur të jemi në sulm, sepse barbaria e kësaj injorance është shumë e fortë dhe mbështetet në atë të vërtetën e thjeshtë që populli e ka thënë me dy fjalë, “kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, e vërteta nuk ka veshur akoma pantallonat”.

Por që të rezistojmë e kemi të domosdoshme dhe ky Kuvend është pjesë e kësaj rezistence. Sot mungon një lëvrues aq i lartë i gjuhës shqipe, Ismail Kadare. Mjafton t’i referohesh faqeve të tij. E kujtoj sa ankth kishte nga sulmet që i bëheshin gjuhës shqipe. Po ju rikujtoj disa vargje të tij: “Kur panë se gjuhës S’i hodhën dot prangat, Lëshuan drejt saj Gjithfarë merimangash. Parashtesa e pjesëza E lidhëza së prapthi, Të bukurën gjuhë Ta bënin lesharapi”.

Sot më vjen mirë se si pjesë e kësaj rezistence mund të themi që jemi në momentin historik sa i përket gjuhës së prezantimit të fjalorit të madh të gjuhës shqipe që më në fund përditësohet falë punës monumentale të bërë nën kujdesin e Akademisë së Shkencave.

Nesër do prezantohet publikisht edhe drafti i këtij fjalori. Do hidhet në konsultim të gjerë publik dhe do merren opinionet dhe sugjerimet, vërejtjet, kontribute që me gjasë mund ta pasurojnë, por me siguri do ta konsolidojnë si produktet të përbashkëta të një rezistence të domosdoshme dhe një përpjekje që ne nuk e kemi të mundur të jemi në sulm se jemi nën agresionin e barbarisë dhe gjithfarë lloj injorantësh që gjejnë hapësirë falë botës së re të rrjeteve sociale. Por e kemi detyrim, të jemi në mbrojtje dhe të mos lejojmë që gjuha të degradojë në pikën e moskthimit.

Latest articles

Related articles